Javën e kaluar, Ursula von der Leyen mori nga Parlamenti Evropian një mandat të dytë në krye të Komisionit Evropian me më shumë vota se mandati i saj i parë. Roberta Metsola u rizgjodh me një shumicë të madhe për 2 vjet e gjysmë në krye të Parlamentit Evropian. Në këtë mënyrë u përforcua kursi i pesë viteve të mëparshme të BE-së.
Frika se von der Leyen mund të mos merrte numrin e nevojshëm të votave nuk u materializua. Ajo mori 401 vota "pro" kundrjet 284 "kundër" dhe 16 "abstenime”, me një total prej 707 deputetësh që votuan dhe 7 fletëvotime të pavlefshme. Në votimin e mëparshëm, ajo mori 383 vota nga gjithsej 751. "Evropa përballet me një zgjedhje kategorike që do të formësojë kursin e saj për 5 vitet e ardhshme dhe do të përcaktojë vendin e saj globalisht për 50 vitet e ardhshme," tha Ursula von der Leyen në një fjalim para votimit:
"Evropa nuk mund t'i kontrollojë diktatorët dhe demagogët në botë, por mund të zgjedhë të mbrojë demokracinë e saj. Jam e bindur se Europa siç u formësua pas Luftës së Dytë Botërore, me të gjitha të metat dhe pabarazitë e saj, është ende versioni më i mirë në histori. Unë kurrë nuk do të qëndroj duke e shikuar atë të copëtohet nga brenda dhe nuk do të pranoj kurrë polarizimin e skajshëm të shoqërive tona. Unë kurrë nuk do të pranoj që demagogët dhe ekstremistët të shkatërrojnë mënyrën tonë të jetesës evropiane. Dhe sot jam këtu, gati për të udhëhequr këtë luftë me të gjitha forcat demokratike në këtë institucion.”
Sipas kryetarit të grupit politik të Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber, kandidati i të cilit është von der Leyen, programi i saj është programi i saktë për 5 vitet e ardhshme:
"Sot janë në rrezik shumë gjëra. Evropianët duan një Evropë demokratike, jo radikale. Ata duan që ne të punojmë së bashku dhe të bëjmë kompromise, jo t'i ndajmë njerëzit, siç bëjnë Orban, Le Pen dhe Mélenchon. Evropianët duan një Evropë të bashkuar, jo të ndarë".
“Putini po sulmon demokracitë tona, ekziston rreziku që Trump të bëhet përsëri president i Shteteve të Bashkuara dhe ne shohim aleatët e tij në të gjithë Evropën duke avancuar”, theksoi Rafael Glucksman, eurodeputet nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve.
“Zgjedhjet e muajit të kaluar dhanë një mësim që askush nuk mund ta injorojë”, tha presidenti i “Patriotëve për Europën”, Jordan Bardella dhe shtoi se ato forcuan pozitat e patriotëve kudo dhe dobësuan ato të liberalëve, centristëve dhe të gjelbërve.
Nëse rizgjedhja e von der Leyen është një sinjal aq i favorshëm sa duket, duke pasur parasysh rritjen e rezultatit elektoral të euroskeptikëve, është pyetja jonë e parë ndaj eurodeputetit nga Partia Popullore Evropiane Andrej Kovaçev:
“Mendoj se java e parë e Parlamentit Evropian ishte jashtëzakonisht e suksesshme, nuk kishte asgjë ndryshe përveç retorikës së disa partive ekstreme. Ndër të tjera, nuk mendoj se është e drejtë t'i quajmë kështu - "Patriotë për Evropën", sikur të gjithë të tjerët të mos jenë patriotë, është një terminologji shumë mashtruese. Roberta Metsola u konfirmua me shumicë dërrmuese, më pas me shumicë të madhe u zgjodhën edhe nënkryetarët dhe kuestorët e Parlamentit. Më në fund, me më shumë vota, siç thatë ju, se 5 vjet më parë, u zgjodh edhe Ursula von der Leyen për një mandat të dytë. Në të njëjtën kohë, në këtë seancë parlamenti miratoi një rezolutë të vetme dhe ajo është për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën. Kjo ishte shumë e rëndësishme sepse u përfol se me mandatin e ri Parlamenti Evropian pothuajse me siguri do të ndryshonte qëndrimin e tij në një farë mënyre. Ne kemi dhënë një sinjal shumë të qartë të politikës së jashtme se mbështetja jonë është e qëndrueshme dhe e lidhur me vlerat thelbësore, se ne mbështesim viktimën, këtë vend që i nënshtrohet dhunës nga fqinji.”
Në të njëjtën kohë, forcat politike që u bashkuan pas von der Leyen janë shumë të ndryshme në ideologji - nga kristiandemokratët, përmes socialdemokratëve, te liberalët dhe të gjelbrit. Deri në çfarë mase një bashkim i tillë mund të jetë i qëndrueshëm në të ardhmen për punën e institucioneve evropiane?
“Parlamenti Evropian gjithmonë ka punuar kështu - me shumicë luhatëse. Por në këtë mandat, Partia Popullore Evropiane bëhet një faktor edhe më i pashmangshëm. Pa të, nuk mund të ketë shumicë as në të majtë, as në të djathtë. Ne do të jemi garantuesi që Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të jetë tërheqës, të zhvillojë ekonominë e tij, të ketë mjaft vende pune dhe investime të mira në veprimtarinë shkencore dhe zhvillimore. Ne insistojmë gjithashtu edhe për një rishikim të Marrëveshjes së Gjelbër. Temat e tjera të mëdha janë mbrojtja - të kemi një industri më efikase të mbrojtjes në BE që bashkëpunon me njëra-tjetrën për të qenë në gjendje të prodhojë pjesë konkurruese të pajisjeve për forcat ajrore, marinën dhe forcat tokësore, me çmime konkurruese, veçanërisht kundër prodhuesve amerikanë.”
