Një punëtori unike krijuese “Farë Mirësie” do të hapë dyert në Ditën e Dafinës, dhe vendndodhja e saj është edhe më e veçantë – Kopshti “Frymëzim” në Bozhurishte. “Më pëlqen të vij këtu. Shihni buzëqeshjet e gjithë këtyre njerëzve..., kur jemi bashkë, gjithçka shkon mirë!” – thotë njëra nga vajzat që punon në kopshtin e projektuar për të rinj me nevoja të veçanta. Iniciativa të ndryshme gjithashtu kontribuojnë që kopshti dhe njerëzit e tij të bëhen pjesë e komunitetit të qytetit tonë, na thotë Milena Boeva – krijuesja e këtij projekti frymëzues dhe të dobishëm, financimi i të cilit, megjithatë së fundmi përfundoi dhe tani po kërkojnë një mënyrë për të vazhduar përpara. Kjo është qendra e parë për punësim të mbrojtur në Bullgari, dhe qëllimi i saj është të sigurojë punë dhe kujdes për të rinjtë me nevoja të veçanta, të cilët do ta kishin të vështirë të gjenin një mjedis shoqëror dhe vend pune pas përfundimit të shkollës.
Kopshti "Frymëzim" ndodhet 13 kilometra në perëndim të Sofjes – në qytetin Bozhurishte. Hap dyert në vitin 2020 si një iniciativë private, e realizuar nga Milena Boeva dhe shoqata e saj “Për fëmijët – viti 2017”, me ndihmën e Komunës së Bozhurishtes dhe Agjencisë për personat me aftësi të kufizuara. Kështu, prej gati 5 vitesh, të rinjtë rrisin perime, bëjnë turshi, merren me tezgjah dhe qeramikë, si dhe shesin produktet e tyre si në dyqanin e kopshtit, ashtu edhe në tregje festive.
Këtu gjithmonë punohet me zell, por në të njëjtën kohë krijohen miqësi, dëgjohet e qeshura dhe shaka të hedhura me humor. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse shumë vullnetarë me kënaqësi vizitojnë Kopshtin "Frymëzim", për të ndihmuar në veprimtari të ndryshme.
“Ky punësim i mbrojtur i përkohshëm, që ata marrin këtu, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ta, sepse ndihen të dobishëm,” ndan Milena Boeva dhe shton:
“Madje tani, përderisa na përfundoi financimi i projektit,ata vijnë si vullnetarë, pa pagesë, për çka jam jashtëzakonisht mirënjohëse dhe e lumtur! Thonë që unë i kam mbështetur deri tani, e tani ata më kthejnë të njëjtën mbështetje.”
Milena Boeva shpreson që institucionet në Bullgari të vazhdojnë mbështetjen për punën e tyre dhe shpjegon se të rinjtë janë gjithsej 15, të moshës 20 deri në 40 vjeç, dhe secili prej tyre ka nga dy sëmundje.
“Dhe vërtet nuk pendohem, sepse pashë efektin gjatë këtyre pesë viteve – u bënë ekip dhe mes tyre nuk ka konkurrencë. Ata e dinë shumë mirë që janë të ndryshëm nga njerëzit e tjerë, por megjithatë mbështesin njëri-tjetrin dhe ndihmohen. Lindi miqësi, pati edhe dashuri – lloj-lloj dramash. Kur erdhën këtu, nuk dinin as gjëra elementare. Tani, çdo ditë kemi dikë të caktuar për pastrim. Serat tona tani janë pesë dhe mbjellim domate, kastravecë, speca, kunguj dhe patëllxhanë. Na mungon ndonjëri kur nuk është këtu, dhe kur janë me raport mjekësor, nuk duan të qëndrojnë në shtëpi, duan të vijnë në punë. Kjo është kënaqësia më e madhe për gjithë ekipin tonë. Ka përmirësim në të gjitha nivelet. Vetë kontakti me tokën është jashtëzakonisht i dobishëm për ta, sepse janë në natyrë, jo nëpër zyra. Nga ana tjetër, në punëtoritë e artit ata mësojnë aftësi të shkëlqyera motorike të duarve”.
Veselina Moneva – terapiste profesionale në Kopshtin “Frymëzim” shpjegon se detyra e saj kryesore është që të rinjtë të ndihen të qetë dhe me gëzim të hyjnë në serat. Ajo shton se gjendja emocionale e balancuar është me rëndësi thelbësore për këto lloj sëmundjesh të lindura, dhe se nga përvoja e saj ka vërejtur që emocionet e mira shërojnë.
