Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Piktori i ri Nikollas Stoiçkov: E mira është gjithashtu një lloj arti

10
Foto: Facebook / Art Nikolas

Nikollas është 15 vjeç. Ai është piktor i vetmësuar, por pjekuria në krijimtarinë e tij dhe forca e shpirtit të tij ngjallin admirim te çdo person që prek talentin e tij. Ai është një njeri që zhvillon beteja të brendshme dhe vazhdon përpara edhe në momentet kur diçka nuk shkon. Një krijues që merr mbështetje nga njerëzit më të rëndësishëm në jetën e tij – familja dhe miqtë. Dhe nga mësuesit, të cilët i kujtojnë pse ka zgjedhur këtë rrugë. Ai pikturon për të frymëzuar dhe ndërton të ardhmen me duart e tij. Udhëtimi i tij në botën e artit filloi kur ishte rreth 9 vjeç:

"Që në atë kohë, sapo mbaroja detyrat e shtëpisë, gjithmonë merrja një fletë dhe një laps dhe filloja të vizatoja. Kjo ishte mënyra ime për të shprehur artin tim, ndjenjat e mia dhe për të zbuluar botën në mënyrën time" – thotë krijuesi i ri.

Talenti i tij u vu re, dhe Biblioteka Kulturore "Razvitie – 1892" në qytetin e tij të lindjes, Bjalla Sllatina, organizoi ekspozitën e tij të parë personale.

"Ky ishte momenti kur kuptova se arti nuk është thjesht një hobi, por rruga ime për të vazhduar përpara. Frymëzimi për mua është kudo: në ngjyrat, njerëzit, kafshët, në gjërat e vogla që shpesh i anashkalojmë – është ai momenti kur nuk mendon, por thjesht ndjen. Më pëlqen të vëzhgoj botën dhe të kthej emocionet e mia në imazhe. Kur pikturoj, ndjej një liri të plotë. Sikur koha të ndalet dhe të jem vetëm unë dhe telajoja" – thotë Nikollasi në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë dhe shton: – "Talenti është vetëm fillimi. Ai është si një shkëndijë, por pa punë, këmbëngulje dhe disiplinë, kjo shkëndijë mund të shuhet shumë shpejt. Në art ka diçka shumë personale. Ti thjesht rritesh me të dhe çdo ditë që vizaton, gabon dhe provon përsëri, në fakt e zhvillon talentin tënd. Unë besoj se puna e kthen talentin në diçka të vërtetë dhe të gjallë."

Pikturat e Nikollas Stoiçkov rrezatojnë dritë dhe qetësi, dhe mënyra e mrekullueshme se si i kombinon ngjyrat, imazhet e ndritshme dhe mbresëlënëse në krijimet e tij na bën vërtet përshtypje. Këtë e dëshmojnë dy ekspozitat e tij dhe shumë komente pozitive në rrjetet sociale. Disa nga veprat e tij janë pronë jo vetëm e koleksionistëve dhe organizatave, por edhe e shumë donatorëve, sepse Nikollas nuk derdh vetëm shpirtin, ndjenjat dhe mendimet e tij mbi telajo – në moshën 4-vjeçare, ai doli fitues në betejën më të egër me kancerin, dhe sot ai vetë ndihmon të tjerët:

“Kam fatin të jem pjesë në nisma të ndryshme bamirësie, sepse besoj se e mira është gjithashtu një lloj arti. Veçanërisht afër e ndiej temën e kafshëve – pastërtia dhe përkushtimi i tyre më frymëzojnë gjithmonë. Në shtëpinë tonë kujdesemi për shtatë këlyshë të shpëtuar dhe një kotele, të cilët nuk janë thjesht kafshë shtëpiake, por pjesë e vërtetë e familjes sonë. Ata më mësojnë çdo ditë kuptimin e fjalëve dashuri, durim dhe kujdes, dhe shpesh më japin frymëzim për artin tim” – ndan i riu.

Si e sheh Nikolas rrugën e tij në të ardhmen?

“Unë e shoh si një rrugë të të mësuarit dhe zhvillimit të vazhdueshëm. Dua të eksperimentoj, të zbuloj mënyra të reja për të shprehur veten, kryesisht përmes artit” – përgjigjet ai dhe u jep një këshillë të rinjve: – “Nëse kanë një talent, ta zhvillojnë dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre. Thjesht le të vazhdojnë përpara!”

Ëndrra e piktorit të ri është të realizojë një ekspozitë personale në Sofje, dhe ne jemi të bindur se kjo është vetëm çështje kohe!

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Penka Petrosoviç për rrugën drejt SHBA-së dhe Belgjikës dhe një takim të papritur me … Julia Roberts

Penka Petrosoviç është pedagoge muzikore. Karriera e saj profesionale fillon nga shkolla muzikore në qytetin e saj të lindjes, Burgas. Arrin dhe suksese si drejtuese kori – fillimisht me korin dhe orkestrën e shkollës, e më pas edhe me ansamblin..

botuar më 25-06-03 7.00.MD

Rory Miller dhe aventurat e tij kulinare në fshatrat bullgare

Rory Miller jeton në Bullgari prej më shumë se 15 vjetësh. Merret me prodhimin e birrës artizanale, punon si kuzhinier kryesor në disa restorante, themelon lokale ushqimi të shpejtë me menu avangardë dhe prej vitesh mëson hollësitë e kuzhinës..

botuar më 25-05-26 7.00.PD
Fshati Ostren i Madh

Antoni Kurti dhe traditat e ruajtura të bullgarëve në Ostren të Madh

Në Ostren të Madh, një nga fshatrat në rajonin e zonës historiko-gjeografike të Gollobordës në Shqipëri, u njohëm me Antoni Kurtin. Ai na shëtiti nëpër rrugicat e vjetra dhe vendet e bukura natyrore, na prezantoi me disa prej banorëve interesantë që ende..

botuar më 25-05-04 10.00.PD