Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Në pritje të bojkotimit të dyqaneve edhe në Bullgari – çfarë presin qytetarët?

Konsumatori në vendin tonë është më i prekur nga rritja e çmimeve dhe për shkak të të ardhurave tradicionalisht të ulëta

Foto: BGNES

"Më 13 shkurt të këtij viti, konsumatorët bullgarë nuk duhet të blejnë produkte në asnjë dyqan ushqimor, në asnjë zinxhir ndërkombëtar, në asnjë supermarket! Më 13 shkurt, dyqanet ushqimore duhet të mbeten bosh dhe të mos ketë asnjë blerës në to!" – për këtë bëjnë thirrje në rrjetet sociale organizatorët e bojkotit mbarëkombëtar ndaj zinxhirëve të mëdhenj të dyqaneve ushqimore – Lëvizja “Sistemi po na vret”, Federata e Konsumatorit në Bullgari dhe Sindikatat e Bashkuara të Pensionistëve. Fushata ndjek shembullin e konsumatorëve në Kroaci, i cili u ndoq në vende të tjera të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.


Pakënaqësia e bullgarëve në fakt nuk është vetëm kundër rritjes së çmimeve të produkteve esenciale, por edhe një protestë kundër niveleve të vonuara të pagave të punës në Bullgari.

“Konsumatorët bullgarë janë më të dëmtuarit në mbarë BE-në dhe shpresoj që tani, më në fund, me këtë thirrje për bojkot nga ana e konsumatorëve, të kuptohet se ne nuk jemi konsumatorë të kategorisë së dytë dhe të tretë”, thotë Emill Georgiev, nga Federata e Konsumatorëve, i cili pret që 60% e konsumatorëve në vend t'i bashkohen bojkotit. Të gjithë konsumatorët kanë vënë re një rritje rrëshqitëse të çmimeve që nga fillimi i vitit në rrjetet e mëdha të shitjes me pakicë dhe në tregje. Kjo prek më së shumti ata 800 mijë pensionistë që jetojnë nën kufirin e varfërisë, si dhe të varfrit që punojnë, të cilët nuk janë aspak një pjesë e vogël e shoqërisë sonë.

Emill Georgiev

Sindikatat dhe organizatat e konsumatorëve citojnë të dhëna nga Zyra Kombëtare e Statistikave, duke deklaruar se Bullgaria mbetet vendi më i varfër në BE dhe çmimet e mallrave bazë, si qumështi, djathi, vezët dhe mishi, janë ndër më të lartat në Evropë.

Disa nga deputetët nxituan të propozonin masa ligjore për caktimin e një tavani të çmimeve, por vetëm në zinxhirët e mëdhenj të shitjes me pakicë me një xhiro vjetore mbi 10 milionë leva (rreth 5 milionë euro), dhe ideja shkaktoi një ndarje mendimesh në sallën plenare.

Pakënaqësisë së përgjithshme kundër rritjes së çmimeve iu bashkua edhe institucioni presidencial – nënpresidentja Ilijana Jotova e cilësoi të justifikuar indinjatën e qytetarëve. “Natyrisht se duhet bërë diçka së shpejti, sepse çmimet janë të paktën 30% më të larta se para Vitit të Ri”, tha ajo, duke shtuar se pret një diskutim të gjerë publik për këtë temë dhe masa urgjente nga shteti.

Si е pranojnë qytetarët në Sofje idenë e bojkotit të dyqaneve të paralajmëruar për 13 shkurtin? – Një sondazh i Radio Bullgarisë tregon qëndrimet e shoqërisë:

“Çmimet nuk korrespondojnë me të ardhurat e njerëzve, janë shumë të larta”, thotë Roza Stojanova, pensioniste nga Sofja, “Masat që janë marrë deri më tani janë në dëm të njerëzve, jo në dobi të tyre. Shpresoj se bojkoti do të ndihmojë, nëse nuk ndihmon - do të ketë edhe një bojkot.”


Ndjenja e presionit mbi buxhetet familjare i motivon njerëzit t'u bashkohen thirrjeve për të mos bërë blerje në një ditë të caktuar.

"Unë mendoj se bojkoti do të ketë një efekt. Në qoftë se më shumë njerëz deklarojnë se janë kundër rritjes së paligjshme të çmimeve, atëherë tregtarët do të mendojnë nëse do të ketë pasoja ligjore për spekulimet e çmimeve - thotë Pavlina Ikonomova, një grua punëtore nga kryeqyteti. - Dhe po, unë personalisht do të merrja pjesë në bojkot. Unë nuk e mbështes këtë futje të tavanit të çmimeve, por desha çmime normale. Nuk mund të blihen produkte me një çmim të ulët dhe më pas ato të rishiten dhe tregtarët të marrim fitimin më të madh. Të ardhurat e ulëta në sfondin e çmimeve të larta po e detyrojnë njeriun mesatar të kërkojë mënyra për të kursyer duke blerë mallra me cilësi më të ulët."


