Bullgarët jemi ndër pak kombet që kanë një festë të vetën të spiritualitetit — Dita e Iluministëve të Popullit. E shënojmë çdo vit më 1 nëntor, për të nderuar, jo sundimtarë apo heronj ushtarakë, por njerëzit e shpirtit — ata bullgarë që kanë zgjuar kombin për liri, dije dhe dinjitet në vitet e errëta të shtypjes. Sot, në shekullin e teknologjisë së lartë dhe të inteligjencës artificiale, këto personalitete na rikthejnë tek vlerat, dijet dhe idenë se liria fillon nga arsimi dhe shpirtërorja.
Fjala “buditell” vjen nga “budja” – njeri që zgjon të tjerët nga errësira e padijes. Kjo periudhë e zgjimit kulturor, kombëtar dhe politik të kombit e njohur si Rilindja Kombëtare Bullgare, karakterizohet me punën e iluministëve – shkrimtarë, mësues, letrarë, klerikë, revolucionarë dhe arsimtarë. Ata, me fjalë dhe me shembull ndezin shkëndijën e vetëdijes kombëtare bullgare, duke zgjuar ndjenjën e përkatësisë ndaj gjuhës dhe kombit.

Fillimi i festës u vu në vitin 1909 në Plovdiv, ndërsa në vitin 1922 Kuvendi Popullor e shpalli atë ditë zyrtare për “të gjithë bullgarët meritorë”. Ideja u mbështet nga ministri i arsimit, Stojan Omarçevski, dhe qeveria e Aleksandër Stamboliski. Ata zgjodhën 1 nëntorin – ditën e Shën Ivan Rilskit, i konsideruar rilindësi i parë bullgar, një murg që ia kushtoi jetën besimit, mirësisë dhe forcimit shpirtëror të kombit.

Me kalimin e kohës, pranë shembullit të shenjtit renditen emrat e Paisij Hilendarskit, autor i “Historisë sllavo-bullgare”; Sofronij Vraçanski – autor i librit të parë të shtypur në gjuhën e re bullgare; Apostulli i lirisë Vasill Levski dhe poeti-revolucionar Hristo Botev; Petër Beroni dhe Vasill Aprilovi – themelues të arsimit modern, dhe shumë të tjerë. Këto personalitete të ndritura “zgjonin” bashkëkombësit tanë secili me mënyrën e vet – me stilolaps, besim ose armë. Në këtë mënyrë, përmes kulturës dhe dijes, rilindësit hedhin themelet e Bullgarisë moderne, duke frymëzuar krenari dhe dashuri për atdheun.

Sot Dita e Rilindësve Kombëtarë është një nga festat më të dashura bullgare. Në shkolla, fëmijët recitojnë poezi dhe ndezin qirinj para portreteve të të parëve tanë shpirtërorë, sepse liria e vërtetë fillon me dijen dhe sepse rilindësit nuk janë vetëm në të kaluarën – ata jetojnë tek çdo njeri që zgjon mendjen dhe zemrën e të tjerëve.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: oborishte.bg, BGNES, Ina Kobusen, BТА
Shoqata “Bravo Plovdiv” po organizon një takim të përfaqësuesve të komuniteteve bullgare dhe diasporave nga Ballkani dhe Evropa Lindore në Plovdiv, raporton BTA. Eventi, i cili do të zhvillohet më 5 dhe 6 shtator, i kushtohet Ditës së Bashkimit..
Mbushen 35 vjet nga një moment emblematik i historisë postkomuniste të Bullgarisë, i cili shënoi dekadat në vijim të tranzicionit të saj drejt demokracisë – zjarrvënia e Shtëpisë së Partisë. Arsyet për atë që ndodhi edhe sot mbeten të mbuluara me..
Bollgradi në rajonin e Odesës, Ukrainë, shënon sot, 25 gusht, 204 vjet nga themelimi i tij me një program kulturor në sheshin qendror dhe në institucionet kulturore të qytetit, raportoi BTA. Festimet janë pjesë e një festimi tre-ditor të Ditës së..