Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Atë Cortesi: Gjithnjë e më shumë njerëz nga të gjitha kishat e krishtera po punojnë për të gjetur unitetin

Fitorja është e Jezu Krishtit, i cili u ringjall për të zgjuar shpresën në zemrat tona, thotë prifti katolik

Atë Paolo Cortesi Foto: Komuniteti Katolik - Belene

Më 20 prill, të gjithë të krishterët kremtojnë Ringjalljen e Krishtit. Në sfondin e botës sonë të përçarë dhe të dhunshme, katolikët, së bashku me ortodoksët, armenët dhe protestantët, do të dërgojnë një mesazh shprese, duke ndarë gëzimin e përbashkët për fitoren mbi përkohshmërinë dhe vdekjen.

"Shpresoj që katolikët jo vetëm në Bullgari, por edhe në mbarë botën po përgatiten për Ringjalljen e Krishtit," – tha në vigjilje të Pashkëve në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë Atë Paolo Cortesi, prifti famullitar në Belene.

"Jemi të ftuar ta jetojmë më thellë lutjen, të heqim dorë nga mishi dhe disa gjëra të tjera, të bëjmë vepra të mira me më shumë përkushtim, të ndihmojmë njerëzit dhe, përmes sakramentit të pajtimit, faljes, rrëfimit – të largohemi nga mëkatet dhe rrugët e gabuara dhe të ecim drejt së mirës. Dhe në mbrëmjen e së Shtunës së Madhe, përpara të Dielës së Pashkës, do të kremtojmë së bashku vigjiljen e Pashkës, ku do të bekojmë zjarrin e ri, do të ndezim qiriun e Pashkës, do të dëgjojmë Fjalën e Zotit dhe, në fund, do të shpallim lajmin e mirë – ‘Krishti u Ngjall!’. Dhe do të gëzohemi së bashku. Për Pashkë, këtu do të kremtojmë dy liturgji solemne. Shpresoj që këtë vit të ketë më shumë njerëz për shkak të ditëve pushim dhe për këtë bekim të bukur – që të gjithë të krishterët – katolikë, ortodoksë, armenë, protestantë – po festojmë së bashku Ringjalljen. Uroj që edhe në të ardhmen të jetë kështu, që të japim një shembull të mirë se jemi të bashkuar në besimin për Ringjalljen e Krishtit."

Komuniteti katolik në vendin tonë numëron rreth 60 mijë persona, por pavarësisht numrit jo të madh, ai mbart një histori të pasur – tha Atë Paolo Cortesi për Radio Bullgarinë. Në shekullin XVI, nga Bosnja – në zonën e qyteteve Belene dhe Rakovski – mbërrijnë murgjit françeskanë, të cilët zhvillojnë veprimtari misionare. Disa shekuj më vonë, gjatë sundimit osman, pasardhësit e të krishterëve ortodoksë në Bullgarinë Jugore dhe rreth Edrenesë gjithashtu pranuan katolicizmin, por për shkak se ruanin edhe ritet ortodokse, u quajtën "uniatë" ose "katolikë të ritit lindor". Peshkopët katolikë morën pjesë në zhvillimin kulturor të vendit.

"Gjithmonë kujtoj edhe një periudhë tjetër të vështirë – kohën e regjimit komunist në Bullgari, e cila për Kishën Katolike u kthye në një sprovë të vështirë, në një vuajtje të vërtetë dhe një Golgotë," – thotë Paolo Cortesi. - Nga gjithsej 50 priftërinj, rreth dhjetë prej tyre u vranë. Shumë priftërinj të tjerë u dërguan në kampe përqendrimi dhe burgje. Prandaj le t’i falënderojmë Zotit për ndryshimet e viteve ’90 dhe për lirinë e re. Gjatë 40 viteve të fundit kanë ardhur shumë të huaj këtu, dhe mund të themi se për katolikët në Bullgari ka ardhur një fillim i ri."

Dhe së bashku me të erdhi edhe një lajm që ngjalli shpresë – pas javëve plot ankth, kur katolikët luteshin për shëndetin e Papës Françesku, ai doli nga spitali dhe u shfaq sërish përpara besimtarëve në sheshin “Shën Pjetri”.
Papa Françesku
"Jemi të gëzuar që tani po shërohet," thotë Paolo Cortesi. "Shpresojmë gjithashtu që për Pashkë ai të dalë dhe të bekojë mbarë botën. Katolikët bullgarë janë ende të gëzuar për vizitën e Papës në vitin 2019, sepse, përveç se është udhëheqësi ynë shpirtëror, ai është një njeri i jashtëzakonshëm – ka shumë për të na thënë të gjithëve, ashtu si paraardhësit e tij, Papa Benedikti dhe Papa Gjon Pali II, që ishin personalitete të jashtëzakonshme me mesazhe për mbarë botën."

Në mesin e këtyre njerëzve shpirtërorë të jashtëzakonshëm, me një mision që shtrihet përtej veprave kishtare, është dhe "Papa bullgar" Gjoni XXIII. Ai mbërrin në Bullgari në vitin 1925 me emrin e lindjes Angelo Giuseppe Roncalli dhe, gjatë dhjetë viteve ai jo vetëm që la një gjurmë në jetën fetare, por hyri edhe në zemrat e njerëzve përmes ndihmës së tij ndaj njerëzve të vuajtur dhe përmes ndërhyrjes diplomatike në favor të vendit tonë pas Luftës së Parë Botërore.

