Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tërmete, thatësira, turbina ere... eko-sfidat bashkojnë nxënës nga Bullgaria, Italia dhe Danimarka

Foto/ Shkolla bullgare e së dielës "Asen dhe Ilija Pejkovi" në Romë

Temat lidhur me burimet e rinovueshme dhe fatkeqësitë natyrore mblodhën së bashku nxënës nga shkolla bullgare e së dielës "Asen dhe Ilija Pejkovi" në Romë, Gjimnazi i Parë i Gjuhës Angleze në Sofje dhe shkolla e mesme Greve pranë Kopenhagës. Projekti synon të nxjerrë në pah çështjet urgjente mjedisore dhe të monitorojë nismat që po zbatohen në të tre vendet.

"Ja ku jemi përsëri në Sofje për Erasmus! Kësaj radhe tema është pak më e komplikuar. Një tjetër aventurë na pret," ndau në Facebook disa ditë më parë Veneta Nenkova, themeluesja e shkollës bullgare në Romë. Faza e parë e projektit mblodhi së bashku bullgarë nga Italia dhe Bullgaria, të cilët punuan në Gjimnazin e Parë të Gjuhës Angleze në Sofje javën e kaluar. Ndërsa sfidat me të cilat u përballën ishin si në fushën e kërkimit, ashtu edhe në njohjen dhe gjetjen e rrugës drejt njëri-tjetrit në mënyrë që të punonin në mënyrë sa më efektive si ekip.

Maja Padeshka - drejtoreshë e shkollës në Romë dhe një nga drejtueset e projektit – tregon:

"Në ditën e parë, fëmijët nga secili vend formuan grupe pune dhe ndanë njohuritë e tyre mbi temat. Ata krahasuan se si janë gjërat në Bullgari, Itali dhe Danimarkë përsa i përket mbrojtjes së ujit të pijshëm, burimeve të energjisë, ligjeve dhe politikave të vendeve për mbrojtjen e mjedisit. Ata punojnë në grupe dhe me kompjutera, kërkojnë informacion mbi problemin dhe më pas e prezantojnë atë në formën e rezultateve konkrete. Shohim se si këta të rinj po njihen gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin dhe po fillojnë të mendojnë në një drejtim të përbashkët. Këto projekte janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe nxisin të menduarit së bashku në Evropë dhe që fëmijët të kenë një ndërgjegje dhe qëllim të përbashkët. Sepse brezi i ri ka detyrën e vështirë për të zgjidhur disa probleme të vështira."

Për të mësuar rreth energjisë bërthamore, nxënësit ndoqën një leksion në Fakultetin e Fizikës të Universitetit të Sofjes "Shën Kliment Ohridski", që u ndihmoi në një nga detyrat lidhur me analizimin e qëndrimeve dhe ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me inovacionet dhe veprimet e duhura gjatë fatkeqësive natyrore. Amira Kaçarova, një nxënëse nga shkolla e Romës, ndan:

"Unë dhe grupi im vendosëm të flasim për tërmetet duke intervistuar njerëz në Sofje. Të rinjtë që intervistuam thanë se nuk kishin përjetuar një të tillë, por ishte ndryshe kur pyetëm të moshuarit. Ata e dinin se si ndihej një person në një situatë të tillë. Na interesonte ana psikologjike dhe si e përjetojnë njerëzit tërmetin."

Xhulia Neti – gjithashtu nga Roma, shton:

"Tema e grupit tim ishte turbinat e erës. Unë u mahnita nga fakti se shumica e njerëzve nuk ia kishin idenë dhe nuk ishin të informuar mirë rreth temës."

Shoqja e saj e klasës në shkollën bullgare të së dielës në Romë, Joana Kostova, është e bindur se duhet të flasim dhe të marrim masa për të trajtuar problemet mjedisore, përndryshe e ardhmja me siguri nuk do të jetë e bukur. Xhulia Neti ndan vëzhgimet e saj personale se ndryshimi i stinëve është i dukshëm, ndërsa Amira Kaçarova është e bindur se ndotja e mjedisit mund të kontrollohet duke përdorur produkte të riciklueshme. Dhe jep një shembull të ndryshimeve në natyrë që ka dëshmuar personalisht:

"Çdo vit shkoj për plazh në Turqi dhe vërej se uji po bëhet më i ndotur dhe në Pamukkale gradualisht po zhduket uji. Kjo më trishton shumë, sepse fëmijët në të ardhmen nuk do të mund ta shohin bukurinë e botës siç e shohim ne tani."

