Historia e kishës më të madhe të periudhës së Rilindjes Kombëtare Bullgare – “Fjetja e Shën Mërisë” në qytetin Pazarxhik – është e gjatë dhe interesante. Supozohet se kisha e parë në këtë vend u ndërtua në shekullin XVII. Ajo u shkatërrua disa herë, dhe në vitin 1834 një zjarr i madh dogji shumë shtëpi dhe kishën prej druri. Kjo humbje e rëndë nuk e dëshpëroi popullsinë bullgare të qytetit – përkundrazi, njerëzit filluan të mbledhin fonde dhe dhurime për rindërtimin e tempullit. Dhe kështu, duke u ringjallur për herë të pestë në vitet 1836–1837, sot ajo ngrihet krenarisht, me shtatin e saj prej guri,përballë sfidave të kohës dhe rrjedhës së historisë, duke pritur çdo ditë qindra besimtarë.
“Kisha është jashtëzakonisht e çmuar dhe vlera e saj nuk qëndron vetëm në madhësinë, por në historinë e saj – në faktin që ajo ekziston në këtë vend prej disa shekujsh si një qendër e frymës bullgare, e besimit dhe e shpirtit të popullit tonë – thotë Përfaqësuesi kishtar i Kryepeshkopatës për rrethin shpirtëror të Pazarxhikut, at Bojan Koçev. – Për bullgarin e asaj kohe ishte e paimagjinueshme të jetonte në një vend ku nuk kishte shtëpi të Zotit. Bullgarët, paraardhësit tanë, menjëherë pas djegies së shtëpive të tyre filluan të ndërtojnë edhe kishën. Ky është një tempull i vuajtur. Ata madje vunë peng pronat e tyre, gjithçka që kishin, për të marrë hua – kredinë më të madhe deri atëherë, prej dhjetëra mijëra florinjsh, nga Banka e Vjenës.”
Gojë më gojë përcillet një legjendë për mënyrën se si bullgarët arritën të ndërtonin një kishë kaq të madhe. Autoritetet osmane kishin kufizuar përmasat e kishës së re në ato të asaj që ishte djegur, e cila megjithatë nuk i përmbushte nevojat e popullsisë bullgare. Atëherë banorët e Pazarxhikut treguan zgjuarsi dhe kërkuan nga pushteti osman leje për të ndërtuar një kishë me përmasat e një lëkure bualli. Më pas, ata e prenë lëkurën në shirita të hollë dhe me to rrethuan hapësirën ku do të ndërtohej kisha. Osmanët e pranuan mençurinë e bullgarëve dhe kisha u ndërtuanë po ato përmasa.
Ajo që bie më shumë në sy në këtë kishë është ikonostasi i gdhendur në dru arre – shumë preciz dhe i bukur. Përmasat janë mbresëlënëse – 20,40 x 6 metra, me një sipërfaqe prej mbi 120 metra katrorë.
“Është punuar për disa vite nga mjeshtrit e Shkollës së Gdhendjes Debërska – tregon ati Bojan në një intervistë të veçantë për Radio Bullgaria. – Ka një prani të madhe të botës shtazore dhe të bimëve të ndryshme, të cilat simbolizojnë Kopshtin e Edenit, për të na kujtuar se tashmë një kerubin me shpatë të zjarrtë nuk qëndron më te porta e tij, por rruga drejt tij është e hapur. Po ashtu, ikonostasi është jashtëzakonisht i ngarkuar me skena biblike si nga Dhiata e Vjetër, ashtu edhe nga ajo e Re. Nëse e shikoni më me vëmendje, do të shihni nën ikonat e Shën Mërisë miniatura të gdhendura në dru që paraqesin Hyrjen e Shën Mërisë në Tempull, Lindjen e Krishtit etj. Çdo gjë është në vendin e vet të saktë. Ikonostasi është vërtet një pasuri e paçmuar jo thjesht si vepër arti, por si ikonostas – pra si vendi ku janë vendosur ikonat, për të na kujtuar se jemi përkohësisht në tokë dhe se duhet të shkojmë në Kopshtin e Edenit që na pret.”
Janë skalitur me shumë detaje gjithashtu heruvimë, engjëj, profetë, zogj të ndryshëm, ujqër, luanë, madje edhe një elefant. Mes figurave të përkryera mund të shihen grifonë, sfinksa me krahë dhe dragonj – që simbolizojnë mbretërinë qiellore, ndryshe nga ajo tokësore që ne shohim. Nuk është rastësi që ikonostasi është shpallur si një arritje e jashtëzakonshme e gdhendjes në dru jo vetëm në Bullgari, por në të gjithë Gadishullin Ballkanik.
