Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Katolikët në Bullgari kujtojnë me dashuri takimet e tyre me Papën Françesk – Papa i Paqes dhe i Mëshirës

Papa Françesku në Bullgari në vitin 2019
Foto: BTA

Bariu i shpirtit, prifti i të gjithëve me zemër të hapur, profet modern – këto janë disa nga përkufizimet me të cilat Papa Françesku mbetet në shpirtrat e njerëzve pavarësisht nga përkatësia, feja apo besimi. Në vitin 2019 ai vizitoi Bullgarinë, duke zgjedhur ta bëjë vizitën e tij nën shenjën e paqes.

“Paqe në tokë” – titulli i enciklikës “Pacem in Terris” nga Papa “bullgar” Gjon XXIII u bë motoja e qëndrimit treditor të Papa Françeskut në vendin tonë, gjatë së cilës kreu i Kishës Katolike Romake i dërgoi botës mesazhin e tij të paqes. Ai e bëri thirrjen e tij në prani të katolikëve, ortodoksëve, protestantëve dhe përfaqësuesve të besimeve të tjera gjatë liturgjisë së të dielës në sheshin “Aleksandër Batenberg” në Sofje.


"Ky është një mesazh i përjetshëm, sepse në botë vazhdon të ketë konflikte dhe luftëra," tha për Radio Bullgarinë At Paolo Cortesi, një famullitar në Belene. - "Le të përdorim armën e lutjes për t'i ndalur këto luftëra kudo dhe që njerëzit të jetojnë në vëllazëri, të krijojmë lidhje të mira vëllazërore. Ne jemi anëtarë të një familjeje, por, për fat të keq, që nga Kaini dhe Abeli, kemi hyrë në debate dhe konflikte, prandaj le të punojmë të gjithë për paqen dhe të jemi paqebërës."



Që pas mbërritjes së tij në Bullgari në maj 2019, Papa Françesku u takua me Patriarkun Neofit, Presidentin Rumen Radev dhe deputetë. Ai u dha përkrahje dhe dashuri edhe mërgimtarëve nga një qendër refugjatësh, ndërsa të nesërmen udhëtoi për në Rakovski, ku e priste komuniteti më i madh katolik në vendin tonë.

Papa Françesku në qendrën e refugjatëve Vrazhdebna (2019)

Në qytetin, që ndodhet jo shumë larg Plovdivit, Papa Françesku vizitoi kishën e lashtë “Shën Kryeengjëlli Mihail”, gurthemeli i së cilës u vu në vitin 1887. Dhe në kishën “Zemra e Shenjtë e Jezusit”, e ndërtuar në të njëjtën kohë dhe e projektuar nga arkitekti italian Visetti, ai ua dha kungimin e parë 250 fëmijëve bullgarë.

Papa Françesku vizitoi kishën e lashtë të Shën Kryeengjëllit Mihail

Edhe sot banorët e Rakovskit ruajnë një kujtim të çmuar nga vizita e Papa Françeskut:

"Ishte në ditën e Shën Gjergjit dhe ishte shumë emocionuese kur ai mbërriti në qytetin tonë. Ishte një njeri shumë me këmbë në tokë, zbriti mes njerëzve, preku shumë prej nesh, na bekoi. Dhe më e rëndësishmja - thoshte gjithmonë: "dashuri dhe paqe", "të besojmë të gjithë!" - ndan sot një banor i qytetit.


"Dhe fëmijët që morën kungimin e tyre të parë ishin shumë të lumtur."

"Ishte shumë bukur - një ditë e ngrohtë maji, i gjithë qyteti kishte dalë. Ne i duam etërit tanë të shenjtë dhe me gëzim të madh e priti i gjithë qyteti. Ai kaloi pikërisht në rrugën tonë, ne ishim shumë të lumtur. Tani u lutëm për të, që të mbijetonte nga kjo sëmundje e rëndë që përjetoi, jam i trishtuar. Do ta kujtoj se donte paqe për të gjithë, këto luftëra po na vrasin."

