Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Arkitektja Eva Popnedeleva dhe projektet e saj të suksesshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vendin tonë

16
Foto: arkiva personale e Eva Popnedeleva

“Nuk kam pasur kurrë dëshirë të emigroj, por pak pas martesës sonë e shoqërova bashkëshortin tim në Mançester, ku ishte dërguar për specializim” – kujton fillimin e historisë së saj jetësore jashtëzakonisht interesante arkitektja Eva Popnedeleva. Pas një periudhe përshtatjeje me klimën dhe zakonet e Ishullit, që zgjati rreth një vit, ajo vendos të kërkojë punë në ndonjë nga zyrat arkitekturore në Mançester:

“Vendosa të bëj një lloj praktike, por nuk kërkoja njoftime për punë – thjesht hapa hartën e qytetit dhe pash të gjitha studiot arkitekturore në zonë. Meqenëse me të vërtetë binte shi pa ndërprerje, zgjodha një studio ku mund të shkoja pa u lagur shumë dhe që kishte transport direkt. I shkruajta kompanisë se isha në dispozicion nëse kishin nevojë për ndihmën time, dhe më telefonuan menjëherë. Gjithçka ndodhi pa ndonjë përpjekje nga ana ime dhe menjëherë u përfshiva në një projekt për selinë e një kompanie të madhe farmaceutike, që do të ndërtohej në qytetin Kembrixh.”
Eva Popnedeleva me babain e saj Vihroni Popnedelev
Pavarësisht suksesit të padiskutueshëm që e arriti, Eva nuk ndalet së kërkuari horizonte më të gjera dhe fillon të kërkojë vendin e saj të ardhshëm të punës.

“Për një kohë të gjatë kam punuar me të ashtuquajturat ‘parqe tregtare’ dhe ndërtesa dhe kjo ishte diçka që më mungonte shumë. U lidha me një agjenci që ofron vende pune në bazë të portofolit që i dërgon. Shkova në disa intervista, por nuk mora ndonjë ofertë konkrete nga asnjë kompani. Prandaj u kthyem përsëri në Bullgari, dhe pas tre muajsh më telefonuan se një nga firmat që i kisha vizituar për intervistë më ofronte punë.”

E ftojnë të bashkohet me zyrën e tyre në Birmingham, e specializuar në projektimin e ndërtesave tregtare. Fillon të punojë në një projekt për një qendër tregtare në qytetin Essex, afër Londrës. Koncepti i projektit ishte që ndërtesa të imitonte një deltë lumi që derdhet në liqenin urban Aleksandria.

Vendimi për t’u kthyer sërish në Bullgari u formua gradualisht në mendjen e Eva-s, por një nga arsyet kryesore për këtë ishte Brexit-i që ndodhi në vitin 2020. “Që të qëndroja atje, duhej të bëhesha tepër e varur nga punëdhënësi im, gjë që nuk e doja,” – kujton arkitektja dhe pranon se pas kthimit në vendin tonë për një farë kohe hoqi dorë nga pasioni i saj, pasi përjetoi një burnout.
Qendra e Artit Vihroni
Babai i saj, piktori Vihroni Popnedelev, është personi që e ndihmoi të kalonte këtë gjendje, duke e inkurajuar të punonte me baltë, lesh dhe materiale të tjera natyrore. Gradualisht lindi ideja që qendra artistike, e krijuar nga piktori në vitin 1998 në fshatin Dollno Kamarci, të zgjerohej:

“Me kalimin e viteve ishin grumbulluar shumë vepra arti, pasi babai im ia ka kushtuar gjithë jetën artit. Për më tepër, çdo verë ai organizon shumë piktorë të cilët mblidhen dhe pikturojnë bashkë për një javë – deri në dhjetë ditë. Dhe në një moment na u desh një ‘shtëpi’ për këto piktura. 

Afër pronës sonë ndodhej një ndërtesë e braktisur – një ish-mensë shkolle, që ishte gjysmë e rrënuar. Ne vumë re se të paktën 30% e strukturës nuk ishte realizuar fare, sepse ishte ndërtuar nga njerëz të zakonshëm, e jo nga specialistë. Na u desh të hedhim kolona fasade shtesë dhe të kryejmë një sërë përforcimesh të tjera.”

Rezultati final i dha mundësi ndërtesës të funksionojë si galeri, madje edhe fasada e saj mund të përdoret si hapësirë ekspozimi. Fondet për rikonstruksionin e ndërtesës, që i dhanë asaj një jetë të re, u siguruan vetëm nga shitja e pikturave. Ajo e tregon shpesh këtë histori edhe para nxënësve nga bashkia dhe nga gjithë vendi që vizitojnë qendrën, për t’i motivuar të mos heqin dorë nga dëshira për të pikturuar, edhe nëse mendojnë se ky profesion nuk ofron mjaftueshëm perspektivë për të ardhmen. 

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Foto: arkiva personale e Eva Popnedeleva, Facebook/Vihroni Popnedelev, BGNES, kultura.bg



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Piktori i ri Nikollas Stoiçkov: E mira është gjithashtu një lloj arti

Nikollas është 15 vjeç. Ai është piktor i vetmësuar, por pjekuria në krijimtarinë e tij dhe forca e shpirtit të tij ngjallin admirim te çdo person që prek talentin e tij. Ai është një njeri që zhvillon beteja të brendshme dhe vazhdon përpara edhe në..

botuar më 25-10-18 10.05.PD
Denica Petrova

Denica Petrova dhe jeta e saj në Edinburg, e përkushtuar ndaj dijes

Universiteti i Edinburgut është i katërti më i madh në Mbretërinë e Bashkuar, i hapur që në vitin 1583. Për 57 vite me radhë, rektor i tij ishte Shkëlqesia e Tij, Princi Filip, ndërsa që nga viti 2011, këtë rol e mban vajza e tij, Princesha Ana. Një rol..

botuar më 25-10-16 7.30.PD

Ina Sotirova për rrugëtimin e saj drejt Xhamajkës, mangon me erë dhe kinemanë

Nuk ka statistika të sakta për numrin e bullgarëve që jetojnë në ishullin e Xhamajkës. Por si dëshmi se është vështirë të gjesh një vend në botë ku të mos ketë të paktën një bashkatdhetar, së fundmi biseduam me regjisoren Ina Sotirova, e cila prej 10..

botuar më 25-10-12 9.10.PD