Dhe si e shihni rolin e "Patriotëve për Evropën" dhe "Evropës së Kombeve sovrane"? Çfarë prisni prej tyre?
“Ata nuk mund të jenë një faktor nëse nuk vendosin të jenë më të moderuar në disa prej deklaratave të tyre. Sinjale të tilla ka pasur edhe nga partia e Le Pen. Ju kujtojmë se “Alternativën për Gjermaninë” e hodhën për shkak të disa sinjaleve në drejtim të neonazizmit. Kolegu Jordan Bardella, i cili është edhe kryetar i partisë së tyre, ka pasur deklarata jashtëzakonisht të moderuara në krahasim me deklaratat e mëparshme të babait Le Pen dhe vajzës Le Pen. Duhet të shohim se si do të zhvillohet kjo parti, por tani për tani janë vendosur nën një lloj kordoni sanitar, kështu që asgjë nuk mund të varet prej tyre dhe propozimet e tyre nuk mund të mbledhin shumicën në Parlamentin Evropian. Dhe nuk po flas fare për grupin tjetër të vogël - mendoj se janë 25 persona, nga të cilët nuk do të varet absolutisht asgjë. Këtë e kam thënë shumë herë gjatë fushatës zgjedhore - se këta njerëz që shkojnë me slogane jashtëzakonisht antievropiane dhe antidemokratike nuk do të mund të justifikojnë dëshirat e votuesve të tyre, sepse do të jenë një grup i vogël i margjinalizuar në rreshtat e mësipërm, në ballkonin e Parlamentit Europian.”
Kishte një periudhë kur njerëzit e Orbanit ishin pjesë e PPE. A është i mundur procesi i kundërt - nga "Patriotët për Evropën" përsëri në PPE?
“Tani për tani kjo është absolutisht e paimagjinueshme. Me këtë sjellje jashtëzakonisht provokuese dhe të njëanshme të Viktor Orbanit, i cili ndërmerr veprime të pakoordinuara me shtetet e tjera anëtare, si vizitat e tij në Rusi dhe Kinë, nuk mund të ketë një rikthim të tillë. E di që ka pasur ose ka ende njerëz në Bullgari që pëlqejnë disa nga politikat e tij. Dhe, po, ne gjithashtu kemi thënë gjithmonë se politikat e sigurisë, politikat e mbrojtjes së kufijve të jashtëm, politikat demografike, mbështetja për familjet - këto janë politika që ne gjithashtu i ndajmë. Por këto provokime, të cilat po bëhen, dhe veçanërisht në lidhje me interesin kombëtar bullgar në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, ku boshti Orban-Vuçiq-Mickoski është kaq i fortë dhe, për fat të keq, aq antibullgar, nuk mund të çojnë në kthimin e Viktor Orbán në qendër.”
Bëhet fjalë për shkëputjen e eurodeputetëve të tij, ose ndoshta të deputetëve nga vende të tjera anëtare të “Patriotëve për Evropën”, të cilët në një moment e njohin PPE-në më shumë si një parti të tyre...
“Nuk e kam idenë në këtë etapë, do të shohim. Ne e pranuam partinë opozitare hungareze “Tisza” në EPP, të përbërë nga 7 eurodeputetë, të cilët fituan poste mjaft serioze në Hungari dhe punojmë me ta”.
Një periudhë ndoshta e vështirë po i afrohet Evropës nga nëntori e në vazhdim. A mendoni se ajo është mjaft e përgatitur për të?
“Çfarë do të thotë të presësh? Në mandatin e kaluar nuk e prisnim COVID-in, por ai erdhi. Ne nuk prisnim një luftë, por kjo luftë e tmerrshme ndodhi në Ukrainë. Ajo që është përpara nesh, vështirë se mund ta kuptojmë. Por, natyrisht, pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, po presim se çfarë do të ndodhë në Lindjen e Mesme dhe një paqe të drejtë në Ukrainë. Është shumë e rëndësishme që të jetë kështu. Një paqe e drejtë do të thotë rivendosjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit ukrainas dhe tërheqjen e forcave ruse nga kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës. Çdo paqe tjetër thjesht nuk do të ishte e drejtë. Mund të jetë ndonjë tjetër - paqe ruse apo çfarëdo tjetër, por kjo nuk është e drejtë. Megjithatë, ne po flasim për një situatë të tmerrshme në Ukrainë, ku qindra mijëra jetë të pafajshme janë humbur tashmë. Do të shohim se si do të rimëkëmbet Ukraina dhe si do të funksionojë në të ardhmen, por ne do të vazhdojmë të mbështesim edhe rimëkëmbjen e këtij vendi.”
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Foto: AFP, BTA
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin e përçarjes midis klerikëve tanë. Atëherë, megjithë nxitjet e Patrikut të Stambollit Bartolomeu,..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë shkencore me financim shtetëror. Inteligjenca artificiale e gjeneratës së re, e krijuar për të punuar në..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës nuk çoi në një marrëveshje mes forcave politike për Komisionin e ardhshëm Evropian dhe ambicia është..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë..
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin..