Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Ambasadori i BE-së në Shkup bëri gërmimin e parë për një pikë të re kufitare



Filloi puna për ndërtimin e pikës kufitare Markova Noga – Lemos midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e financuar nga BE-ja. Projekti u prezantua në komunën greke të Lemosit. Në ngjarje morën pjesë ministrat e brendshëm të të dy vendeve, Pançe Toshkovski dhe Theodoros Livanios, si dhe Ambasadori evropian në Shkup, Mihalis Rokas, raportoi MIA.



Me pikën e re kufitare, koha e udhëtimit midis Resenit dhe Lemosit do të ulet nga mbi 2 orë, në 40 minuta, gjë që do të mundësojë mobilitet më të madh ndërkufitar, shkëmbim më të fuqishëm ekonomik dhe kulturor, si dhe zhvillim të turizmit rajonal në zonën e Liqeneve të Prespës. Pika kufitare do të jetë e destinuar për automjete dhe mjete që transportojnë jo më shumë se 10 persona, por jo për kamionë dhe autobusë, për të mbrojtur ambientin natyror të ndjeshëm në këtë zonë.

Hapet për qarkullim ura e varur më e gjatë në Rumani 



Ura e Transilvanisë mbi lumin Someș – ura e varur më e gjatë në Rumani – u inaugurua në Satu Mare. Kryetari i qytetit, Gábor Kereskényi, deklaroi në ceremoni se Ura e Transilvanisë është më shumë se një ndërtim. "Ajo është një simbol i ri i qytetit, një mrekulli e inxhinierisë dhe një atraksion ekonomik për të gjithë qytetin, një projekt që do të mbetet në kujtesën e brezave të ardhshëm," tha kryetari. Projekti ndërtimor me vlerë mbi 200 milionë lei rumune është investimi publik më i madh në vend për 30 vitet e fundit. E ndërtuar për 5 vjet, ura me katër korsi, 644 metra e gjatë, është një nga projektet infrastrukturore më komplekse dhe ambicioze në Rumani. Me dizajn në formën e një harpe, ajo mbështetet nga dy shtylla 73 metra të larta dhe 56 kabllo çeliku. Ndërtimi peshon 227 ton dhe ka një kapacitet mbajtës mbi 12 000 ton.

Presidenti serb deklaroi se zgjedhje në vend do të ketë "kur të vijë koha" 

Aleksandar Vučić

Anëtarë të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve kërkojnë dorëheqjen e presidentit serb Aleksandar Vučić. "U bëmë dëshmitarë të shembjes së procesit zgjedhor përmes manipulimit të listave të votuesve, blerjes së votave dhe keqpërdorimit të burimeve shtetërore", thonë anëtarët e Akademisë. Ata theksojnë gjithashtu shtypjen e lirisë së medias. "Me uzurpimin e frekuencave kombëtare dhe shndërrimin e televizionit publik në një instrument propagandistik të pushtetit, u bëmë dëshmitarë të shkatërrimit të shtyllave kryesore shoqërore – arsimit, shëndetësisë, shkencës, kulturës dhe artit", thuhet më tej në motivet, raportoi BGNES.

Ndërkohë, në një fjalim drejtuar kombit, Vučić deklaroi se "revolucioni me ngjyra" në vend ka hyrë në një rrugë pa dalje, dhe se zgjedhje do të ketë, "kur të vijë koha".

Drejtoria turke për çështje fetare (Diyaneti) do të vendosë cilat përkthime të Kuranit janë dogmatikisht të sakta



Në prag të festës myslimane të Kurban Bajramit, parlamenti turk miratoi ndryshime ligjore. Me to, Drejtoria për Çështjet Fetare (Diyanet) do të censurojë dhe konfiskojë përkthimet e Kuranit që i konsideron "kontestuese në lidhje me karakteristikat themelore të islamit", raportoi turkiyetoday.com.

Diyaneti do të ketë të drejtë të shqyrtojë përkthime të Kuranit në gjuhën turke me iniciativën e vet ose me kërkesë të individëve privatë. Nëse konstatohet se përkthimi është "kontestues për karakteristikat themelore të islamit", institucioni do të ketë të drejtë t’i drejtohet autoriteteve shtetërore për të ndaluar shtypjen, për të shkatërruar tirazhin, për të konfiskuar ose ndaluar shpërndarjen e përkthimit, madje edhe në internet.

Por ekspertët shqetësohen se nuk ka kritere të qarta për të përcaktuar nëse një përkthim është "kontestues".

Greqia dhe Egjipti janë në mosmarrëveshje për Manastirin e Sinait, ku Zoti foli me Moisiun



Mosmarrëveshjet midis Greqisë dhe Egjiptit për të ardhmen e manastirit ortodoks "Shën Ekaterina" në Sinai mbeten pas një takimi në Kajro ndërmjet delegacioneve të të dy vendeve, raportoi televizioni skai.gr. Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, i ka deklaruar homologut të tij grek, Giorgos Gerapetritis, se karakteri shpirtëror dhe fetar i manastirit do të ruhet. Por kjo nuk e zgjidh problemin e statusit të manastirit, që gjykata egjiptiane e ka shpallur pronë shtetërore. Sipas Athinës, kjo bie ndesh me marrëveshjet ndërmjet kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sisi që çështja gjyqësore të zgjidhet me marrëveshje jashtëgjyqësore.

Manastiri i Sinait, mbi të cilin ende valon flamuri i Bizantit, është nën mbrojtjen e UNESCO-s si trashëgimi kulturore botërore.

Përpiloi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: mia.mk, emagazin.mk, bucharestdailynews.com, turkiyetoday.com, globalorthodoxy.com

Më shumë nga rubrika

Georg Georgiev u takua me komunitetin bullgar në Uashington

“Roli juaj në zhvillimin e marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe Shteteve të Bashkuara është thelbësor. Është një nder për mua të jem midis jush në këtë festë veçanërisht të rëndësishme për Bullgarinë – Ditën e Trimërisë dhe Ditën e Ushtrisë Bullgare.” Me..

botuar më 25-05-08 8.59.PD
Kryeministri bullgar Rosen Zheljazkov

Kryeministri bullgar përgëzoi kancelarin e sapozgjedhur gjerman

Me përpjekje të koordinuara, ne vazhdojmë të punojmë për unitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian, thuhet në mesazhin e urimit të Kryeministrit Rosen Zheljazkov drejtuar Kancelarit të ri gjerman Friedrich Merz. Në urimin drejtuar..

botuar më 25-05-07 10.20.PD

Në Prishtinë, Zëvendëspresidentja Ilijana Jotova uroi ushtarakët bullgarë në Kosovë me rastin e 6 majit

Zëvendëspresidentja Ilijana Jotova uroi kontingjentin ushtarak bullgar nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) me rastin e Ditës së Trimërisë dhe festës së Ushtrisë Bullgare. Ajo mori pjesë në një ceremoni zyrtare në Prishtinë...

botuar më 25-05-06 5.59.MD