Zbukurimi kushtoi shtrenjtë dhe vazhdoi dekada të tëra pas ndërtimit të kishës. Paria e Pazarxhikut dhe këshilli i tempullit angazhuan mjeshtrit më të mirë gurpunues, ndërtues, gdhendës druri, ikonografë dhe skulptorë, ndërsa njerëzit e thjeshtë u përfshin jo vetëm me ndihmë financiare. Sakrificën e tyre vullnetare e kujton froni e peshkopit:
"Froni i kryepeshkopit është përbërë nga sende që njerëzit i sollën dhe i dhuruan Zotin – shpjegon bashkëbiseduesi ynë. – Këmbët e tij janë pjesë e një tryeze barok. Shtyllat që e mbajnë ishin pjesë e një krevati të madh barok me baldakin. Ne, njerëzit e sotëm, do t’i vlerësonim shumë për vlerën e tyre materiale, por vlera e tyre është shumëfish më e madhe për shkak se paraardhësit tanë i dhuruan për të zbukuruar kishën."
Në të vërtetë, kisha u ndërtua si katedrale peshkopate, dhe nuk është rastësi që mjeshtrit kanë vendosur gjithandej simbole të tillë – mitra klerikale mbi secilën nga dyert, shqiponja me dy koka në Dyert Mbretërore, si simbol i autoritetit peshkopal. "Në pjesën e sipërme, në altarin e shenjtë, në vetë strukturën është ndërtuar dhe ngritur froni peshkopal, gjë që tregon edhe një herë se në Pazarxhik gjithmonë ka pasur katedrale dhe prani episkopale – thekson at Bojan. – Hiri i peshkopit është autoriteti dhe hiri më i madh shpirtëror që mund të ketë në tokë, sepse peshkopët janë trashëgimtarët e shenjtë të apostujve."
Dhe një tjetër veçanti mund të shihet në kishën "Fjetja e Hyjlindëses" në qytetin e Pazarxhikut – ndoshta i vetmi në Bullgari varr i një peshkopi brenda në një kishë.
"Ky është varri i peshkopit Dionis, i cili shërbeu këtu deri në ndarjen e tij nga jeta në vitin 1825. Ai ishte një rilindës i madh dhe përkrahës i arsimit, i pari që nisi të shërbente në gjuhën bullgare dhe hapi edhe shkollën e parë laike në qytet. Kur e varrosën në kishë, u respektua tradita e lashtë që peshkopët të varrosen në pozicion ulur, në një varr të ndërtuar posaçërisht. Gjatë regjimit ateist, varri u përdhos, trupi u nxor dhe u fsheh, por kanë mbetur grimca të vogla prej tij, të cilat janë vendosur në varrin e sapo rindërtuar. Dallohet qartë vendi ku ishte vendosur për t'u ulur trupi i tij dhe tullat me të cilat është ndërtuar" – rrëfen atë Bojan.
Katedralja "Fjetja e Hyjlindëses" në Pazarxhik ka qenë gjithmonë qendër dhe vatër e të gjitha festimeve më të rëndësishme. Në festën e sotme të kishës, formohet radhë e gjatë me njerëz nga i gjithë qyteti, të cilët vijnë të përulen dhe të falënderojnë Hyjlindësen përpara ikonës së saj mrekullibërëse.
"Shën Mëria është burimi i pashtershëm i hirit hyjnor dhe i dashurisë së Nënës së Zotit, e cila ndihmon ata që e kërkojnë dhe e thërrasin. Ikona është dhuruar nga një familje në fillim të shekullit XX, e cila nuk kishte fëmijë dhe i ishte lutur asaj. Kur Ajo i bekoi me një fëmijë, ata ia dhuruan këtë ikonë kishës sonë. Deri në ditët e sotme, çdo të mërkurë shërbehet kanuni i lutjes drejtuar Hyjlindëses, ku gra që nuk mund të ngjizin fëmijë vijnë me bukë, e cila bekohet gjatë shërbesës dhe shpërndahet. Kemi shumë raste kur, vitin tjetër, ato vijnë sërish – këtë herë për të falënderuar që u bekuan me fëmijë."
Është për të gëzuar që edhe sot e kësaj dite banorët e qytetit Pazarxhik e vlerësojnë tempullin, e njohin vlerën e tij, “sepse ai është i paçmueshëm – nuk mund të vendosim çmim as për kishën, as për ikonostasin, por pasuria e tij më e madhe është jeta shpirtërore që zhvillohet brenda tij” – përfundon Atë Bojani.
Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Desislava Semkovska, arkivi i Bojan Kochev, arhiereiskopz.com
Komuniteti bullgar në Kosovë është pak i njohur për opinionin publik në vendin tonë sot. Dritë mbi proceset historike që kanë ndikuar në këtë diasporë bullgare hedh botimi më i fundit i zgjeruar i librit "Komunitetet bullgare në Shqipëri dhe..
Tokat tona janë djep i qytetërimeve të lashta. Falë arkeologëve bullgarë, ato po bëhen të njohura për një auditor më të gjerë, tha kryeministri Rosen Zheljazkov gjatë prezantimit në Sofje të statujës së restauruar të një burri nga qyteti antik..
Në Muzeun Historik Rajonal të Gabrovos është ekspozuar një “copë letër” modeste drejtkëndëshe me përmasa 10 me 15 cm. Kjo është kartëmonedha e parë bullgare – një njësi prej njëzet levash me numër serial 000001. Është shtypur më 1 gusht 1885 në Shën..