Në ditën e sotme, më 18 gusht, Kisha Ortodokse Bullgare kremton Fjetjen e Shën Joan Rillskit – mbrojtësit qiellor të Bullgarisë. Për bullgarët, ai është shenjti më i dashur, i nderuar jo vetëm brenda kufijve të vendit, por edhe jashtë tij. Ai lidhet ngushtë me Manastirin e Shenjtë të Rillës, të cilin e themeloi vetë dhe që sot ruan me përkushtim trashëgiminë dhe mësimet e tij, duke tërhequr pelegrinë nga e gjithë bota. Aty, në Manastirin e Rillës, përveç lipsaneve të shenjtorit eremit, ndodhet edhe ikona mrekullibërëse e Hyjlindëses Odigitria (Udhërrëfyesja) ose e njohur edhe si "Osenica", një nga reliktet më të vjetra të Kishës Bullgare. Ajo tregon udhën shpirtërore të besimtarëve dhe u jep forcë për të ecur në të.
Pikërisht përpara këtij imazhi të shenjtë ndriçues të Hyjlindëses, ikonografja Ekaterina Titova thellohet në reflektim mbi atë që i bashkon dhe trashëgon Kisha Ortodokse Bullgare dhe ajo Ruse, në planin shpirtëror, historik dhe ndriçues. Ndërsa hulumtonte për shenjtorët që mund të ishin të lidhur me njëri-tjetrin, ndodhi mrekullia – zbuloi një lidhje e fuqishme shpirtërore midis dy shenjtorëve me të njëjtin emër: Joan. Ata nuk i lidh vetëm data 19 tetor – dita e festës së Shën Joan Rillskit, që është njëherazi edhe dita e lindjes së Shën Joan Kronshtadskit – por edhe fuqia e Krishtit, nëpërmjet së cilës ata kryejnë mrekulli të mahnitshme. E frymëzuar nga kjo zbulim, ikonografja vendosi të krijojë një ikonë që i bashkon të dy shenjtorët: lutjen e Shën Joan Rillskit dhe Shën Joan Kronshtadskit përpara Hyjlindëses*.
"Mora si bazë ikonën mrekullibërëse të Shën Mërisë nga Manastiri i Rillës, me lipsanet e 32 shenjtorëve të krishterë përreth saj, sepse ajo është e pandashme nga Bullgaria, nga Shën Joan Rillski dhe është më pranë njerëzve. Dhe ja, të dy shenjtorët i luten asaj që t’u tregojë rrugën e shpëtimit të të krishterëve ortodoksë nga të dy vendet tona. Të dy luten përpara altarit, në Vendin e Shenjtë të të Shenjtëve. Nën figurën e Shën Joan Kronshtadskit qëndron mbishkrimi: "Dashuria është e duruar, dashuria është e mirë dhe nuk ka smirë ndaj askujt", ndërsa te Shën Joan Rillski: "O Zot, dua bukurinë e shtëpisë sate." Këto fjalë na bashkojnë – të jetojmë me dashuri: për Zotin, për Krishtin. Ata qëndrojnë bashkë, sepse Kisha jonë është një dhe e pandarë. Edhe pse në botë ka ndarje të shumta, ne mbetemi të bashkuar. Kur shenjtorë të tillë ndërmjetësojnë për ne, askush nuk mund të na ndajë. Ne jemi një – dhe kjo është lutja e përbashkët që bashkon të gjithë ata që besojnë në Krishtin."
“Lidhjet tona janë shekullore” – thekson Ekaterina Titova, duke vënë në pah kontributin e Bullgarisë – nga krijimi i alfabetit cirilik dhe librat kishtarë, deri te lidhjet shpirtërore dhe shenjtorët e përbashkët. “Shën Joan Kronshtadski ka jetuar në qytetin Kronshtat gjatë shekujve XIX–XX, ndërsa shenjtori i nderuar Joan Rillski ka jetuar në shekujt IX–X. Po, 10 shekuj janë një periudhë e madhe historike, por kjo lidhje është e pandashme për Shën Joan Kronshtadskin, i cili e nderon trashëgiminë e lënë nga Mrekullibërësi i Rillës te nxënësit e tij” – shpjegon piktorja e ikonave. Fijet e holla që lidhin dy shenjtorët janë të jashtëzakonshme. Shën Joan Kronshtadski lindi në një fshat të vogël në rajonin Arhangellsk. Dukej i dobët dhe i sëmurë, por u lind në ditën e festës së Shën Joan Rillskit, prandaj nëna e tij e pagëzoi me emrin Joan dhe i besoi shenjtit që ta mbronte.