“Ndonjëherë është shumë e vështirë të hysh në emocionin dhe gjendjen e tyre, sepse janë hiperaktivë, më të emocionuar ose, për shembull, kanë ardhur pak të zemëruar. Detyra ime është t’i bëj të qeshin, t’i qetësoj dhe t’i fus në një ekuilibër të përditshëm. Sot, për shembull, Toni dhe vajza ime ishin më emocionalë. Vumë muzikë, u qetësuan të dy, u përqafuam, kërcyem... Pastaj, gjendja shpirtërore ishte krejtësisht ndryshe.”
Për socializimin e të rinjve kujdeset edhe drejtoresha artistike Hristina Misheva, e cila shton: “Ata në të vërtetë janë të rinj që kanë nevojë të ndihen të dobishëm, të shprehen, madje edhe të takojnë dashurinë. Të gjitha këto gjëra i shoh këtu në kopsht çdo ditë – shoh fytyra që ndriçojnë nga fakti se kanë qenë të dobishëm dhe se kanë qenë më të mirët në atë që kanë bërë.”
Ekipi i kopshtit frymëzues merr mbështetje morale edhe nga çerdhet dhe shkollat në Bozhurishte, të cilat i vizitojnë shpesh dhe së bashku organizojnë festa në qendër të qytetit: “Gëzohemi që krijojnë edhe miqësi me njerëz që janë jashtë këtij komuniteti të vogël.”
Dhe pavarësisht që financimi i projektit ka përfunduar, dhe të rinjtë punojnë në mënyrë vullnetare për të mos humbur vendin dhe komunitetin e tyre, aktualisht është në zhvillim përgatitja për një festival të vogël arti. Ai do të mbahet në vetë oborrin e Kopshtit “Frymëzim”, në festën e dashur pranverore – Ditën e Dafinës. Gjatë një karnavali shumëngjyrësh, kushdo i veshur si një lule e bukur do të ketë mundësinë të fitojë një çmim, ndërsa fëmijët nga komuniteti i Bozhurishtes do të këndojnë dhe do të kërcejnë. Në këtë mënyrë do të hapet solemnisht punëtoria e re “Fara e Mirësisë”.
"Më pëlqen të vij dhe e di që kur ndihmon njerëzit, puna jote shpërblehet, jo vetëm me një shumë parash, por edhe në një mënyrë tjetër. Shikoni buzëqeshjet e gjithë këtyre njerëzve, shikoni gëzimin e Milenës! Gëzimi i saj dhe lumturia e saj janë më të rëndësishme për mua!… Vij për shkak të mbështetjes, miqve dhe buzëqeshjeve. Jemi shumë të lumtur, na pëlqen shumë të punojmë bashkë, madje pa parë orën. Bënim shaka që duam të mbetemi të jetojmë këtu. Kjo gjë duhet të vazhdojë me kalimin e kohës, dhe unë besoj se do të vazhdojë! Sepse, kur jemi bashkë, gjithçka shkon mirë!”
Fotografi: Facebook /Fondacioni Be PART, arkiv personal, Facebook /Dokumentari “Kopshti i Mirësisë”
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Çdo shkollë bullgare jashtë vendit ka historinë e saj, dhe ajo e shkollës "Rodna Strjaha" në Qipro hapi dyert e saj në vitin 2015. Në themel të saj është ëndrra e një mësueseje bullgare – që një ditë, kur fëmijët bullgarë të vendosin të kthehen në..
Përmirësimi i superkompjuterit bullgar Discoverer tashmë përfundoi me sukses dhe makina tani ka sisteme të reja që mundësojnë ofrimin e shërbimeve të specializuara shtesë në fushën e inteligjencës artificiale për biznesin, komunitetin shkencor dhe..
Që nga themelimi i tij më 11 prill 2022, Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji – INSAIT ka arritur një sërë suksesesh dhe vazhdon ta pozicionojë Bullgarinë në hartën globale të teknologjisë. Disa..
Përmirësimi i superkompjuterit bullgar Discoverer tashmë përfundoi me sukses dhe makina tani ka sisteme të reja që mundësojnë ofrimin e shërbimeve të..
Që nga themelimi i tij më 11 prill 2022, Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji – INSAIT ka arritur një sërë..
Menjëherë pas hapjes së sezonit të motoçikletave në Sofje në fund të marsit, kryeqyteti ynë pret ekspozitën më të madhe të motoçikletave në vendin..