At Ivelin Genov nga kisha "Shën Pjetri dhe Pali" në Hisarja ishte në mesin e priftërinjve që e pritën në Rakovski. Ai na tregoi për këto momente intime para gazetares Kremena Daneva.

Papa Françesku në Rakovski

"Një kujtim i mrekullueshëm me gjurmë të thella besimi dhe shprese që ai la tek unë atëherë, por edhe tek të gjithë ata fëmijë që erdhën nga e gjithë Bullgaria për të marrë kungimin e tyre të parë. Papa foli në një mënyrë që ishte e arritshme për zemrat e të gjithëve atëherë, si dhe gjatë gjithë pontifikatit të tij. Ai na preku me shpresën që na frymëzoi, se ishte gjithmonë i hapur ndaj njerëzve, ndaj atyre që ishin në periferi dhe si një bari i mirë shkoi t'i gjente dhe t'u sillte dritën e Krishtit”, thotë prifti, për të cilin mesazhi më i rëndësishëm i Papës është ai për paqen në një kohë luftërash vëllavrasëse. Papa na tha se paqja nuk është një arritje e thjeshtë, por një dhuratë nga Zoti. Ai tha se për të fituar vëllanë tonë, për të fituar paqen me të tjerët, është e nevojshme të bëjmë njëfarë kompromisi.”

At Paolo Cortesi mban gjithashtu një kujtim të çmuar nga takimi i tij i vetëm me Papën, në të cilin udhëheqësi shpirtëror i shtrëngoi dorën:

"Ishte në Rakovski, kur së bashku me të rinjtë nga Belene, personalisht ia dhuruam Papa Françeskut ikonën me katër martirët bullgarë, Imzot Evgeni Bosillkov dhe Etërit Pavell, Kamen dhe Jozafat. Bëmë një bisedë të shpejtë dhe ai u gëzua shumë. Unë do ta mbaj përgjithmonë këtë kujtim në zemrën time kur i vendosa në duart e tij imazhet e martirëve bullgarë.”


“Papa Françesku ishte një person jashtëzakonisht i ndritur, një njeri i mrekullueshëm. Ai ishte i interesuar për të gjitha problemet tona, gjithçka që lidhej me Bullgarinë dhe këtë e ndjenin bashkatdhetarët tanë”, tha për Radion Kombëtare Bullgare Imzot Strahill Kavalenov, peshkop i Dioqezës Katolike të Nikopolit. Pikërisht ai u delegua të përfaqësonte Kishën Katolike Bullgare gjatë funeralit të Papës.

Para se të ndahej me popullin bullgar dhe të nisej për në Maqedoninë e Veriut, Papa Françesku dërgoi gjithashtu një mesazh paqeje nga "Jeruzalemi i Vogël" - hapësira e mbyllur midis kishës ortodokse dhe asaj katolike, midis sinagogës dhe xhamisë në kryeqytetin bullgar. Më pas, Iva Mihajllova, zëdhënëse e Kishës Katolike në Bullgari, tha se Papa Françesku ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të vizituar sërish vendin tonë.


Prifti nga Belene beson se Papa i ardhshëm do të vazhdojë punën e paraardhësit të tij.

“Në parim, Fryma e Shenjtë dhe Zoti e vazhdojnë veprën si nëpërmjet papëve, ashtu edhe nëpërmjet të gjithë neve”, shton At Paolo Cortesi. "Ai ndoshta do të marrë diçka (nga Papa Françesku - red.), por si çdo papë, do të na befasojë me stilin e tij, ose me disa drejtime. Shpresoj se do të jetë një person i jashtëzakonshëm si krerët e fundit të kishës katolike. Jam rritur me Papa Gjon Palin II, pastaj me Benediktin XVI, më parë ka qenë Papa bullgar Roncalli (Gjon XXIII ) dhe Papa Pali VI - të gjithë ata meritojnë të dëgjohen jo vetëm nga ne katolikët, sepse i flasin mbarë botës dhe të gjithë njerëzve me vullnet të mirë”.

