Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Udhëtari Martin Grahovski për Bullgarinë si pikënisje drejt botës

Foto: Facebook /Martin Grahovski

Udhëtar, aventurier, dokumentarist dhe studiues i shoqërive dhe kulturave të vogla që kanë ruajtur ngjyrat e tyre në sfondin e një bote gjithnjë e më të globalizuar dhe nën diktatin e teknologjisë së lartë – ky është Martin Grahovski, i cili, për shkak të rrethanave familjare, që në moshë të vogël bëhet shtetas kanadez dhe kalon pjesën më të madhe të jetës së tij në Amerikën e Veriut. Por kuptimin e vërtetë të fjalës "atdhe", ai e kupton sa herë që kthehet në Bullgari.

Atdheu nuk është vetëm shtëpia e prindërve të tij në Sevlievo. Atdheu janë edhe të gjithë bullgarët e larmishëm që ai takon në festa popullore dhe festivale. Sot Martin Grahovski është i diplomuar në të drejtën ndërkombëtare dhe, ndonëse nuk e ndajnë më shumë se 15 vjet nga fëmijëria, ai tashmë ka udhëtuar në pothuajse gjysmën e botës.
Japoni
Ai thotë se ndjen kinemanë dhe fotografinë si prirjen e tij dhe nuk beson se një ditë do të punojë në një zyrë avokatie me diplomën e tij të drejtësisë. Prandaj, që në kohën kur ishte student, vendosi të sigurojë një tjetër angazhim më kreativ dhe u lidh me kompani ndërkombëtare dhe organizata joqeveritare. Me ndihmën e tyre, ai arriti të realizojë edhe udhëtimin e tij të parë më të largët – në Japoni dhe Nepal.

“Tema e diplomës sime ishte trafiku i qenieve njerëzore, dhe kjo është një temë për të cilën tashmë nuk flitet fare në Japoni, megjithëse problemi ekzistonte në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Rastisi që një kompani ajrore hapi një fluturim për në Japoni, ishte me çmime të përballueshme dhe unë u nisa për të kaluar dy muaj në botën e nëndheshme të Tokios. Bëra intervista edhe me gazetarë që punonin në fshehtësi. U takova me ish-anëtarë të mafias japoneze, me vajza që kishin ikur nga industria e seksit. Papritur u gjenda i përfshirë në një kërkim për një temë serioze. Unë vetë u dashurova me atë shtet dhe çdo moment të lirë e përdorja për të xhiruar atje.”

Çfarë kërkon saktësisht gjatë udhëtimeve të tij të gjata dhe emocionuese? – për këtë pyetje, Martin tashmë e ka një përgjigje. Ai dëshiron të bëjë një krahasim midis moralit, vlerave dhe normave në shoqëri në dukje shumë të ndryshme, të cilat i vështron përmes syrit të kamerës. “Nga një shtet në tjetrin ka dallime të mëdha, po ashtu edhe midis kryeqytetit dhe një fshati të vogël” – na shpjegon ai:
Kirgistan
“Një shembull për këtë është Kirgistani – është një përzierje midis Zvicrës, Norvegjisë dhe Mongolisë – ka peizazhe jashtëzakonisht të bukura. Herën e dytë që u ktheva në Kirgistan, vizitova një qytet të vjetër minator, Engilçek, me rreth 20-30 familje. Në atë vend ndihesh sikur je në Mars – ka kryesisht shtëpi të braktisura mbi një shkretëtirë me rërë dhe shkëmbinj përreth. Për të arritur në qytetin më të afërt të banuar, duhet të udhëtosh mbi 10 orë dhe të kalosh një kalim malor mbi 6 mijë metra – ndihesh i shkëputur nga bota. Kur arrita atje, pashë që ky fshat ishte plot me fëmijë – një vend shumë i gjallë. U mblodhën rreth 30-40 fëmijë që donin të na shëtisnin dhe të na tregonin fshatin. Këta njerëz nuk janë mësuar të shohin turistë – është shumë e rrallë të kalojë ndonjë. Por lidhja mes tyre është e mrekullueshme. Aty njerëzit besojnë se ekzistojnë forca të padukshme që i ndihmojnë të mbeten të fortë dhe të bashkuar për të mbijetuar në natyrën e ashpër.”

