Më 4 shkurt, në qytetin Bllagoevgrad (Bullgaria Jugperëndimore) do të mbahet një ritual i vendosjes së luleve për të shënuar 153 vjetorin e lindjes së revolucionarit bullgar Goce Dellçev.
Nuk do të ketë festë të përbashkët të përvjetorit me Maqedoninë e Veriut. Bullgaria nuk ka marrë ftesë për të festuar së bashku këtë ditë me fqinjin tonë, njoftoi ministri i jashtëm bullgar Georg Georgiev. Tradicionalisht, ambasadori bullgar në Shkup dhe diplomatët e misionit do të vendosin kurora me lule para sarkofagut të vojvodës në Manastirin “Shën Spas” në kryeqytetin maqedonas.
Goce Dellçev lindi më 23 janar 1872 në Kukush, qyteti i sotëm Kilkis në Greqi, si fëmija i tretë nga gjithsej nëntë fëmijët e familjes së Nikolla dhe Sulltana Dellçevi.
Pas vitit 1888 ai studioi në Gjimnazin Bullgar të Selanikut, ku mori pjesë në një rreth të fshehtë revolucionar. Më pas studioi në Shkollën Ushtarake në Sofje. Dy vjet ishte mësues ekzarku në Shtip, ku u tërhoq në Organizatën e Brendshme Revolucionare të Maqedonisë dhe Edrenesë - VMORO. Punoi në përfaqësinë jashtë shtetit të VMORO-s në Sofje dhe si kryeinspektor i çetave. Me ndihmën e oficerëve bullgarë, ai ndërtoi forcën e armatosur të çetave të VMORO-s në rajonet historike të Maqedonisë dhe Trakisë së Edrenesë.
Në Bullgari, Goce Dellçev nderohet si apostull revolucionar i VMORO-s, bullgar etnik dhe hero kombëtar. Ai vazhdoi luftërat nacionalçlirimtare dhe punën e komiteteve të nisur nga Apostulli i Lirisë Vasil Levski.
Goce Dellçev është përkrahës i idesë së autonomisë së Maqedonisë në situatën politike të fillimit të shekullit të 20-të.
Së bashku me Dame Gruev dhe figura të tjera revolucionare, ata arritën të shtyjnë shpalljen e një kryengritjeje kundër sundimit osman në të dy rajonet deri në verën e vitit 1903. Më 3 maj të po këtij viti, ai vdiq në një betejë me ushtrinë turke në fshatin Banica, në territorin e Greqisë së sotme. Eshtrat e Goce Dellçevit u transferuan gjatë Luftës së Parë Botërore në Institutin Shkencor Maqedonas në Sofje. Në vitin 1946, me urdhër të komunistëve në pushtet në Bullgari, eshtrat e vojvodës iu dorëzuan autoriteteve jugosllave në Shkup.
Në Maqedoninë e Veriut, gjithashtu nderohet Goce Dellçev, por mohohet origjina e tij etnike bullgare. Vetë Goce Dellçevi e cilëson veten kategorikisht si bullgar dhe bashkatdhetarët e tij në Maqedoni i quan bullgarë. Emri "maqedonas", sipas terminologjisë së atëhershme, përdorej për bullgarët etnikë, turqit, grekët, shqiptarët, vllahët, romët, hebrenjtë nga rajoni gjeografik i Maqedonisë dhe kur u referohej sllavëve vendas, nënkuptohej një identitet rajonal bullgar.
Në shekullin e 21-të Bullgaria i ka propozuar shumë herë Maqedonisë së Veriut një festë të përbashkët të heronjve të përbashkët historikë dhe ngjarjeve të nderuara në të dyja vendet, përfshirë festën e Goce Dellçevit. Propozimet u refuzuan nga Shkupi me arsyetimin se kjo e kërcënon identitetin maqedonas.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Foto : arkiv, BGNES (arkiv)
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
“Sot festojmë një përvjetor: 139 vjet nga Lufta Serbo-Bullgare dhe fitorja e ushtrisë së re bullgare. Ashtu si Bashkimi i Bullgarisë është vetëm çështje bullgare, kështu edhe fitorja në këtë luftë është fitore vetëm e ushtrisë bullgare”. Ministri i..
Sot, më 6 nëntor, mbushen 104 vjet nga aneksimi i Krahinave Perëndimore (rajonet kufitare juglindore të Serbisë me popullsi bullgare) në vitin 1920. Aneksimi u bë sipas Traktatit të Paqes të Neuilly të vitit 1919 , i cili i dha fund Luftës së Parë..
Kisha jonë Ortodokse nderon sot kujtimin e anargjirëve dhe mrekullibërës të shenjtë Kozma dhe Damian, të cilët jetuan në shekullin e IV-të. Të dy ishin vëllezër nga Asiria, Azia e Vogël. Babai i tyre ishte një grek pagan që vdiq herët. Nëna e tyre..