Në kishën Shën Kryeengjëlli Mihail, qyteti i Rakovskit

Kur dikush vdes, ne bullgarët themi “Zoti e faltë”. Mendoj se në këto raste mund të themi edhe Zoti e ringjalltë”, shton At Paolo Cortesi.

"Jemi në ditët e Ringjalljes - shpresojmë që Zoti do ta ringjallë Papa Françeskun dhe të gjithë besimtarët e vdekur dhe një ditë do të komunikojmë përsëri. Prandaj, le të kthehet trishtimi në gëzim dhe në një pritshmëri për ta parë përsëri Papën. Jemi në Vitin Jubilar të Shpresës, që është trashëgimia e tij e fundit. Ai na dhuroi këtë vit jubile dhe gjatë tij duhet të gëzohemi, sepse shpresa e krishterë na thotë se ne jemi të përjetshëm."


Ati i Shenjtë e udhëhiqte Kishën Katolike Romake për 12 vjet - një periudhë në të cilën ai vizitoi 67 vende në të gjitha kontinentet, përfshirë Bullgarinë. Në Pashkën e tij të fundit, ai doli përpara besimtarëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit i veshur me një omofor me kryqe ortodokse dhe një trëndafil bullgar (një vello, pjesë e veshjes së papës - red.), të marrë si dhuratë gjatë vizitës së tij në Bullgari.

Në testamentin e tij, Papa Françesku shpreh dëshirën për t'u varrosur në Katedralen “Santa Maria Maggiore” në Romë, ku ai lutej përpara ikonës së Virgjëreshës Mari me Krishtin Fëmijë para dhe pas udhëtimeve të tij jashtë vendit, si dhe gjatë çdo ngjarjeje të rëndësishme. Vendi është i shenjtë për çdo bullgar, sepse pikërisht në këtë bazilikë në vitin 868 Papa Adriani II shenjtëroi solemnisht alfabetin tonë dhe librat liturgjikë në gjuhën sllavo-bullgare të sjella nga vëllezërit e shenjtë Konstantin-Kirili dhe Metodi.

Lexoni më shumë nga arkivi ynë:

Ju ofrojmë disa nga momentet e vizitës së Papës Françesku në Bullgari në vitin 2019:

Foto: BТА, Gregorio Borgia/AP

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në Vraca do të prezantohet një film dokumentar për zbulimin e relikteve të Joan Pagëzorit

Këtë vit bëhen pesëmbëdhjetë vjet nga zbulimi i relikteve të Shën Joan Pagëzorit, Pararendësit, gjatë gërmimeve në ishullin Sozopoll nga një ekip i arkeologut Prof. Dr. Kazimir Popkonstantinov. Autenticiteti i zbulimit në mbetjet e manastirit mesjetar të..

botuar më 25-01-24 8.20.PD

Treguan monumentin më të vjetër cirilik të ruajtur në Bullgari

Shumë qytetarë përfituan nga mundësia për të parë Dorëshkrimin Eninski dhe Triodin e Argirovit, të cilat u ekspozuan sot, më 20 janar, për dy orë në Bibliotekën Kombëtare “Shenjtor Kirill dhe Metodij”. Ngjarja u zhvillua me rastin e 1170 vjetorit të..

botuar më 25-01-20 4.44.MD

Dita e Shën Athanasit (Athanasovden) - midis krishterimit, riteve dhe besimeve

Dita e Athanasit, e quajtur edhe "mesdimri" në kalendarin popullor bullgar, është një festë në të cilën Kisha Ortodokse dhe traditat tona folklorike nderojnë Shën Athanasin e Madh – kryepeshkop të Aleksandrisë dhe luftëtarit kundër Arianizmit - një..

botuar më 25-01-18 5.55.PD