Që nga i vogël ai e donte dhe nderonte shumë mbrojtësin e tij qiellor dhe, duke ndjekur shembullin e tij, dëshironte edhe vetë të bëhej oshënar. Ai shkroi edhe Akatistin kushtuar Shën Joan Rillskit. Megjithatë, rruga e tij shpirtërore nuk e çoi në një shkretëtirë të shkrehtë, por në Kronshtat, ku ndihmonte më të pambrojturit. Shpesh u jepte pallton dhe këpucët e tij të varfërve dhe kthehej i zhveshur e pa pallto në motin më të ftohtë. Për të ndihmuar nevojtarët, themeloi të ashtuquajturën "Shtëpi e punës së ndershme", ku 25 mijë veta fitonin bukën e gojës. Në ndërtesën ku krijoi këtë shtëpi kishte një spital falas dhe një kopsht për fëmijët e punëtorëve. Kishte gjithashtu një azil për jetimë, një strehë për të varfëritë, dhe kurse trajnimi për zanate të ndryshme.
“Desha që t’u transmetojmë njerëzve informacionin se me të vërtetë ekziston një shenjtor i tillë i Kronshtadit dhe sa njeri i jashtëzakonshëm dhe i drejtë ka qenë - shpjegon Ekaterina Titova. – Ai ka shëruar me lutjet e tij shumë njerëz në kohën para revolucionit. Figura të ndryshme mbretërore i kanë dërguar gjithashtu telegrame për ndërmjetësim lutjesh. Njëherë i erdhi telegram se trashëgimtari i fronit bullgar, Boris, ishte shumë i sëmurë. Familja mbretërore i kërkonte Shën Joan Kronshtadskit ndihmë për të ndërmjetësuar te Zoti për të sëmurin. Falë lutjeve të tij të zjarrta, Borisi u shërua shumë shpejt.”
Me besimin e tij të fortë dhe lutjet e zjarrta, ai ishte shembull për tufën e vet, e cila ishte shumë larg jetës së drejtë, por ai arriti të kthejë te Zoti shumë njerëz, që të shpëtoheshin shpirtrat e tyre. Shpesh u shpërndante nevojtarëve imazhe me figurën e Shën Joan Rillskit dhe, në nder të tij, themeloi manastirin “Shën Joan” në qytetin Shën Petersburg. Në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, manastiri u vizitua nga Patriku bullgar Maksim, i cili çoi atje një grimcë nga lipsanet e mbrojtësit qiellor të Bullgarisë. Në ditët tona, nderimi ndaj Shën Joan Kronshtadskit prej kohësh ka kaluar kufijtë e atdheut të tij – ashtu siç ka ndodhur edhe me nderimin ndaj Shën Joan Rillskit. Kjo sepse në Ortodoksi, shenjtorët nderohen nga të gjithë besimtarët dhe "nuk ka as hebre, as grek, as skllav", siç thotë Shën Apostull Pavli, sepse të gjithë janë një në Krishtin.
*Ikona me dy shenjtorët u pikturua për Kishën Ruse “Shën Nikollaj Çudibërësi i Mirlikisë” në Sofje, dhe mrekullia e parë në kontakt me të është tashmë fakt. Falë ndërmjetësimit me lutje të të dy shenjtorëve, një burrë i moshuar me pamjaftueshmëri kardiake e rifitoi shëndetin e tij.
Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Darina Grigorova, BTA, pravprihod.ru, ru.wikipedia.org, hramioann.ru
Historia e kishës më të madhe të periudhës së Rilindjes Kombëtare Bullgare – “Fjetja e Shën Mërisë” në qytetin Pazarxhik – është e gjatë dhe interesante. Supozohet se kisha e parë në këtë vend u ndërtua në shekullin XVII. Ajo u shkatërrua disa herë,..
Kisha "Lindja e Krishtit" është një nga kishat më të bukura në fshatin Arbanasi, i cili ndodhet vetëm 5 km larg qytetit Veliko Tërnovo. Ajo është një nga pak kishat e ruajtura nga fundi i shekullit të XVI dhe fillimi i shekullit të XVII në Bullgari...
Komuniteti bullgar në Kosovë është pak i njohur për opinionin publik në vendin tonë sot. Dritë mbi proceset historike që kanë ndikuar në këtë diasporë bullgare hedh botimi më i fundit i zgjeruar i librit "Komunitetet bullgare në Shqipëri dhe..