Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Një platformë e njohur italiane e udhëtimeve rekomandon ngrohtësisht Sofjen për në vjeshtë

Foto: Facebook/ Етюд-и-те на София

Klima e butë, ngjarje kulturore dhe mundësi për të njohur traditat vendase – këto janë vetëm disa nga arsyet pse vjeshta është koha më e përshtatshme për të vizituar Sofjen, raporton portali i njohur italian i udhëtimeve siviaggia.it, i cili së fundmi i kushtoi një artikull të gjerë kryeqytetit bullgar.

Sofja, kryeqyteti i Bullgarisë, është ndër ato qytete që dinë të befasojnë pa bujë të tepërt. Ajo nuk është një destinacion tipik "kartoline", dhe pikërisht në këtë qëndron edhe magjia e saj, sepse bashkon stile të ndryshme arkitekturore, rrugë të ngarkuara me histori dhe një atmosferë të gjallë që balancon mes shpirtit të Evropës Qendrore dhe ndikimeve orientale.

Dhe stina në të cilën qyteti shpalos më plotësisht magjinë e tij është, pa dyshim, vjeshta. Nga shtatori deri në nëntor, drita bëhet më e butë dhe më e ngrohtë, parqet vishen me nuanca të arta, dhe moti i këndshëm të fton të endesh nëpër rrugicat dhe sheshet e qytetit, të ndalesh në ndonjë kafene retro dhe të vëzhgosh jetën që rrjedh më ngadalë – shkruan autorja e artikullit, Flavia Cantini. Ajo shton se një tjetër pjesë e magjisë së Sofjes, gjatë kësaj periudhe, qëndron në mungesën e zhurmës dhe rrëmujës tipike të kulmit të verës.

Në shtator, temperaturat ditore zakonisht lëvizin nga 17 deri në 25°C, dhe drita kristalore u jep fotografive një efekt pothuajse pikturor. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të kombinuar turizmin kulturor me arratisje të shkurtra në natyrë, duke përfituar nga afërsia me malin Vitosha – vetëm disa kilometra larg nga qendra e qytetit, rekomandon autorja e shkrimit.

Lexoni më shumë për malin Vitosha: 

Temperatura të këndshme dhe më shumë kohë për shëtitje

Vjeshta në Sofje ju fton të ngadalësoni ritmin. Deri në mesin e tetorit, moti është i butë, bulevardet e rrethuara me pemë, oborret e fshehura dhe kupolat e arta të kishave ortodokse, ofrojnë një kënaqësi të vërtetë estetike. Përveç kësaj, mund të vizitoni në qetësi muzetë, galeritë dhe monumentet historike, pa radhët dhe turmat e zakonshme.

Në fund të tetorit, ajri bëhet më i freskët dhe më i pastër, ndërsa mëngjeset shpesh mbulohen nga një mjegull e lehtë, që i jep qytetit një atmosferë romantike, pothuajse përrallore. Nëntori sjell të ftohtit e parë të vërtetë, dhe herë pas here edhe borën e parë, duke e kthyer Sofjen në një destinacion më intim dhe të ngrohtë.

Stina më e mirë për ngjarje kulturore dhe kulinarie

Vjeshta në Sofje nuk është vetëm kohë për shëtitje në natyrë – është edhe sezoni kur kryeqyteti bullgar zgjohet me një program të pasur ngjarjesh kulturore dhe gastronomike në nivel ndërkombëtar. Veçanërisht nëntori është një muaj i mbushur me tundime kulinarie dhe festa të dedikuara ushqimit dhe traditave. Ekspozita si Salloni i Verës bashkon prodhues verërash nga gjithë rajoni, duke ofruar degustime dhe takime me ekspertë. Paralelisht me të, "Rruga e Qumështit" prezanton produktet e bulmetit – krenaria e kuzhinës bullgare, ndërsa Interfood & Drink sjell tendencat më të fundit gastronomike përmes stendave tematike, kuzhinave demonstrative dhe punëtorive praktike.

Këto ngjarje janë një mundësi e shkëlqyer për të shijuar specialitete tradicionale bullgare, si banica – një byrek i kripur me petë të holla dhe djathë, ose taratori – një supë e ftohtë me kos dhe kastravecë, të shoqëruara me verëra vendase që ende rrallë gjenden jashtë Bullgarisë, rekomandon autorja e artikullit. 


Vija e reajrore Torino – Sofje

Një arsye më shumë për udhëtarët italianë që të zgjedhin Sofjen pikërisht gjatë vjeshtës është edhe vija e re direkte ajrore e një kompanie të njohur ajrore me kosto të ulët nga Torino. Që nga data 28 tetor 2025, do të ketë tre fluturime në javë – të martave, të enjteve dhe të shtunave – duke ofruar një hyrje të re dhe të përshtatshme drejt një kryeqyteti që deri së fundmi kishte mbetur jashtë radarit turistik të shumë italianëve, raporton platforma italiane siviaggia.it https://siviaggia.it/idee-di-viaggio/sofia-bulgaria-autunno/549852/

Lexoni më shumë për kryeqytetin e Bullgarisë – Sofje nga arkivi ynë:


Përpiloi: Veneta Nikollova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Facebook/ Етюд-и-те на София / Sketches of Sofia, food-exhibitions.bg




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Heraklea Sintika – qyteti antik që lidh natyrën dhe shkencën

“Heraklea Sintika është një trashëgimi natyrore dhe shkencore me rëndësi botërore!” – thekson Katja Stojanova, drejtoreshë e Muzeut Historik në Petriç dhe drejtuese e projektit “Restaurimi, konservimi, ruajtja, popullarizimi dhe zhvillimi i..

botuar më 25-09-08 8.20.PD

Turizmi i verës do ta vendosë Bullgarinë si një destinacion gjatë gjithë vitit

Zhvillimi i turizmit të verës si një produkt strategjik, duke plotësuar fushat e forta tradicionale në turizmin bullgar, i cili mund ta shndërrojë vendin në një destinacion gjatë gjithë vitit, ishte fokusi i takimit të Ministrit të Turizmit Mirosllav..

botuar më 25-09-02 9.59.PD

Çmimet në bregdetin bullgar të Detit të Zi po bien ndjeshëm

Paketat all inclusive në kompleksin turistik Sllënçev Brjag po bien ndjeshëm me 30 deri në 50%. Kompleksi ka raportuar një rritje prej 6 deri në 8 për qind të turistëve këtë sezon. Sipas kryetares së Shoqatës së Biznesit Turistik në Bullgari..

botuar më 25-09-01 2.05.MD