Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Argjentinasja Erika Perales, në venat e së cilës rrjedh gjak bullgar

7
Erika Perales
Foto: Facebook/ Eru Perales

Erika Perales erdhi nga Argjentina e largët dhe arriti të pushtojë zemrat e pjesëmarrësve në Festivalin e Parë të Ansambleve Folklorike Bullgare jashtë vendit. Gjatë ngjarjes në Veliko Tërnovo, ajo interpretoi në një mënyrë të papërsëritshme një nga këngët më të njohura popullore bullgare nga Rodopet – "Doli Deljo kaçak".



Fakti që e reja nuk flet gjuhën bullgare, e bëri interpretimin e saj edhe më magjepsës dhe na provokoi të mësojmë më shumë për të dhe arsyen që u gjend në vendin tonë: 

"Qëllimi kryesor i qëndrimit tim në Bullgari ishte të mësoja. Në qytetin tim të lindjes Komodoro Rivadavija, kemi një shoqatë bullgare, e cila mban emrin "Kirill dhe Metodij". Unë jam një nga mësueset e valleve për fëmijë dhe të rritur aty, përveç kësaj jam pjesë e grupit folklorik bullgar pranë shoqatës "Orfeu" – rrëfen Erika Perales për Radio Bullgarinë. – Nuk kisha plane të takoja njerëz apo të merrja pjesë në festivale, por duhet të pranoj se nga çasti që shkela në Bullgari, udhëtimi u ndryshua krejtësisht. 



Një nga gjërat më të bukura që ndodhën, ishte mundësia të isha pjesë e këtij festivali të bullgarëve nga jashtë vendit në Veliko Tërnovo. Nuk e dija çfarë të prisja prej tij, por shkova me idenë që të mund të flisja me njerëz si unë, të cilët nuk jetojnë në Bullgari, por bëjnë çfarë munden për ruajtjen e kulturës dhe traditave të saj atje ku ndodhen." 


Erika është e lumtur që tashmë ka krijuar shumë miqësi të reja, pasi të gjithë bullgarët me të cilët është takuar gjatë qëndrimit të saj në Bullgari janë jashtëzakonisht të hapur, miqësorë dhe të gatshëm ta përfshijnë. 

Ndërsa për arsyen që zgjodhi pikërisht ''Doli Deljo kaçak" për paraqitjen e saj para bashkatdhetarëve tanë nga afër e larg, ajo rrëfen:

 

"E bëra këtë me kërkesë të një njeriu – tre vjet më parë Ambasadori i Bullgarisë në Argjentinë, Stojan Mihajllov, më dëgjoi duke kënduar me grupin tim në një qytet në Argjentinë. Kur përfunduam, ai erdhi dhe tha se unë duhet ta këndoja këngën "Doli Deljo kaçak". Unë i thashë se kjo është kënga më e vështirë fare dhe nuk duhej të më lutej për diçka të tillë. Por ai më qetësoi, duke thënë se nuk ka problem, por duhet thjesht ta adaptoj dhe ta bëj si timen. Unë e di se është e vështirë jo vetëm për shkak të teknikës vokale që duhet të kesh, por edhe për faktin se është thellësisht e lidhur me traditat dhe muzikën bullgare. Prandaj, nëse do ta interpretoja, duhej ta bëja me respekt të jashtëzakonshëm. Kështu që e bëra timen, nuk u përpoqa të kopjoja askënd dhe e këndova me zemrën time. Për këtë jam shumë mirënjohëse, që ai më bëri ta këndoj, sepse nga frika, ndoshta kurrë nuk do të kisha provuar." 

Lidhjen e saj me Bullgarinë, Erika e ka falë stërgjyshes dhe stërgjyshit nga ana e babait, të cilët mbërritën në Argjentinë në vitin 1922. Për të parët e saj, megjithatë, nuk di pothuajse asgjë, përveç emrave të tyre – Shipka dhe Anto, si dhe informacionit se janë me origjinë nga fshati Gorni Llom, që ndodhet në Bullgarinë Veriperëndimore. 



"Që e vogël kam qenë pjesë e shoqatës bullgare në Komodoro Rivadavija, e krijuar në vitin 1989. Edhe pse nëna ime nuk është pasardhëse e bullgarëve, ajo është jashtëzakonisht e angazhuar me shoqatën dhe më ndihmon shumë në përgatitjen e ushqimit dhe përgatitjet për ngjarjet e ndryshme, ku patjetër merr pjesë edhe babai im. Përveçse me profesion janë parukiere dhe peshkatar, të dy kanë kopshtin e tyre, në të cilin kultivojnë të gjitha frutat dhe perimet që mund të imagjinoni, si dhe pula." 

