Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Rruga e një bullgareje në radion publike të SHBA-së

Monika Evstatieva
Foto: BTA

Monika Evstatieva është gazetare që punon si producente në departamentin e hetimeve në radion publike amerikane NPR. Ajo ka lindur në Sofje dhe, kur ishte e vogël, ëndërronte të merrej me reklamë, por puna e saj në një radio në Blagoevgrad i ndezi pasionin për gazetarinë. Ajo studion standardet e profesionit në Universitetin Amerikan në Blagoevgrad, e më pas në Uashington, pas së cilës, si praktikante, arrin të bëhet pjesë e ekipit të radios publike amerikane. Pak veta në botën e sotme, që ndryshon me kaq vrull, arrijnë të qëndrojnë në të njëjtin vend pune për plot 19 vjet, por bullgarja gjen arsye për këtë zgjedhje të qëndrueshme në dinamikën e profesionit dhe në ekipin e mirë, ku Monika është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme.

“E bukura e një medieje të madhe – megjithëse e jona nuk është më e madhja, rreth 1000 vetë punojnë në newsroom – është se unë vazhdimisht e ndërroj departamentin ku punoj. Kështu krijon iluzionin se po punon në shumë vende të ndryshme, por në të vërtetë je në të njëjtin. Kam filluar në një emision, në një pozicion, pastaj kalova në një tjetër, dhe më pas fillova të udhëtoj jashtë vendit si producente,” – rrëfen Monika Evstatieva në një intervistë për Radio Bullgarinë dhe zbulon një veçori interesante të punës në mediat amerikane:

“Tek ne, producentët dhe korrespondentët shumë shpesh bëjnë të njëjtën gjë, sepse përgatisim gjithçka. Ne jemi ata që vendosim se ku do të shkojmë, me kë do të flasim dhe përkatësisht e organizojmë, ndërsa prezantuesi më pas vjen dhe regjistron intervistat. Mua më pëlqen shumë të jem producente, sepse si e tillë kam shumë liri për të vendosur çfarë të bëj. Dhe, nga ana tjetër, jemi pak të pazëvendësueshëm – pa ne nuk mund të përfundojë asgjë, dhe për këtë jam e sigurt se gjithmonë do të kem punë,” – thotë me buzëqeshje bullgarja.

"Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që të jesh një producent i vërtetë, të dish si të 'shkruash me zërin e prezantuesit', shpjegon Monika Evstatieva.

Në departamentin e hetimeve të radios publike amerikane, përgatitja, zhvillimi dhe vetë procesi i krijimit dhe publikimit të një materiali ndonjëherë merr muaj, madje vite. Megjithatë, puna ia vlen, dhe Monika zakonisht punon me 3-4 tema njëkohësisht:

"Tre të fundit që kam bërë janë jashtëzakonisht të ndryshme – njëra është për luftëtarët e Shtetit Islamik, që tani ndodhen në kampet në veri të Sirisë. Kemi bërë një hetim dhe kemi parë se çfarë ndodh me fëmijët që janë lindur atje. Një hetim tjetër që po punoj është i lidhur me Afganistanin – çfarë ndodh kur aleatët, me të cilët ke qenë për 20 vjet, të tradhtojnë papritur. Para pak kohësh përfundoi një program që ndihmonte afganët, të cilët u strehuan në SHBA, për t'u mbrojtur nga deportimi. Mund të ndodhë që, nëse ata kthehen në Afganistan, talibanët t'i kapin dhe t'i vrasin. Tema e tretë ka të bëjë me gjyqtarët në SHBA."

Megjithatë, procesi i përgatitjes së një hetimi gazetaresk ka disa faza përpara se të arrijë te publiku.

"Procesi im i punës nuk përfundon me shkrimin e reportazhit – vazhdon Monika. – Më pas, nëntë persona të ndryshëm e lexojnë atë. Së pari janë redaktorët, pastaj ata që merren me etikën dhe standardet, pastaj e lexojnë avokatët – kalon përmes kaq shumë njerëzve sa gjithçka gjithmonë është shumë e verifikuar."

Lufta kundër lajmeve të rreme, në secilën prej të cilave gjithmonë ka një pjesë të vërtetë, është një tjetër sfidë serioze për Monikën, e me të cilën ajo përballet çdo ditë. Ka një model të punës që ndihmon për orientimin në informacion – ta shohim çdo lajm të tillë si një puzzle:

"Kur vendos pjesë të një puzzle njëra mbi tjetrën, krijon një kullë dhe fillon hetimin. Heq çdo copë dhe thua se kjo është gabim sepse është nxjerrë jashtë konteksti, dhe kjo është gabim sepse është nxjerrë nga një kontekst tjetër dhe ja ku arrijmë në pjesën e vetme të informacionit që është e vërtetë dhe gjithçka tjetër është formuar rreth saj."

Në botën dinamike profesionale, në të cilën Monika ka jetuar për gati dy dekada, ajo rrallë takon bashkëatdhetarë – përveç dy personave, ajo nuk njeh pothuajse asnjë koleg bullgar në SHBA.

"Do të doja shumë që në të ardhmen të kishte më shumë bullgarë. Të punosh si gazetar jashtë, në një gjuhë të huaj, është shumë e vështirë, nëse nuk e nis si shumë i ri. Kur tashmë je një gazetar i formuar në Bullgari, është shumë më e vështirë të depërtosh."

Sot, Monika Evstatieva është e lumtur me realizimin e saj profesional – "Asnjë ditë në gazetari nuk është si e para dhe kurrë nuk është e mërzitshme – pak njerëz mund të thonë këtë për profesionin e tyre."

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: arkiva personale Monika Evstatieva, BTA


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Kalina Tomova

Nga Akademia Bullgare e Shkencave në Kembrixh dhe Regensburg – talenti ynë i ri në muzikologji Kalina Tomova

Kalina Tomova, e lindur më 24 maj, është një nga muzikologet më aktive dhe të suksesshme të reja në Evropë. Që në moshë shumë të vogël, Kalina shfaqi talentin e saj muzikor – luante në piano, këndonte në Korin e Fëmijëve të Radios Kombëtare Bullgare...

botuar më 25-07-09 7.30.PD

Udhëtari Martin Grahovski për Bullgarinë si pikënisje drejt botës

Udhëtar, aventurier, dokumentarist dhe studiues i shoqërive dhe kulturave të vogla që kanë ruajtur ngjyrat e tyre në sfondin e një bote gjithnjë e më të globalizuar dhe nën diktatin e teknologjisë së lartë – ky është Martin Grahovski, i cili, për shkak..

botuar më 25-07-04 8.30.PD
Galina Këneva (djathtas) me ekipin

Galina Këneva nga Parisi: Kur njeriu gjen Kishën, gjen edhe kuptimin e jetës

U takuam me Galina Kënevën gjatë vizitës së ekipit të transmetimit "Ura e besimit" në komunitetin kishtar ortodoks bullgar "Shën Patriku Evtimij i Tërnovos" në Paris. Galina është anëtare e këshillit kishtar pranë kishës dhe një nga ndihmëset më..

botuar më 25-06-25 8.05.MD