Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Penka Kuneva: Dua të kompozoj muzikë të bukur – artistike, mjeshtërore, magjepsëse

4
Penka Kuneva
Foto: arkiv personal

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, 1 tetor, një përshëndetje të veçantë për auditorin e Radio Bullgarisë dërgon kompozitorja më e suksesshme bullgare, fituese e çmimit Grammy, Penka Kuneva, e cila prej më shumë se një çerek shekulli krijon karrierë në Los Anxhelos duke kompozuar dhe duke orkestruar muzikë për filma, televizionin dhe video-lojëra. 

Ndër hitet kinematografike ku ka punuar përfshihen "Piratët e Karaibeve", "Matrixi", "Engjëj dhe Djaj" dhe "Eliziumi", ndërsa partiturat e video-lojërave si “Princi i Persisë” dhe “Transformers” mbajnë gjithashtu firmën e saj.

Albumet e saj orkestrale, "Gruaja Astronaute" dhe "Rilindja e Id-it", u përhapën nga Universal Music dhe u cilësuan nga kritika si "fantastikë" (nga Billboard) dhe "mahnitës" (nga Forbes). Në vitin 2022, emri i saj u bë i njohur në mbarë botën me projektin "Gra Luftëtare", i dedikuar grave të famshme që janë angazhuar në betejat për të drejta sociale, civile dhe njerëzore. Penka Kuneva është autore e shtatë pjesëve të këtij albumi, i cili u vlerësua me çmimin “Grammy” për koleksionin më të mirë klasik.

Kudo dhe gjithmonë, Kuneva thekson rrënjët e saj bullgare. Kur u vendos në Los Anxhelos, ajo kuptoi se identiteti i saj kulturor dhe kombëtar si bullgare ishte pikërisht ajo që do ta ndihmonte të dallohej dhe të depërtonte në industrinë muzikore. Rruga e saj në SHBA filloi në Karolinën e Veriut, në Universitetin “Duke” – i vetmi universitet që e pranoi me bursë të plotë, pa pasur nevojë të paguante asgjë. Në vitin 1999, Penka shkoi në Los Anxhelos, ku u përball me industrinë e vështirë të Hollivudit, të cilën ajo e përshkruan si komplekse, sepse aty elementi më i rëndësishëm është të minimizohet rreziku: “Hyrja fillestare është shumë e vështirë, sepse biznesi nuk dëshiron të merret me njerëz të panjohur e të paprovuar. Dhe sinqerisht – gratë e kanë shumë më të vështirë. Sidomos në kompozim, sepse kjo është një profesion ku historikisht nuk ka pasur gra dhe nuk ka traditë. Ato nuk kanë qasje në të njëjtat mundësi që u ofrohen kompozitorëve të afirmuar.”

Kuneva pranon se gjithmonë ka qenë idealiste. Por si ka arritur të mbijetojë në shoubiznesin amerikan – një fushë, që mund të krahasohet me një rezervuar plot me grabitqarë?

“Së pari, arsimi im në Bullgari dhe fakti që kisha një përgatitje të fortë orkestrale më dhanë mundësinë të ofroj menjëherë një cilësi shumë të mirë – rrëfen Penka Kuneva. - Fillova me orkestrim. Njerëzit vlerësuan muzikalitetin dhe kulturën time. Karriera ime është dualistike – ka edhe aspektin e kompozitores, por gjithashtu kam qenë orkestratore për kompozitorët më të mëdhenj, të cilët i respektoj thellësisht, sepse edhe kjo punë më formoi si krijuese. Por ishte pikërisht arsimi dhe përgatitja bullgare ajo që më ndihmoi në fillim.Së dyti – gjithmonë kam qenë shumë punëtore dhe e përqendruar tek mësimi. Asgjë tjetër nuk më ka shpërqendruar. Unë kam qenë… fjala angleze është oblivious – do të thotë të mos i kushtosh aspak vëmendje asaj që është jashtë rrethit të interesave të tua. Nuk më kanë interesuar thashethemet... Thjesht mendoja: muzikë dhe karrierë!"Piranat" absolutisht ekzistojnë. Kjo shfaqet më së shumti në faktin se Hollivudi është një industri që bazohet në shfrytëzim. Çdokush përpiqet të të paguajë sa më pak, të të përdorë falas. Kam bërë shumë gjëra pa pagesë – disa me kuptim, të tjera pa kuptim – për të cilat sot ndiej pak keqardhje, sepse ishin humbje kohe.Por përqendrimi imi tek muzika dhe formimi im si krijuese më kanë ndihmuar të mos rrëshqas në rrugë që mund të më çonin drejt gjërave negative."

