Muzeu Etnografik Kombëtar në Akademinë Bullgare të Shkencave prezanton ekspozitën e tij të re "Qielli Yjor – Mitologjia dhe Shkenca", e cila pasqyron njohuritë për Hapësirën nga antikiteti deri në ditët e sotme dhe shqyrton mitologjinë, besimet e lashta dhe njohuritë e thella për trupat qiellorë të shkrimtarëve tanë mesjetarë dhe inovacionet e shkencëtarëve modernë bullgarë, të cilët janë pak të njohur për publikun e gjerë, por kontribuojnë në zhvillimin e astronomisë në shkallë globale edhe sot. Instalacioni do të jetë i disponueshëm për vizitorët deri në maj 2027 dhe është një studim në shkallë të gjerë i paraqitur nga një ekip ndërdisiplinor, i cili, me ndihmën e teknologjisë së lartë, e zhyt shikuesin në përvoja të pasura shqisore.
Vetë ekspozita është e ndarë në tre pjesë. Ja se çfarë na tregoi asistenti kryesor dr. Ilija Vëlev:
"Pjesa e parë shqyrton historinë e njohurive astronomike në gjerësitë tona gjeografike. Seksioni "Observatorët e Lashtë" paraqet njohuritë e njerëzve të lashtë për qiellin yjor; vazhdon me burimet e para të shkruara; praktikat tradicionale për matjen e kohës dhe navigacionit; përfytyrimet për trupat qiellorë në tre fetë kryesore - Judaizmin, Krishterimin dhe Islamin dhe lidhjen e tyre me qiellin yjor. Përfundon me fillimin e edukimit aktual astronomik, zhvillimin e astronomisë në Bullgari, zbulimet shkencore të shkencëtarëve bullgarë, fluturimet e astronautëve tanë, dërgimin në hapësirë të këngës "Ka dalë Delju Hajduti" të interpretuar nga Valja Ballkanska dhe shumë pajisje moderne bullgare që janë në orbitë.
Pjesa e dytë shqyrton të gjitha objektet në qiellin yjor, fenomenet interesante dhe mënyrën se si i shpjegonin ato paraardhësit tanë. Prezantohen kometat, meteorët, planetët dhe hapësira e thellë. Pjesa e tretë është një planetarium i improvizuar - një sallë yjesh, në të cilën projektohet një film, i montuar posaçërisht për ekspozitën, i cili bën një retrospektivë nga vëzhgimet astronomike amatore nga toka, përmes teleskopëve profesionistë, për të arritur më në fund fluturimet hapësinore përtej gravitetit të Tokës.”
Ilija Vëlev është i bindur se ekspozitat nga koleksioni etnografik, siç janë bizhuteritë dhe objektet e përditshme që lidhen me imazhet e magjisë, do të jenë jashtëzakonisht interesante për vizitorët, pasi përveçse të bukura dhe kurioze, secila prej tyre ka historinë e vet që lidhet me imazhet e objekteve qiellore.
Në ekspozitë mund të shihen: pajisja e përdorur për të zbuluar planetin xhuxh Pluton, kostumi hapësinor i kozmonautit të parë bullgar Georgi Ivanov; mund të dëgjohen disqet e arta direkt nga faqja e internetit e NASA-s; të shikohet serra e parë hapësinore në botë – vepër e shkencëtarëve bullgarë; të mësojmë se Bullgaria renditet e treta në botë për prodhimin e ushqimit hapësinor, si dhe të vëzhgohen imazhe të trupave qiellorë – sikur përmes një dritareje anijeje kozmike. Sipas Dr. Vëlev, është gjithashtu mirë të shihet një pajisje unike – planetariumi i parë për vendin tonë, i cili u ndërtua në vitin 1962 në Dimitrovgrad. Dr. Valev vazhdon:
"Do të doja të tërhiqja vëmendjen te modeli i radioteleskopit të parë të sapo ndërtuar në vendin tonë, i cili së shpejti do të vendoset pranë Observatorit në Rozhen.
Ne kemi pajisje interesante, të cilat tregojnë lëvizjen e planetëve rreth Diellit ose demonstrojnë në një mënyrë shumë interesante lëvizjen e Hënës në lidhje me Tokën dhe të Tokës me Hënën në lidhje me Diellin - ato vizualizojnë shumë mirë se si ndodhin eklipset hënore dhe diellore. Radioja Kombëtare Bullgare na siguroi zërin e Elisaveta Bagrjanës (poeteshë e njohur bullgare) , e cila është një nga të paktët njerëz të famshëm që e ka parë Kometën e Halejit dy herë në jetën e saj. Ajo i kushton tre nga poezitë e saj kësaj komete, të cilat u regjistruan nga Fondi i Artë i Radios Kombëtare Bullgare dhe tani mund të dëgjohen nga vizitorët tanë këtu", thotë Dr. Vëlev. Dhe ekspozita, si shumica e projekteve të muzeut, është përkthyer në anglisht që të jetë e arritshme për turistët e huaj, të cilët përbëjnë gjysmën e vizitorëve.
Planifikojmë të krijojmë programe të veçanta edukative dhe leksione të hapura për të gjithë audiencën - nxënës shkolle, studentë dhe të rritur.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: Desisllava Shapkarova, Maria Bojaxhieva, Muzeu Etnografik Kombëtar
Video: Desisllava Shapkarova
Në vitin 2021, “Rruga e Kirillit dhe Metodij” shndërrohet në njërën nga 48 rrugët kulturore evropiane, dhe tradita shkrimore, kulturore dhe fetare kirillo-metodievske merr njohjen e radhës si pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore të Kontinentit të..
Natalija Stajkova është mësuese e shkollës fillore. Ajo është nga ata mësues për të cilët puna me fëmijë nuk është vetëm një profesion, por një mision. Natalija Stajkova thotë se fëmijët i japin forcë dhe energji. Ajo investon tërë shpirtin dhe zemrën e..
Gjimnazi në qytetin serb Caribrod ka një histori 134-vjeçare. Është themeluar që në vitin 1891, kur qyteti ka qenë brenda kufijve të Bullgarisë, sot ai vazhdon aktivitetin e tij, duke i dhënë njohuri fëmijëve si me prejardhje bullgare, ashtu edhe me..
30 vjet më vonë sërish në shtëpi! Pikërisht kjo po ndodh me trupën e ansamblit më të vjetër bullgar folklorik në Amerikën Veriore, "At Paisij", pranë..