Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Në “Kaligrafikisht” Nikolla Buzov identifikon pikturat me artin e shkrimit të bukur

“Maskat duhet të hiqen, më të rëndësishme janë fytyrat e vërteta”, thotë piktori

13
Foto: Diana Cankova

Në ekspozitën e tij të re, Nikollaj Buzov ndjek parimet e artit kaligrafik, duke paraqitur një harmoni simbolesh dhe shenjash abstrakte. Kanavacat piktoreske nxjerrin në pah lehtësinë dhe lirinë me të cilën artisti krijon strukturat e tij gjeometrike. 



“Titulli ‘Kaligrafikisht’ është më tepër një shaka ndaj asaj mjeshtërie dhe interpretimi të formës abstrakte që është kaligrafia, por me mjetet e pikturës”, thotë Nikollaj Buzov për veprat e tij të ekspozuara në galerinë-librari “Sofia Pres”. Përmes tyre autori fton vizitorët të gjejnë ndjesinë e tyre personale gjatë udhëtimit në hapësirat imagjinare dhe në fund të dalin me një ndjenjë të veçantë – “as të jetë e bukur, as diçka tjetër”. Sepse, ndan ai një mendim të tij të dashur, më e vështira është të shohësh me sytë e tu atë që qëndron para teje.



“Ka dy lloje piktorësh – disa mund t’i quajmë ‘mjeshtra’, por unë mendoj se jam nga shpikësit, pasi eksperimenti është shpikje në një formë të caktuar – vazhdon Nikollaj Buzov. – Shpikjet e mia janë kryesisht në pjesën teknike, ndërsa me ‘Kaligrafikisht’ përpiqem të hedh një urë drejt gjërave që në dukje duken banale, që i takojmë çdo ditë pa pyetur veten çfarë janë ato. Prandaj do të doja, me ndihmën e ekspozitës, shikuesit t’i shohin dhe t’i zbulojnë në një mënyrë krejtësisht tjetër. Po ashtu, të mos harrojmë se kaligrafikisht në një masë të madhe është edhe ajo që është bërë me dorë, me mjeshtëri. Çdo shkronjë është shpikur dhe në këtë kuptim – të bëjë njerëzit të mendojnë se pothuajse çdo gjë rreth nesh është fryt i shpikjes së diçkaje vizuale, si edhe sa shumë do të thotë pamja për njeriun.”

Në rrugën drejt artit abstrakt, Nikollaj Buzov kalon përmes formave klasike dhe deri më sot portreti zë një rol të rëndësishëm në krijimtarinë e tij. Në fillim të ndryshimeve demokratike ai krijon serinë “Koka pa emër”, e pasuar disa dekada më vonë nga “Fytyra pa maska”. Dhe, meqenëse mënyra e vetme për t’u përballur me sfidat e kohës është e vërteta, a ka ardhur momenti të tregojmë fytyrat tona të vërteta?



“Maskat duhet të hiqen – përgjigjet piktori. – Nga ana tjetër, maska është e rëndësishme si fenomen kulturor i njerëzimit. Së fundmi ishte Halloween dhe tek ne lindën debate të ashpra, ndërkohë që në fakt bëhet fjalë për një traditë karnavalesh, ku përmbysja – duke u bërë i keq, i lig, çdo gjë – është pikërisht e kundërta e asaj që ndodh me njeriun. Ne jemi kafshë shoqërore dhe mbajmë maska këtu apo atje – ndonjëherë të shëmtuara, të frikshme apo të sheqerosura, dhe në të njëjtën kohë shumë të bukura apo budallaqe (më falni për shprehjen). Sigurisht, më të rëndësishme janë fytyrat e vërteta, sepse hipokrizia po kthehet në një mënyrë cinike jetese me maska që nuk janë edhe aq të mira.”

Megjithëse jetojmë në një botë me luftëra, pasiguri, politikanë kompromentues, lajme të rreme, realiteti që na rrethon mund të nxisë vetë-shprehjen përmes artit, mendon Nikollaj Buzov. Por ai bën edhe një sqarim: “Nuk e di nëse fjala e saktë për dramat dhe ankthin në këtë botë është frymëzim, por reagim – me siguri.”



Si çdo krijues, edhe Nikollaj Buzov dëshiron të lërë shenja në rrugën e tij në art.

“Një lloj gjurme – jo saktësisht karboni, por më artistike – shton piktori me buzëqeshje. – Çështje tjetër është se kur dhe si do të shihet ajo në botë. Koha tregon çfarë shenjash ka lënë një autor, qoftë ai i rëndësishëm apo jo aq shumë. Pikërisht koha do të na vendosë një ditë në vendin që meritojmë.”



Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Diana Cankova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Desisllava Cvetkova dhe krahasimet e saj poetike midis Bullgarisë dhe Evropës së Bashkuar

“Vij në Bullgari për t’u mbushur me ndjenja të reja” – këtë na ndau Desisllava Cvetkova, e cila kaloi 14 vjet në kryeqytetet e Evropës së Bashkuar, duke punuar në administratën e Komisionit Evropian. Kohët e fundit Desisllava është përsëri në atdheun..

botuar më 25-10-20 7.00.PD
Aleksandra-Joana Aleksandrova

Yll i muzikalit në Evropë, Aleksandra-Joana Aleksandrova, debuton edhe në atdhe

Aleksandra-Joana Aleksandrova – aktore, këngëtare dhe modele me pamje mbresëlënëse, talent muzikor dhe prani të fortë skenike, ishte në Sofje në fund të korrikut dhe fillim të gushtit për të interpretuar rolin e Kozetës në muzikalin e njohur “Të mjerët”..

botuar më 25-10-18 9.00.PD
Vlladisllav Hristov

Vlladislav Hristov fitoi çmimin më të lartë në botë për vargje haiku

Poeti dhe autori i haikut nga Plovdivi, Vlladislav Hristov, fitoi çmimin e madh në konkursin ndërkombëtar të haikut të organizuar nga Muzeu Memorial i Matsuo Basho në qytetin Iga të Japonisë. Për herë të parë, një bullgar ka marrë çmimin..

botuar më 25-10-16 5.34.MD