"Ai punoi për rikthimin e strukturave të Kishës Katolike dhe më veçanërisht për katolikët e ritit të lindjes, për themelimin e institutiti Opera Italiana Pro Oriente së bashku me monsignor Francesco Galloni dhe krijoi një shpirt të ri në komunitet," – thotë Paolo Cortesi. "Për më tepër, ai punoi për disa vepra bamirësie – për shembull, ofroi mbështetje për dhjetëra mijëra refugjatë bullgarë nga Greqia Veriore dhe nga rajoni i Edirnes, duke i ndihmuar ata të gjenin strehë, ushqim dhe punë. Pas tërmetit në Çirpan, ai ndihmoi të prekurit dhe ata që mbijetuan, si dhe ndihmoi për rinovimin e kishave dhe shkollave. Ai bëri përpjekje diplomatike për të rinovuar marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bullgarisë dhe Vatikanit dhe në vitin 1932 themeloi Delegacionin Apostolik në Bullgari – Nunciaturën Apostolike të sotme. Ai punoi me Mbretin Boris, si dhe për lidhjet me Kishën Ortodokse, atë Armeniane dhe Kishat Protestante. Gjithmonë i hapur për dialog dhe me një buzëqeshje, ai e donte të kishte marrëdhënie të mira njerëzore me të gjithë. Dhjetë vjet më vonë ai u largua në Stamboll, ku vazhdoi aktivitetin e tij për të krijuar unitet mes të krishterëve."

Pikërisht në Bullgari, papa i ardhshëm, Gjoni XXIII, bëri një hap për afrimin e katolikëve me ortodoksët.

"Për fat të keq, kishat e krishtera kanë qenë të ndara për shekuj me radhë në disa çështje, por sot, në secilën një prej tyre, po shohim gjithnjë e më shumë njerëz që punojnë për të gjetur përsëri një bashkim të plotë," thekson Paolo Cortesi. "Këtë vit, përpara nesh është kjo mundësi, pasi festojmë 1700 vjetorin e Këshillit të Nikesë, kur të gjithë ishin të bashkuar. Shpresojmë që Papa Françesku dhe Patriarku Ekumenik të punojnë më tepër dhe një ditë të festojmë përsëri së bashku Ringjalljen e Krishtit. Në botën tonë ka shumë përçarje dhe keqkuptime, por le të jetë besimi ynë ai që na udhëheq drejt kuptimit, drejt bujarisë dhe drejt bashkimit."

Një hap i vogël drejt dëgjimit të kësaj thirrje është përkujtimi për veprën e Roncallit. Më 25 prill të këtij viti – 100 vjet pas mbërritjes së tij në Bullgari, Konferenca Episkopale e Kishës Katolike, së bashku me Nunciaturën Apostolike, organizojnë një konferencë shkencore jubilarë me temë "Përkushtimi dhe Paqja – monsignor Roncalli dhe misioni i tij apostolik në Bullgari (1925-1934)" në Akademinë Bullgare të Shkencave.

"Në konferencë, ati Paolo Cortesi do të prezantojë punën e tij më të fundit "Ti viziton tokën dhe e ujit", që përmban rreth 600 faqe letra të monsignorit Angelo Roncalli dërguar Vatikanit, ku ai flet për Bullgarinë – jo vetëm për katolikët. Por para kësaj, në prag të Ringjalljes së Krishtit, ai do të dërgojë mesazhin e tij për të gjithë njerëzit me dëshirën të triumfojë e mira në botë."

"Mesazhi im për Pashkët, ashtu si çdo vit, është për të gjithë njerëzit," thotë prifti katolik. "Uroj që Ringjallja e Jezu Krishtit të sjellë një shpresë të re për të gjithë dhe veçanërisht për ata që vuajnë – të shtrëngojmë dhëmbët, të mos dorëzohemi dhe të kemi shpresën e krishterë se në fund Zoti do ta mundë vdekjen, drita do të mundë errësirën, e mira do të mundë të keqen, gëzimi do të mundë trishtimin dhe dashuria do të mundë urrejtjen. Ja, fitorja është e Zotit dhe e së mirës dhe fituesi i vërtet është Krishti, i cili u ringjall, për të zgjuar shpresën në zemrat tona, në jetën tonë. Për të mos u dorëzuar!"

Foto: Komuniteti Katolik - Belene, Famullia Katolike "Shën Kirilli dhe Metodij" - Svishtov, BTA
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Papa Françesku në Bullgari në vitin 2019

Katolikët në Bullgari kujtojnë me dashuri takimet e tyre me Papën Françesk – Papa i Paqes dhe i Mëshirës

Bariu i shpirtit, prifti i të gjithëve me zemër të hapur, profet modern – këto janë disa nga përkufizimet me të cilat Papa Françesku mbetet në shpirtrat e njerëzve pavarësisht nga përkatësia, feja apo besimi. Në vitin 2019 ai vizitoi Bullgarinë,..

botuar më 25-04-22 4.16.MD

Mesazhet shpirtërore të Ringjalljes në këndvështrimin e një teologu bullgar

Këtë vit, ortodoksët dhe katolikët kremtojnë së bashku Ringjalljen e Krishtit. Në të njëjtën datë, e gjithë bota e krishterë do ta kthejë vështrimin nga varri i zbrazët dhe do të përpiqet, me të gjitha mundësitë e saj, të bashkëpërjetojë habinë e grave..

botuar më 25-04-19 7.00.PD

100 vjet nga akti më brutal terrorist në historinë bullgare

Sulmi në kishën katedrale "Sveta Nedelja" më 16 prill 1925 është akti më i përgjakshëm terrorist në historinë e Bullgarisë. Për nga brutaliteti dhe qëllimi i tij – në të Enjten e Madhe, nuk i afrohet asnjë akti tjetër.  Gjatë Javës së Shenjtë,..

botuar më 25-04-16 7.25.PD