Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dita e Krahinave Perëndimore:

Ivan Nikollov: Po humbasim “luftën” 100 vjeçare për mbijetesën e bullgarëve në Krahinat Perëndimore

Në Bosilegrad prezantuan librin “Fati i bullgarëve në Krahinat Perëndimore 100 vjet pas Nejit”

Ivan Nikollov
Foto: BGNES

Ditët nga 6 deri më 8 nëntor 1920 shoqëruan me frikë dhe trishtim jetën e bullgarëve në Krahinat Perëndimore (rajonet kufitare juglindore të Serbisë me popullsi bullgare). Okupacioni i rajoneve të qyteteve Bosillegrad, Caribrod dhe Strumica nga trupat serbe pak më shumë se një shekulli më parë, është ende gjallë në kujtesën e tyre. Pasojat e shkëputjes së 1545 kilometrave katrorë nga territoret e Bullgarisë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore janë të dukshme edhe më sot. Këto territore të veçuara nga Bullgaria përfshinin 25 fshatra dhe një pjesë e tokave të qyteteve bullgare Trën dhe Kulla. Kryetari i Qendrës Kulturore dhe Informative në Bosilegrad Ivan Nikollov e përkufizon jetën e bullgarëve në Krahinat Perëndimore si një betejë 100 vjeçare.

“Qëndrojmë dhe po përballemi me pasojat e pushtimit dhe po shohim një betejë 100-vjeçare që synon shpopullimin dhe dëbimin e bullgarëve nga kjo zonë. Nga 100 000 veta popullsi që dëshmuan pushtimin, në vitin 2011 rezultuam të ishim 18 500 njerëz. Këto ditë po përfundon regjistrimi i popullsisë në Serbi dhe unë pres që totali ynë të bjerë edhe më tej. Ju e dini se komunat bullgare në Serbi janë ndër më të prapambeturat ekonomikisht në të gjithë vendin. Kjo provokoi një migrim të fortë në pjesë të tjera të Serbisë, Bullgarisë dhe Evropës Perëndimore. Mund të themi se përgjithësisht po e humbim betejën në këtë luftë njëshekullore.”

Pavarësisht se çfarë do të tregojnë rezultatet e regjistrimit, Nikollov është kategorik se nuk sheh horizonte të ndritshme për të ardhmen e rajonit:

Caribrod

“Ne jemi aq pak sa nuk ka më rëndësi se si deklarohen njerëzit - qofshin bullgarë, serbë apo të papërcaktuar. E vërteta është se shumë pak njerëz mbetën fizikisht në Bosilegrad dhe Caribrod, dhe frika për t’u deklaruar si bullgarë është prej kohësh gjenetike. Njerëzit ose zgjedhin të mos deklarohen, ose kërkojnë një formë tjetër deklarimi për të shmangur telashet.”

“Fakti që biznesi bullgar nuk arriti të depërtojë dhe të ofrojë vende pune dhe mjete jetese për popullatën në Krahinat Perëndimore, gjithashtu paracakton të ardhmen e rajonit” – shpjegoi Nikollov dhe shtoi:

“Jemi dëshmitarë të një popullsie në plakje, që nuk është më në moshë riprodhuese, fëmijët po pakësohen. Pavarësisht nga takimet e nivelit të lartë që gjithmonë nisin dhe përfundojnë me deklarata optimiste se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë kurrë më të mira, ne shohim një rajon gjithnjë e më të shkretë.”

Aksioni nën moton „Udhëkryq“ - të rinjtë e shkollës së mesme lokale rregulluan mbi 430 palë këpucë të vjetra për të theksuar trendin e shpopullimit, i cili vitet e fundit reduktoi numrin e banorëve të Bashkisë së Bosilegradit, 21 tetor 2022.

Problemet me ndotjen e mjedisit, e cila sipas Nikollovit është në gjendje të pashpresë, kontribuojnë më tej në tendencat negative demografike në perëndim të kufirit bullgar:

“Një minierë pushoi së punuari për shkak se Ministria e Energjetikës nuk dha leje. Pasojat e ujërave helmuese të derdhura në lumë janë të përhershme. Duhen dekada për të pastruar këto helme. Megjithatë, miniera tjetër vazhdon të punojë.”

Protesta e organizatave mjedisore nga Bullgaria dhe Serbia para Ministrisë së Mjedisit dhe Ujit në 2019

8 Nëntori është Dita e Krahinave Perëndimore, e cila na kujton plagën e thellë që hapën dispozitat e Traktatit të Nejit, duke i prerë nga Bullgaria bashkatdhetarët tanë nga rajonet Caribrod, Bosilegrad, Kulla, Trëni dhe Strumica.

Disa ditë para kësaj date përkujtimore, më 6 nëntor, në Qendrën Kulturore dhe Informative në Bosilegrad u prezantua botimi “Fati i bullgarëve në Krahinat Perëndimore 100 vjet pas Nejit”.

Qendra Kulturore dhe Informative Bullgare në Bosilegrad

“Bëhet fjalë për dy manuale, të përpiluara nga një grup autorësh, ku përfshihen fjalimet dhe raportet e tyre nga konferenca jonë vjetore shkencore, ku diskutojmë aspekte të ndryshme të jetës së popullatës bullgare në Krahinat Perëndimore”, shpjegoi Ivan Nikollov, kryetar i Qendrës Kulturore dhe Informative Bosilegrad.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: BGNES, arkiv, glaspress.rs




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Nuk ka qartësi se cila pjesë e trashëgimisë kulturore bullgare në Ukrainë është ruajtur për brezat e rinj

Uzurpimi i trashëgimisë kulturore dhe historike ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pasojat e shumta të pashmangshme të çdo konflikti ushtarak si në të shkuarën, ashtu edhe në ditët e sotme. Deri në përfundim të luftës në Ukrainë, është e pamundur të..

botuar më 24-11-26 7.35.PD

Chat-i bullgar me inteligjencën artificiale BgGPT mund të shfrytëzohet falas nga të gjithë

Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë  Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në dispozicion për përdorim falas Chat aplikacionin BgGPT me inteligjencë artificiale të gjeneratës së..

botuar më 24-11-25 9.45.PD

Pse Sofja është kryeqyteti i përshtatshëm për Tubimin Panortodoks

Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin e përçarjes midis klerikëve tanë. Atëherë, megjithë nxitjet e Patrikut të Stambollit Bartolomeu,..

botuar më 24-11-22 7.45.PD