Vlerat më të rëndësishme për të janë kreativiteti, idetë dhe emocionaliteti. “Muzika duhet të jetë emocionale – këtë u mësoj studentëve dhe specializantëve të mi të muzikës filmike. Muzika duhet të prekë shpirtin e dëgjuesit. Asgjë vulgare nuk më ka tërhequr kurrë... Unë gjithmonë kam dëshiruar muzikë të punuar mjeshtërisht – kjo do të thotë melodi e bukur, harmoni e bukur, orkestrim i fuqishëm, formë e qartë – në thelb, vlerat e muzikës klasike. Dua të shkruaj muzikë të bukur – artistike, mjeshtërore, magjepsëse.”

Projekti më i rëndësishëm që e pret aktualisht është nisma "Bulgarian Classical Concerts – Los Angeles", tashmë e njohur edhe në Bullgari. Në themel të saj qëndrojnë Penka Kuneva dhe violinistja Bllagomira Lipari.

“Është shumë e rëndësishme të promovohet kultura jonë. Për dekada kemi jetuar nën një kupolë – nuk na njohin. Shumica e njerëzve janë ende mjaft të painformuar dhe ne e ndjejmë këtë si një thirrje, si një përgjegjësi morale. Do të kombinojmë kryevepra bullgare me ato perëndimore – jo vetëm bullgare, sepse përndryshe ideja do të shterojë shpejt. Por duam që këto vepra të prezantohen në lidhje me njëra-tjetrën, të tregohen prirjet stilistike. Kemi kaq shumë histori të bukura dhe me rëndësi që mund t’i tregojmë përmes këtyre koncerteve – dhe kjo do të forcojë identitetin kulturor të Bullgarisë në vetëdijen e njerëzve që marrin pjesë në ngjarjet tona.”

Bllagomira Lipari

Penka Kuneva pranon se mendon vazhdimisht për Bullgarinë dhe vlerëson shumë ndjesinë e vet të brendshme si bullgare. Në përmbyllje, kompozitorja më e suksesshme bullgare shprehet se është një nder i madh për të të jetë e ftuar në Radio Bullgarinë dhe i uron auditorit tonë “mbi të gjitha shëndet dhe lumturi – gjithmonë!”

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Arkivi personal i Penka Kuneva, bmi.com, Facebook/ Penka D Kouneva




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Emmanuel Delhoume (në mes)

Si francezi Emmanuel Delhoume nga Parisi zbuloi vendin tonë dhe Radio Bullgarinë

U takuam me francezin Emmanuel Delhoume në kishën ortodokse bullgare “Shën Patriarku Evtimij i Tërnovos” në Paris. Ai është i martuar, ka pesë fëmijë dhe familja e tij është e besimit ortodoks. Bullgarinë e zbuloi në një moment të vështirë, në vitin 2018,..

botuar më 25-09-25 8.05.MD
Ervis Taluri

Një jetë mes dy kulturave: Intervistë me z. Ervis Taluri, drejtor ekzekutiv i Dhomës së Biznesit Shqipëri–Bullgari

Historia e Ervis Talurit është një udhëtim mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, mes dy kulturave që sot ai i ndjen si pjesë të pandashme të vetes. Rrugëtimi i tij filloi në një periudhë të trazuar për Shqipërinë. Pas vitit 1997, kur vendi..

botuar më 25-09-14 9.00.PD
 Ethan Schaber

Amerikani Ethan Schaber, për të cilin Bullgaria është "vendi i tij"

Ai është Ethan Schaber – një njeri i ri, i arsimuar, i gëzuar, i cili u bë i njohur muajt e fundit në rrjetet sociale edhe si Fshatari Dion. Unë jam amerikan. Erdha në Bullgari në vitin 2018 me pushime. U njoha me gruan time dhe tashmë jetojmë..

botuar më 25-09-11 7.00.PD