Më 25 janar të këtij viti Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) do të festojë 90 vjetorin e saj. Festimi i Shtëpisë së Vjetër, siç e quajmë radion tonë, do të shoqërohet me iniciativa të ndryshme dhe kulmi do të jetë ceremonia e ndarjes së Çmimeve Vjetore të Radio Gazetarisë "Sirak Skitnik" këtë të shtunë dhe një koncert në Operën dhe Baletin Kombëtar me pjesëmarrjen e të gjitha ansambleve muzikore të Radios Kombëtare Bullgare.
"90 vjet është një numër shumë serioz dhe një përgjegjësi shumë serioze. Ky përvjetor na kujton se jemi këtu ku jemi në këtë moment, falë punës së shumë kolegëve që kanë lënë zemrën dhe shpirtin para nesh brenda mureve të Radios Kombëtare Bullgare dhe ata kanë arritur në mbarë botën – tha drejtori i përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare Milen Mitev në një intervistë speciale për Radio Bullgarinë – programet për jashtë shtetit – Sfida jonë më e madhe si media me një histori kaq të gjatë është përdorimi i mësimeve të nxjerra nga e kaluara, për të modernizuar veten dhe për të qëndruar në të njëjtin nivel me konkurrentët tanë më të rinj.”
"Historia ka vlerë vetëm kur ajo pushon së qeni keqdashëse", shkroi vite më parë një nga satiristët më të shquar bullgar, Radoj Ralin. Historia e Radios Kombëtare Bullgare është e paçmuar, por jo keqdashëse. "Me krenari dhe lumturi duhet përmendur fillimi dhe figura e jashtëzakonshme e kryekuratorit të parë të radios - Sirak Skitnik", thotë Kin Stojanov, biri i Radoj Ralinit dhe sot drejtor i programit "Hristo Botev". programi i edukimit dhe kulturës së medias publike që u angazhua fuqishëm dy vite më parë me krijimin e ekspozitës multimediale "Në gjurmët e Sirakut”.
Prezantimi i ekspozitës së re multimediale virtuale kushtuar 90 vjetorit të Radios Kombëtare Bullgare u mbajt më 22 janar, në Studion e Dytë të Radios Kombëtare Bullgare – duke shënuar fillimin e serisë së nismave festive. Autori i saj është sërish Prof. Bojan Dobrev në bashkëpunim me Fondin Arkivor të medias sonë dhe Agjencisë Telegrafike Bullgare - BTA. Dhe me vërejtjen se është krejtësisht e pamundur në një botim multimedial, pavarësisht nga zhvillimi i përgjithshëm i teknologjive, të përfshihet një bazë kaq e madhe të dhënash siç mbart brenda vetes Radioja Kombëtare Bullgare, Kin Stojanov na tregoi më shumë për ekspozitën:
"Ky është qëllimi ynë - ta bëjmë të gjithë këtë histori të aksesueshme për të gjithë, madje edhe nga pajisja e tyre celulare. Prof. Bojan Dobrev e krijoi këtë multimedia jo me sytë e një punonjësi të radios, por me sytë e një pjese të shoqërisë bullgare që gëzon funksionin publik që kryen Radioja Kombëtare Bullgare. Përmes saj, të gjithë kanë mundësinë të bëjnë një turne virtual në studiot e radios, të shëtisin nëpër vetë ndërtesën, të eksplorojnë objektin e magazinimit të kasetave të vendosura në resortin Borovec dhe shumë më tepër. Do të jetë e mundur të dëgjoni muzikë, të dëgjoni kujtime dhe dëshmi të ndryshme audio që janë regjistruar. Aty prezantohen edhe themeluesit e radios përmes portreteve të tyre virtuale. Të gjithë, nga këndvështrimi i interesave të tyre, do të mund të gjejnë diçka në ekspozitë.”
Kin Stojanov, në emër të Radios Kombëtare Bullgare, shpreh mirënjohjen e tij të madhe për Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe Agjencinë Telegrafike Bullgare, nga ku na ka ardhur një vëllim i madh arkivash vizuale dhe shumë dokumente të vlefshme, me të cilat tregimi vizual për Radion Kombëtare Bullgare u bë më i plotë dhe më i besueshëm.
Dhe programi festiv për Radion Kombëtare Bullgare vazhdon:
Më 23 janar para Studios së Parë të BNR u prezantua një ekspozitë shumë speciale prej pikturash të vizatuara nga nxënësit e gjimnazeve të arteve figurative në vend nga konkursi i sivjetshëm i dytë me radhë “Në gjurmët e Sirakut.
“Në fund të shkurtit do të prezantohet sërish në godinën e radios një ekspozitë fotografike me foto kushtuar gjithë historisë së Radios Kombëtare Bullgare, të cilat i kemi mbledhur nga arkivi i BTA dhe nga Arkivi Qendror Shtetëror”, shtoi drejtori i radios publike, Milen Mitev.
Ekspozita e artit "Në gjurmët e Sirakut" dhe ekspozita e fotografive do të udhëtojnë përgjatë vitit 2025 në të gjitha qytetet me radio-stacione rajonale të Radios Kombëtare Bullgare. Në fund të shkurtit do të prezantohet një numër special i revistës LIK (Letërsi, Art, Kulturë) të BTA kushtuar Radios Kombëtare Bullgare.
Foto: Bojan Dobrev
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
"Shengen" është fjala më me rëndësi në Bullgari për vitin e kaluar 2024. Me 37% të votave, fshati luksemburgas, i cili është sinonim i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave në BE, kryesoi renditjen në sondazhin e katërt vjetor të kryer nga platforma e..
Në prag të festës së Athanasit , një nga tempujt në afërsi të Sofjes tashmë po përgatitet të mirëpresë Shenjtërinë e tij Mitropolitin e Sofjes dhe Patriarkun Bullgar Daniil, i cili këtë vit do të kremtojë Liturgjinë Hyjnore në kishën e fshatit Gorni..
Më 17 janar, Kisha jonë Ortodokse përkujton Shën Antoni i Madh - një mbrojtës i zellshëm i krishterimit. Në moshë të shtyrë, ai mori pjesë në luftën e kishës kundër herezisë ariane, duke hyrë në Aleksandri në mosmarrëveshje të hapur me heretikët dhe..