Prindërit e Erikës, si dhe miqtë e saj, janë ndër pjesëmarrësit në filmin e Polja Stançeva "Dhe arritën deri në fundin e botës", që tregon historinë e kolonëve bullgarë në atë vend të largët: 

"Ajo donte të bënte një intervistë me mua, por ndërsa po binim dakord, pyeti nëse mund të vinte në shtëpi dhe të bënte pyetje edhe prindërve të mi. I pyeta, dhe ata ishin shumë të lumtur që mund të ishin pjesë e filmit. Ende nuk e kam parë filmin, por do ta shoh para se të kthehem përsëri në Argjentinë. Sigurisht jam shumë krenare për ta dhe sidomos për babain tim, sepse ai nuk flet shumë, por u çlirua dhe tregoi kujtime të mrekullueshme nga fëmijëria e tij, gjyshërit e tij. Prandaj për mua ishte e mrekullueshme që ajo i dha mundësinë të tregonte historinë e tij." 



Miq, Erika gjen madje edhe në anijen kërkimore shkencore bullgare "Shën Kirill dhe Metodij", e cila ankoroi në portin e qytetit në rrugën e saj drejt Kontinentit të Akullt. Në bord ajo u njoh jo vetëm me ekuipazhin, por edhe me pasagjerët, të cilët ishin si shkencëtarë nga fusha të ndryshme, ashtu edhe përfaqësues të sektorit kulturor. Njëri prej tyre është regjisorja Iglika Trifonova, e cila kishte ditëlindjen dhe e ftoi të bashkohej në festimin e tyre. Takimi me polarnikët bullgarë është gjithmonë një moment shumë i veçantë për Erikën, sepse është një rast që grupi i saj folklorik të interpretojë repertorin e vet para publikut bullgar, gjë e shoqëruar me një emocion të paharrueshëm. 

Spontane, rrezëllitëse dhe shumë simpatike, Erika nuk harroi të falënderojë ekipin e Radio Bullgarisë për mundësinë për të treguar historinë e saj, si dhe të gjithë njerëzit që në një mënyrë apo tjetër kanë treguar interes për ruajtësit e traditave bullgare në Argjentinë: 



"Për mua është shumë e rëndësishme që njerëzit të dinë për shoqatën tonë, për faktin se jemi atje dhe jemi pasardhës të bullgarëve, kemi gjak bullgar. Do të doja të falënderoja Agjencinë Shtetërore për Bullgarët jashtë vendit për mundësinë që të ndjek mësime në këngë dhe dajre, si dhe personin që më ndihmoi të realizoj këtë udhëtim – Hristo Krusharski!" 

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Joan Kolev, arkivi personal i Erika Perales, Facebook/ Eru Perales, Facebook/ Asociación Búlgara, BTA, Asen Velikov


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Devorina Gamallova

Devorina Gamallova dhe teoria e saj optimiste për njerëzimin

Një soliste e suksesshme dhe pedagoge e njohur, violinistja bullgare Devorina Gamallova jeton më shumë se tre dekada në Londër. Është lindur në Gabrovo, në familjen e një bullgari dhe të një gjermaneje nga Dresdeni. Studion në Ruse dhe në Akademinë..

botuar më 25-09-03 7.00.PD
Atë Matej Preobraxhenski – Mitkalloto (1828–1875)

Çfarë nuk dimë për shpikjet e Matej Preobrazhenski?

Edhe pse është i njohur kryesisht si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vasill Levskit dhe një luftëtar i përkushtuar për çlirimin kombëtar, Atë Matej Preobrazhenski (1828–1875) nuk kufizohej vetëm në aktivitetin revolucionar. Pak detaje dihen..

botuar më 25-08-26 4.20.MD
Foto: Arkivi personal i Kirill Zheljazkov

Ëndrra për të shkuar në Amerikë dhe për të pasur sukses vetë – historia e Kirill Zheljazkov

Historia dhe përvoja jetësore e piktorit Kirill Zheljazkov meritojnë vëmendjen e atyre njerëzve që kurrë nuk ndalojnë së ëndërruari. I lindur në Jamboll, Kirilli zbulon prirjet e tij artistike, falë një mësuesi të vizatimit, i cili këshillon..

botuar më 25-08-23 9.00.PD