“Padyshim që ka një rritje të çmimeve”, thotë Eleonora Ivanova, një nënë nga Sofja: “Jam në vitin e dytë të pushimit të lehonisë, por nuk mendoj se me shumën që po marr për pushimin e lehonisë - 780 leva (rreth 390 euro), mund ta rris fëmijën tim në një mënyrë qetë, por edhe të marrë përsipër shpenzimet e mia. Nëse një grua mbështetet vetëm në pagën e lehonisë, kjo e dërgon në kategorinë e të varfërve në Bullgari. Të ardhurat duhet të rriten. Para amësisë kam punuar gjithmonë me kontratë, por shumë herë më kanë paguar sigurimet në bazë të pagës minimale, pavarësisht nga kualifikimet e mia arsimore, pavarësisht nga përvoja ime e punës dhe pavarësisht nga koha që kam qëndruar në vendin e punës. “Dua të them se në vendin tonë ka ende shumë punëdhënës që vlerësojnë në mënyrë joadekuate punën e punonjësve të tyre – pikërisht kësaj duhet t’i kushtohet vëmendje në vend të parë ”, është kategorike gruaja e re.


Ka edhe njerëz që janë skeptikë për masat për zinxhirët ushqimorë. Ka nevojë për rregullim edhe të zinxhirëve të furnizimit. Shumë prej prodhuesve bullgarë të perimeve, për shembull, nuk mund t'i shesin mallrat e tyre drejtpërdrejt te shitësit e mëdhenj, pasi ata nuk mund të ofrojnë vëllimet e nevojshme. Prandaj, në skemë përfshihen një ose dy kompani blerëse, të cilat vendosin çmime të tyre për produktet. Kjo zgjat zinxhirin e furnizimit, që ndikon drejtpërdrejt në çmim dhe në fund reflekton në xhepin e konsumatorit përfundimtar.


"Ja, unë po vij nga dyqani tani dhe shoh që shumë nga çmimet janë të larta" - na thotë banori i Sofjes Angell Stefanov, duke shtuar: "Kur i shikon këto çmime, nuk mund të mos mendosh se ka diçka si një marrëveshje mes zinxhirëve tregtarë. Nga ana tjetër, po dëgjojmë se qumështin e blejnë nga prodhuesit me çmimin 80 stotinka (rreth 40 centë) për një litër, dhe kaçkavalli i mirë tani është vështirë të blihet me një çmim nën 30 leva (rreth 15 euro). Kjo do të thotë se diku në zinxhir, disa nga pjesëmarrësit nuk i respektojnë rregullat e tregut. Masat e marra drejtpërdrejt nga shteti nuk do ta zgjidhin problemin me çmimet, madje do të çojnë në falimentim të drejtpërdrejtë të disa tregtarëve që detyrohen të punojnë me këto çmime, pa u varur prej tyre”, thekson qytetari dhe ndërkohë që njerëzit pyesin nëse do t'i bashkohen bojkotit, ekspertët diskutojnë se sa do të kishte një bojkot i tillë një ndikim real në gjendjen e tregut. Në plan të parë del pyetja nëse kufizimi i blerjeve dhe rregullimi i çmimeve nuk do të çojë në falimentimin e dyqaneve të vogla, gjë që do t’u siguronte madje edhe më shumë klientë vargjeve tregtare, të cilat aktualisht mbajnë rreth 35% të tregut në Bullgari.

Lexoni më tepër në arkivin e Radio Bullgarisë:


Foto:  BTA, BGNES

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Qendra e Trajnimit në Aeroportin e Sofjes do të trajnojë specialistë nga e gjithë bota

Qendra e Trajnimit të Aviacionit në Aeroportin e Sofjes u akreditua nga Shoqata Botërore e Aeroporteve (ACI) dhe i bashkohet grupit elitar të 21 qendrave të trajnimit, duke përfshirë ato të aeroporteve kryesore evropiane si ai i Mynihut, Stambollit dhe..

botuar më 25-02-08 7.30.PD
 Foto/ Shkolla bullgare e së dielës

Tërmete, thatësira, turbina ere... eko-sfidat bashkojnë nxënës nga Bullgaria, Italia dhe Danimarka

Temat lidhur me burimet e rinovueshme dhe fatkeqësitë natyrore mblodhën së bashku nxënës nga shkolla bullgare e së dielës "Asen dhe Ilija Pejkovi" në Romë, Gjimnazi i Parë i Gjuhës Angleze në Sofje dhe shkolla e mesme Greve pranë Kopenhagës. Projekti..

botuar më 25-02-07 7.30.PD
Foto: Qendra e Shpëtimit të Breshkave Tokësore

Dimri i breshkave - ekipi i Qendrës së Shpëtimit pranë fshatit Banja kujdeset për mbi 200 banorë të saj

Ndërsa dimri e ngrin natyrën jashtë, të fshehura në strehëzat e tyre, të mbrojtura nga i ftohti dhe kërcënimet jashtë, breshkat flenë gjumin e tyre dimëror. Por çfarë ndodh me to gjatë kësaj periudhe? Ku ndihen më të sigurta dhe kur duhet të presim që..

botuar më 25-02-06 7.20.PD