Bullgaria është ndër vendet më të pasura me monumente arkeologjike në Evropë dhe kompleksi i madh arkeologjik Perperikon në Rodopet Lindore nuk pushon kurrë së habituri studiuesit e tij. Lajmet e fundit lidhen me detajet e një tempulli të lashtë uji të zbuluar aty, ose i ashtuquajturi "nimfeu". Ky zbulim historik ofroi mundësi të reja për të kuptuar historinë e lashtë të këtij rajoni, theksoi për BNR historiani dhe arkeologu i njohur Prof. Nikollaj Ovçarov.
Studimet e studiuesit dhe ekipit të tij mbështetën hipotezën se një tempull uji ose nimfeu që daton në shekujt II-III ndodhej në lagjen jugore të Perperikonit. Ky tempull iu kushtua nimfave - shpirtrat mitologjikë të ujit që besohej se banonin në burimet dhe rezervuarët e ujit.
"Tempulli i Ujit" ishte një nga objektet e para që u shfaqej para udhëtarëve që mbërrinin në Perperikon gjatë periudhës romake (shek. II-V) - konfirmoi Prof. Nikollaj Ovçarov në një intervistë me Marija-Mira Hristova nga BNR-"Hristo Botev".
"Pikërisht në atë kohë në Lagjen Jugore, të cilën e studiojmë prej 7 vitesh, hyhej nga një qafë mali- aty kalonte një degëzim i rrugës që lidhte Peperikonin e lashtë me Via Egnatia (rruga e famshme Konstandinopojë-Romë) që kalonte përgjatë bregut të detit Egje".
Studimi i zonës vërtetoi se lagjet e qytetit shkëmbor nuk ishin banesa të varfra - përkundrazi:
"Ka rezultuar se Lagjja Jugore, sidomos gjatë periudhës romake, fjalë për fjalë ishte e mbuluar me objekte kulti – shpjegon studiuesi. – Tempulli i Ujit i përmendur ishte një sternë e madhe ku mblidhej uji për nevojat shtëpiake të lagjes. Nga ana tjetër, megjithatë, fasada ishte bërë me kolona, statuja dhe korniza. Kishte një shatërvan nga ku mund të pinin ujë udhëtarët. Duke hyrë brenda, ata priteshin nga tempuj të perëndive të ndryshme, si dhe mauzoleumet e qytetarëve më të pasur të Perperikonit, d.m.th. Lagjja Jugore rezultoi një surprizë spektakolare, sepse kjo tarracë e gjerë gjatë periudhës romake përdorej tërësisht për ndërtime kulti."
Sipas arkeologut, tempujt e ujit janë relativisht të rrallë në trojet tona dhe tradita e ndërtimit të tyre nis që në Greqinë e lashtë.
Zbulimet e Perperikonit janë rezultat i një veprimtarie sistematike për një çerek shekulli. Ekipi i prof. Nikollaj Ovçarov po e nxjerr këtë qytet nga harresa e kohës, duke e zbuluar metër për metër. "Akropoli ka përfunduar plotësisht, në Lagjen Jugore kemi bërë shumë përparim”, shpjegon historiani dhe shpjegon se puna po ecën më ngadalë për faktin se "në 2 vitet e fundit shteti hoqi dorë dhe ndaloi financimin e Perperikonit dhe 5 zona të tjera arkeologjike prioritare në vend". Tashmë Bashkia e Kërxhalit ka mbështetur arkeologët dhe pritet që pas 2-4 vitesh Bullgaria të ketë një qytet antik plotësisht të zbuluar - me Akropolin dhe Lagjen Jugore, që janë pjesët kryesore të Perperikonit.
"Për momentin po bëhet një pune e paparë. Njëkohësisht me punën arkeologjike po kryhen dy projekte evropiane - qendra e vizitorëve është pothuajse gati (një pallat prej mermeri dhe graniti në rrëzë të Përperikonit), dhe prej disa javësh është zbatuar një projekt prej 8 milionë leva në të cilin po restaurojmë 13 ndërtesa në Akropol, kishën mesjetare në rrëzë që do të mirëpresë vizitorët në Perperikon, rezervuari i sipërpërmendur me nimfeun dhe ajo që ndoshta do të jetë perla e Perperikonit - bazilika e madhe e krishtërimit të hershëm në Lagjen Jugore. Është gati 40 metra e gjatë dhe është kisha më e madhe në Rodope e zbuluar deri më tani, e cila po restaurohet dhe do të ketë kolonat origjinale, kapitelet dhe lartësinë deri në 3 metra – një monument jashtëzakonisht mbresëlënës"– tregon Prof. Ovçarov .
Prej tij mësojmë gjithashtu se çelësi i Perperikonit iu dha Papa Françeskut. Bëhet fjalë për një kopje të mrekullueshme të çelësit të argjendtë të gjetur në qytetin e lashtë të Rodopeve që kyçte arkivolin e peshkopëve. Kjo ishte pikërisht dhurata që delegacioni bullgar, i kryesuar nga kryemyftiu i myslimanëve në Bullgari, bëri gjatë pritjes së tyre zyrtare me Papën në Vatikan.
Foto: BTAPërktheu në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Më 10 nëntor 1989, në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare (BKP), Todor Zhivkov u lirua nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm - posti më i lartë në parti dhe në shtet. Ajo që ndodhi në takim më vonë do të përkufizohej si një..
Arkeologët zbuluan një shishe qelqi shumë të rrallë dhe të vlefshme në një varr të shekullit të II-të në nekropolin jugor të kolonisë romake Deultum pranë fshatit Debellt /Bullgaria Juglindore/. Gjëja unike është se ajo përshkruan mitin e përbindëshit..
Kisha jonë Ortodokse kremton sot Mbledhjen e Shën. Kryeengjëllit Mihail, udhëheqës i ushtrisë qiellore dhe hierarkive engjëllore të patrup, që mundi forcat e errësirës. Është një nga festat më të rëndësishme të krishtera fikse të vjeshtës, e quajtur edhe..