Në javët në të cilat bullgarët brenda dhe jashtë vendit kanë mundësinë për të votuar herën e radhës këtë vit, thirrja “Mos shkoni për kërpudha, shkoni për të votuar!” është sërish aktuale. Ajo u bë shumë e njohur në vitet e tranzicionit, kur kishte pjesëmarrje të ulët elektorale dhe njerëzit ndiheshin të mashtruar nga partitë politike dhe liderët e tyre. Partitë e tranzicionit janë tashmë në histori, por “të shkosh për kërpudha ditën e zgjedhjeve” do ta ruajë shumë kohë kuptimin e vet… Mirëpo, në artikullin tonë nuk bëhet fjalë për politikanët, që mbijnë si kërpudha, kur të ketë zgjedhje, por për kërpudhat e pyllit, që në disa fshatra të malit të Rodopeve janë mundësia e vetme e jetesës.
Këtë vit çmimi i kërpudhave më të kërkuara në pikat e blerjes në vendin tonë shënoi rekord, por megjithatë mbledhësit e kërpudhave që kanë mundësi të ecin në pyll që nga mëngjesi deri në mbrëmje po bëhen gjithnjë e më të pakët. Fshatrat po shpopullohen, por edhe papunësia është në rënie dhe mbledhja e kërpudhave është një punë sezonale dhe varet shumë nga kushtet specifike të motit. Gjatë muajve të verës këtë vit kishte një periudhë të gjatë të thatë, e cila ndikoi negativisht mbi rendimentin e mbledhësve të kërpudhave.
“Që nga 15 korriku ka një korrje të dobët të paprecedentë në të gjithë Evropën dhe çmimet e kërpudhave shënuan rekord. Kjo ndodh për herë të parë në praktikën time”, thotë Julian Kolev, pronar i një kompanie për përpunim dhe eksport të kërpudhave pyjore, një nga kryesoret në Bullgari. Ai ka një diplomë në inxhinieri, por ka më shumë se 30 vjet që merret me tregtim kërpudhash. Julian Kolev eksporton prodhimin e vet vetëm në Evropë. Ai është kategorik se kërpudhat bullgare janë në top 5 të kërpudhave më të mira në botë, por me kushtin se nuk e përfshijmë këtu Kinën.
“Nuk do të thosha që Covid-i ishte problem për ne, por për shembull këtë vit nga 15 korriku deri më 15 tetor nuk patëm aspak prodhueshmëri sepse ishte thatësirë për tre muaj. Për më tepër, biznesi ynë është sezonal - nga 15 nëntori deri më 15 prill nuk kemi kërpudha të freskëta, dhe këta janë 6 muaj. Pra rezulton se në vite si ky i tanishëm kemi prodhimtari në vazhdim të vetëm 3 muajve. Ky është problemi kryesor - ne duhet të sigurojmë punësim për njerëzit për të gjithë vitin në mënyrë që të ruajmë strukturën e një ndërmarrjeje në të cilën ka aktivitete të larmishme."
Në pyjet bullgare ka rreth 200 lloje kërpudhash, por ato me vlerë tregtare janë vetëm 14-15 lloje. Mbledhësit i njohin shumë mirë dhe ka shumë pak të ngjarë të kenë kopje helmuese” – na shpjegoi Julian Kolev.
"Kërpudha nuk është një produkt kryesor, nuk është një ushqim jetik, por është shumë e shijshme, prandaj çmimet po rriten gjithnjë e më shumë. Konkurrentët tanë janë vendet fqinje - Rumania, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia, kërpudha ka në Lituani, Letoni, Estoni dhe Poloni. Ne të gjithë eksportojmë në një treg të përbashkët - 7-8 vende, kryesisht në Evropën Perëndimore. Çmimi është sipas ofrimit dhe kërkimit. Për çdo furnizim diskutohet paraprakisht çmimi, në fakt nuk ka çmim standard për një muaj ose një javë. Sa u përket kërpudhave të ngrira, vitin e kaluar për shkak të mbylljes së kufijve mbetën shumë kërpudha të pashitura në ndërmarrjet në Evropë dhe në vendin tonë. Kjo u bë shkak që këtë pranverë kërpudhat të shiten me çmime jashtëzakonisht të ulëta sepse duhej shfrytëzuar prodhimi i mbetur nga viti i kaluar”.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES
Kompania ruse "Lukoil" planifikon të shesë rafinerinë e saj bullgare në Burgas, e cila është më e madhja në Ballkan, shkruan “Financial Times” (FT). Kontrata pritet të shpallet deri në fund të vitit 2024. “Lukoil” i dërgoi tashmë një letër presidentit..
Punëdhënësit po kundërshtojnë në gjykatë rritjen e pagës minimale. Asociacioni i Kapitalit Industrial në Bullgari njoftoi se paraqitën një ankesë në Gjykatën e Lartë Administrative. Rreth 430 000 njerëz në vend marrin pagën minimale. Ka dy arsye për..
Nëse kriza politike vazhdon, përfitimet e humbura do të arrijnë një prag nga i cili biznesi bullgar në mënyrë të pakthyeshme do të fillojë të humbasë aftësinë konkurruese për shkak të deficiteve në rritje në arsim, kujdesin shëndetësor,..