Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ëndrra për të shkuar në Amerikë dhe për të pasur sukses vetë – historia e Kirill Zheljazkov

5
Foto: Arkivi personal i Kirill Zheljazkov



Historia dhe përvoja jetësore e piktorit Kirill Zheljazkov meritojnë vëmendjen e atyre njerëzve që kurrë nuk ndalojnë së ëndërruari. I lindur në Jamboll, Kirilli zbulon prirjet e tij artistike, falë një mësuesi të vizatimit, i cili këshillon prindërit e tij – shofer dhe llogaritar – të mendojnë seriozisht dhe ta dërgojnë fillimisht në një paralel me mësim të thelluar të vizatimit, e më pas edhe në gjimnazin artistik të Kazanllëkut:

“Prindërit e mi ishin kundër, sepse ende në moshën 13-14 vjeç duhej të jetoja me qira, në një qytet tjetër, por me këmbëngulje arrita të hyj i pari në gjimnazet e Kazanllëkut dhe të Slivenit, pas së cilës pesë vite studiova artet e bukura në Qytetin e trëndafilave. Pas kësaj aplikova në Akademinë e Arteve në Paris. Mbarova klasën e 12-të dhe për afro 9 muaj mësova frëngjisht, por pesë ditë para se të nisesha, më refuzuan vizën për arsye të panjohura. Ideja për Francën përfundoi dhe unë hyra për një vit në Fakultetin e Arteve Figurative të Universitetit të Veliko Tërnovos. Pas një viti aplikova në Sofje, më pranuan dhe fillova jetën time atje.”



Së shpejti megjithatë, duke vëzhguar zhvillimin e artit në vendin tonë, Kirilli vendos se do të dëshironte të provonte fatin e tij në SHBA. Në vitin 1997, e-mail-et dhe në përgjithësi qasja në internet ende ishin të rralla, por ai përfitoi nga vendi i punës së një miku të tij:

“Arritëm të dërgojmë një e-mail masiv në mbi 300 universitete në Amerikë, ku shkruhej: ‘Përshëndetje, unë jam Kirill Zheljazkov, piktor nga Bullgaria, dua të njihem me kushtet tuaja për të aplikuar potencialisht në institucionin përkatës’ – kujton sot bullgari. – Brenda dy-tre javësh ata filluan të dërgonin katalogë në adresën time në Jamboll. Unë ende nuk flisja anglisht, por një mik tjetër më ndihmoi të orientohem se ku mund të më jepnin ndonjë bursë.”



Ai zgjedh Kolegjin e Arteve “Savannah” në Xhorxhia /Savannah College of Art and Design/, ku bursa prej 15 000 dollarësh mbulonte rreth gjysmën e shkollimit. Përveç fotove të 32 veprave të tij, gjatë aplikimit kërkohej zotërimi i gjuhës angleze dhe dëshmi për 20 000 dollarë në llogari bankare personale. Meqenëse nuk plotësonte dy kushtet e fundit, Kirilli rrezikoi dhe dërgoi vetëm vizatimet e tij. Veprat aq shumë e impresionuan presidentin e kolegjit, saqë ai i dha bullgarit njërën nga vetëm gjashtë bursat presidenciale, të cilat mbulonin të gjithë shkollimin e tij atje, me të gjitha materialet e nevojshme, strehimin dhe ushqimin. E vetmja gjë që duhej të siguronte vetë ishin bileta e avionit dhe viza, e cila u shndërrua në një pengesë serioze tjetër. Arsyeja ishte se në ambasadë nuk i besuan se ishte piktor. U detyrua të shkonte për herë të dytë, për t’u paraqitur punonjësve edhe pikturat e tij:



“Më dhanë vizën dhe më 15 mars 1999 u nisa për kolegjin ‘Savannah’. E nisa jetën time këtu me 40 dollarë në xhep, dy këmisha dhe dy palë xhinse. Gjatë vitit të parë mësova tërësisht anglishten dhe fillova, edhe pse gjithçka ishte e mbuluar dhe nuk kisha nevojë për para, të fitoja të ardhura shtesë duke pikturuar portrete në një rrugë.”



