Biri më i dashur i Bullgarisë, Apostulli i Lirisë Vasill Levski, është një frymëzim për brezat e bullgarëve. Këtë vit Radio Bullgaria ftoi fëmijë nga shkollat bullgare jashtë vendit, mbrojtës i të cilëve është Vasill Levski, të regjistrojnë ose xhirojnë mendimet e tyre për heroin, të lexojnë një еse, ose poezi, të këndojnë një këngë, ose të vizatojnë Levski. Nisma jonë është pjesë e Programit Kombëtar për përkujtimin e 150 vjetorit të vdekjes së heroit, mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Bullgarisë. U përfshinë dhjetë shkolla, të cilat na bënë pjesë të mësimeve të tyre për Bullgarinë. Ju treguam për to në publikimet e bukura multimediale në faqen e Radio Bullgarisë, në rubrikën "Për Levski".
“Radio Bullgaria me nismën e përbashkët me shkollat e së dielës /shkollat e fundjavës/ jashtë vendit u tregon bashkatdhetarëve tanë në vend se bullgarët jashtë vendit nuk e harrojnë historinë dhe heronjtë e tyre”, është i bindur kryeredaktori i Radio Bullgarisë Krasimir Martinov.
Është e mahnitshme se sa entuziazëm dhe emocion tregojnë bullgarët kur flasin për Apostullin. Në sytë e tyre, ai është një superhero i vërtetë:
Një numër i konsiderueshëm i fëmijëve të bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit kanë lindur në shtete të huaja, shpesh në familje të përziera dhe bullgarishtja është gjuha e tyre e dytë, shpesh herë e tretë. Dhe megjithëse ndonjëherë gjuha i vështirëson, në regjistrimet, intervistat dhe videot që dërguan, shihet zelli i tyre për të treguar të gjitha njohuritë për heroin tonë kombëtar Vasill Levski dhe përkatësinë e tyre kulturore bullgare. “Edukimi patriotik jashtë vendit fillon me shkronjën e parë, me këngën dhe vargun e parë që fëmija mëson për Bullgarinë”, shpjegon Biserka Ivanova, mësuese në shkollën më të vjetër bullgare të së dielës në Paris, e cila mban emrin e Vasill Levskit. Fëmijët janë shumë të motivuar të dinë më shumë për Bullgarinë, të flasin gjuhën tonë:
“Kjo nis nga familja, nga marrëdhënia që kanë me Bullgarinë dhe ky është motivi i parë – të mund të komunikojnë në bullgarisht kur janë me pushime, të kuptojnë atë që shohin, të flasin për atë që kanë përjetuar. Sepse pa gjuhën lidhja humbet”, tha zonja Ivanova për Radio Bullgarinë.
Milena Vezenkova është një nga bashkatdhetarët e shumtë që kanë kërkuar një të ardhme më të mirë jashtë vendit. Më shumë se 23 vjet më parë, ajo shkoi në Britaninë e Madhe, ku takoi bashkëshortin e saj, gjithashtu bullgar. Ata krijuan familjen e tyre, lindën fëmijët e tyre dhe…. hapën një shkollë bullgare në Barking të Londrës Lindore (Britania e Madhe). Ata e zgjodhën emrin pa hezitim - Shkolla Bullgare "Vasill Levski", jo rastësisht:
"Unë jam nga fshati Vojnjagovo, ku Vasill Levski i ka mësuar fëmijët të lexojnë dhe të shkruajnë. Edhe sot atje ka një shtëpi-shkollë, të cilën të gjithë e njohin si Shkolla. Gjithashtu, shkolla në Vojnjagovo, ku kam studiuar si fëmijë, mbante emrin e Apostullit. Dhe kur lindi ideja, kaq shumë vite më vonë, që të kishim një shkollë bullgare në Londër, nuk kishte asnjë dyshim apo hezitim se çfarë të ishte emri i saj”, kujton bullgarja.
Përtej fakteve dhe ngjarjeve historike, për fëmijët bullgarë sot në Barking, dhe për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën, më interesantet janë historitë që lidhen me pamjen njerëzore dhe guximin e Dhjakut - si është maskuar me rroba të ndryshme për të shpëtuar nga bastisjet osmane, si gjatë pushtimit të Bujtinës së Këkrinës e ka varrë opingën në gardh, si fëmijët në shkollën në Vojnjagovo kanë shkruar në rërë dhe si Levski u ka kënduar atyre këngë – këto janë histori të vogla njerëzore që krijojnë imazhin e personalitetit të madh dhe mbeten në zemrat tona gjatë tërë jetës. Dhe frymëzimi shpesh shprehet në video- filmat që bullgarët anembanë botës krijojnë me Apostullin në mendje:
Tema "Radio Bullgaria prezanton imazhin e Vasill Levskit përmes syve të bullgarëve në mbarë botën" është pjesë e një projekti të realizuar me ndihmën financiare të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Bullgarisë. Mund të vizitoni edhe rubrikën tonë "Për Levski", krijuar në lidhje me 150 vjetorin e vdekjes së Apostullit të Lirisë.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Foto: shoqata bullgare “Vasill Levski” në Shannon, shkolla bullgare “Vasill Levski” në Saarbrücken, bgshkolo.co.uk, shkolla bullgare në Southampton, shkolla bullgare “Vasill Levski” në Zaragoza, Spanjë, shkolla bullgare “Vasill Levski” në Paris, shkolla "Hristo Botev" – Nju Jork, arkiv
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Pas festës së madhe të Fjetjes së Hyjlindëses, Lindja e Nënës së Zotit kremtohet me nder të veçantë në Bullgari. Kisha jonë e feston atë më 8 shtator, së bashku me kishën ortodokse greke, ndërsa kishat e tjera ortodokse lokale e kremtojnë festën më 21..
Më 6 shtator 1885, Bullgaria u bë përsëri një shtet i bashkuar. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, profesori i Universitetit të Sofjes "Shën Kliment Ohridski" Ivan Illçev foli për faktorët që çuan drejt Bashkimit, kur Principata e Bullgarisë dhe..
Përgjatë shtrirjes midis Rrafshinës së Trakisë së Epërme dhe malit Rodopa nga lindja në perëndim si një varg gjerdani renditen vendbanimet piktoreske - Asenovgrad, Perushtica, Kriçim, Peshtera, Patalenica dhe Varvara. Përgjatë luginave të..
Revolucionari i madh Ljuben Karavellov (1834-1879), shkrimtar dhe publicist i Rilindjes sonë, ka lënë një gjurmë të thellë në letërsinë bullgare si prozator,..