Dhe duke diskutuar për temat e mbrojtjes së mjedisit dhe ruajtjen e ekuilibrit në natyrë, të rinjtë bullgarë mësuan edhe një mësim tjetër - se kilometrat nuk përcaktojnë afërsinë mes njerëzve. Alesandro Masaçi, i cili aktualisht po ndihmon me projektin, ish-nxënës i shkollës në Romë dhe aktor i diplomuar, thotë se puna krijon marrëdhënie miqësore:

"Ne vazhdojmë të mbajmë kontakte me njerëzit nga projekti i mëparshëm 6 vite më parë, i shkruajmë dhe telefonojmë njëri-tjetrit, ndajmë ide. Këto projekte janë shumë të dobishme. Jemi bashkë pothuajse gjithë ditën. Jemi të rrethuar nga një energji e bukur që mbetet në vitet në vijim."

Ndërsa Elica Pavllova nga Gjimnazi i Parë i Gjuhës Angleze tregoi se si mblidhen pas pune, flasin për përshtypjet e ditës, por edhe për jetën në Itali dhe Bullgari. “Komunikimi me ta është jashtëzakonisht interesant”, ndan nxënësja nga Sofia dhe vijon me përshtypjet e saj nga komunikimi me bashkëmoshatarët nga Roma:

"Ne gjejmë shumë gjëra të përbashkëta. I pyetëm se cilat janë ushqimet e tyre të preferuara bullgare - ata e duan kosin dhe bëjnë petulla me djathë për mëngjes. Ata e ruajnë frymën bullgare brenda vetes dhe është shumë interesante të shohësh që edhe ata jashtë vendit jetojnë si ne dhe pëlqejnë të njëjtat gjëra."

Bullgaria nuk është e huaj për bullgarët e Romës, edhe pse shumë prej tyre kanë lindur jashtë saj. Megjithatë, kthimi këtu është gjithmonë emocional, duke u dhënë atyre mundësinë për të komunikuar në bullgarisht, për të krijuar miqësi të reja dhe kujtime të paharrueshme. Grupi i shkollës bullgare të së dielës "Asen dhe Ilija Pejkovi" tashmë është kthyer në kryeqytetin italian, por i presin sfidat e radhës së projektit që do t'i çojë në Kopenhagë.

Lexoni më tepër:

Foto: Facebook / Shkolla bullgare e së dielës "Asen dhe Ilija Pejkovi" në Romë

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Presidenti Rumen Radev dhe drejtori i BNR-së Milen Mitev

Kreu i shtetit Rumen Radev nderoi Radion Kombëtare Bullgare me Shenjën e Nderit të Presidentit

Kreu i shtetit Rumen Radev ia dorëzoi Shenjën e Nderit Radios Kombëtare Bullgare (BNR). Distinktivin e nderit e mori drejtori i përgjithshëm i BNR-së, Milen Mitev, gjatë koncertit solemn në Operën dhe Baletin e Sofjes me rastin e 90-vjetorit të Radios..

botuar më 25-01-26 11.38.PD

Radioja Kombëtare Bullgare mbush 90 vjet – një histori krenarie dhe pa paragjykime!

Më 25 janar 1935 u nënshkrua dekreti i Mbretit Boris III, me të cilin transmetimet radiofonike në Bullgari u bënë pronë shtetërore dhe kështu zyrtarisht u vu fillimi i "Radio Sofjes", siç quhej Radioja Kombëtare Bullgare. Në qershor të po këtij viti, si..

botuar më 25-01-25 8.20.PD

Radioja Kombëtare Bullgare feston përvjetorin e saj të 90-të me aktivitete të ndryshme

Më 25 janar të këtij viti Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) do të festojë 90 vjetorin e saj. Festimi i Shtëpisë së Vjetër, siç e quajmë radion tonë, do të shoqërohet me iniciativa të ndryshme dhe kulmi do të jetë ceremonia e ndarjes së Çmimeve Vjetore të..

botuar më 25-01-24 7.20.PD