Kështu Kirill Zheljazkov arrin të përfundojë shkallën bachelor për dy vjet – kohë gjatë së cilës ai njeh ambientin, merr pjesë në ekspozita të vogla në galeri lokale. Ai i përkushtohet artit modern, arrin të njihet me Christo Javachev–Christo dhe bashkëshorten e tij Jeanne-Claude. Edhe pse deri atëherë nuk e njihte krijimtarinë e avangardistit bullgar të njohur botërisht, disa biseda me Christon ndihmojnë që të lindë ideja për veprën më emblematike të Kirillit – “Hapi portokalli”.



Vepra përfaqëson një pikturë, e shtrirë në një sipërfaqe prej 400 metrash gjatësi dhe 6 metrash lartësi. Është e ndarë në 128 korniza, secila me lartësi 6 dhe gjerësi 3 metra. Sot Kirilli me kënaqësi tregon si është krijuar kjo vepër madhore – kthehet në Bullgari për dy vjet, mbyllet në një palestër shkollore në Jamboll, i pajisur me pesë ton bojë dhe një vinil special që i reziston të gjitha kushteve atmosferike, dhe fillon të krijojë:



“Ideja ishte që ekspozita të qëndronte e ekspozuar të paktën për një muaj jashtë, që do të thotë se mund të binte shi, të kishte diell, erë etj. Këto janë 128 korniza me lartësi 6 dhe gjerësi 3 metra, gjë që ende e bën atë ekspozitën më të madhe në botë, të krijuar në mënyrën e vet. U sfidova nga fakti se galeritë përcaktojnë nëse ti je piktor i suksesshëm, në varësi të faktit nëse ke ekspozitë në ndonjë sallë prestigjioze. Kjo më bezdiste, sepse dukej që gjithçka bëhej me lidhje. Prandaj unë pohoj, dhe e besoj edhe sot, se bota bëhet galeria ime, domethënë edhe po t’i ekspozoj pikturat para shtëpisë sime, unë jam njeriu që mund të thotë sa kam arritur.”



Ai e pagëzon projektin e tij “Hapi portokalli”, duke vendosur një gjurmë portokalli të shputës së tij në secilën prej kornizave. Dhe nëse pyesni pse pikërisht portokalli – thjesht kjo është ngjyra e preferuar e Kirill Zheljazkov. Vepra e tij ngjall bujë në parkun e qytetit të Jambollit – në hapjen e ekspozitës në vitin 2007 merr pjesë vetë presidenti Georgi Parvanov. Më pas ajo triumfon gjatë paraqitjeve në SHBA, ndër të cilat spikasin ato në qytetin Savannah dhe në Palm Beach, Florida, gjatë një turneu prestigjioz golfi.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Arkivi personal i Kirill Zheljazkov, Kiril Art Jeliazkov



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Me hapjen ndaj botës, bullgari po ndryshon kulturën e tij të të ushqyerit

Profesioni i kuzhinierit po bëhet gjithnjë e më prestigjioz, dhe njerëzit që merren me të duhet ta duan vërtetë, sepse orët e punës janë të shumta, ngarkesa dhe përgjegjësitë – gjithashtu. Mbrojtësi qiellor i kuzhinierëve është Shën Lorenci – një..

botuar më 25-08-10 8.00.PD
Alex Martinez me familjen e tij bullgare

Paraguaiani Alex Martinez gjen lumturinë e tij në Bullgari

Sipas një renditjeje të një kompanie britanike të sigurimeve, klientët e së cilës jetojnë kryesisht jashtë vendit të tyre, Bullgaria është në vendin e parë për njerëzit që duan të nisin jetën e tyre të re jashtë shtetit. Në renditjen e kompanisë, vendi..

botuar më 25-08-04 7.05.PD
Xhonatan Angellov

Bullgari nga Parisi, Xhonatan Angellov – Është jeta një përrallë dhe cila është morali prej saj?

Ju pëlqejnë përrallat? Cila është e fundit që keni lexuar dhe sa ngjashmëri keni gjetur me jetën tuaj deri tani? Megjithëse shumë njerëz e konsiderojnë këtë zhanër letrar më tepër si diçka për fëmijë, përrallat janë burim i shumë mësimeve dhe..

botuar më 25-07-29 4.30.MD