Këtë besim të fortë tek njerëzit – se do të jenë mirë vetëm nëse i përkasin një komuniteti të bashkuar dhe shpirtërisht tërheqës – Martin Grahovski e zbulon edhe në Bullgari. Pas një udhëtimi të gjatë në vende ekzotike, Martin kupton se ka shumë gjëra që dëshiron t’ia tregojë botës nga Bullgaria. Kështu lindi edhe seria e tij me reklama promovuese “3 minuta Bullgari”, dedikuar folklorit, traditave, vendeve të bukura dhe mbi të gjitha njerëzve të zakonshëm të vendit tonë.

Ndërsa videoja magjepsëse “Për Sofjen, me dashuri”, e kushtuar kryeqytetit tonë si destinacion turistik, i sjell atij një nga çmimet më prestigjioze të turizmit në Evropë.

“E kuptova që nuk i kisha kushtuar mjaft kohë Bullgarisë. Prandaj, në moshën 23-vjeçare u ktheva këtu dhe tani nuk kam më asnjë qëllim për t’u larguar. Bullgaria është tashmë baza ime fillestare për udhëtime të reja e më të largëta” – rrëfen Martin Grahovski.

"Arsyeja e vërtetë pse mbeta në Bullgari ishte Shkolla Kombëtare për Artet Folklorike në Shiroka Llëka. Kur mësuan se po vija, në shkollë më organizuan një koncert privat dhe të gjithë fëmijët u ngjitën në skenë. Ky takim me talentet atje më bëri të mos largohem më nga Bullgaria. Që nga ajo ditë, e kam kaluar kohën time në kërkim të traditave që po zhduken, zanateve dhe, përgjithësisht, trashëgimisë së popullit tonë, dhe kjo ruhet në shumë vende të Bullgarisë. Një nga shembujt më të dukshëm është fshati Dollna Sekirna, ku xhirova një film dokumentar për grupin e Survakarëve në fshat. Me ta pimë rakia dhe diskutonim për jetën. Takova edhe gjyshe Stankën, një grua 95-vjeçare që nuk kishte shkuar kurrë në shkollë, por kishte punuar shumë dhe më befasoi me mendimet e saj të qarta dhe shumë të thella. Në intervistën e saj e pyeta pse është e rëndësishme që një traditë kaq e vjetër si zakoni i Survas të vazhdojë të ekzistojë? Dhe në përgjigjen e saj dëgjova arsyeja më të rëndësishme – që të rinjtë duhet të shohin në çfarë kanë besuar njerëzit para tyre dhe ta kalojnë atë më tej."

Këtë ndjesi të forcës së traditave, që lidh bullgarët kudo që ndodhen, Martini e ndjen kudo në Bullgari. "Ne kemi një fat të madh, sepse në territorin tonë ekziston ndjesia e rrënjëve të përbashkëta. Kjo është diçka që tashmë mungon në shumë vende të Evropës, nuk ekziston më" – vazhdon të tregojë fotografi i ri.

“Takimet me traditat bullgare më prekin thellë në shpirt, është diçka e koduar brenda meje, që më bëri të kthehem në Bullgari.”

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Facebook /Martin Grahovski, YouTube /Martin - Documentary Filmmaker, madepro.bg



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Xhonatan Angellov

Bullgari nga Parisi, Xhonatan Angellov – Është jeta një përrallë dhe cila është morali prej saj?

Ju pëlqejnë përrallat? Cila është e fundit që keni lexuar dhe sa ngjashmëri keni gjetur me jetën tuaj deri tani? Megjithëse shumë njerëz e konsiderojnë këtë zhanër letrar më tepër si diçka për fëmijë, përrallat janë burim i shumë mësimeve dhe..

botuar më 25-07-29 4.30.MD

Mediat moderne në sytë e bullgarit Veselin Vaçkov nga Çekia

Nëse duhet të veçojmë tiparet që e dallojnë një bullgar të suksesshëm në Evropën Qendrore, në asnjë mënyrë nuk do të ishte ndonjë biznesmen i madh që shfaqet me një makinë të shtrenjtë dhe një sërë suksesesh materiale. Përkundrazi, imazhi i bullgarit të..

botuar më 25-07-27 10.00.PD
Monika Evstatieva

Rruga e një bullgareje në radion publike të SHBA-së

Monika Evstatieva është gazetare që punon si producente në departamentin e hetimeve në radion publike amerikane NPR. Ajo ka lindur në Sofje dhe, kur ishte e vogël, ëndërronte të merrej me reklamë, por puna e saj në një radio në Blagoevgrad i ndezi..

botuar më 25-07-22 7.30.PD