Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

E Enjta e Madhe - Përkujtimi i Darkës së Fundit dhe i Themelimit të Eukaristisë

Foto: BTA

Atë ditë, Shpëtimtari organizoi darkën tradicionale të Pashkës për popullin hebre në shtëpinë e një banori të Jerusalemit. Përpara darkës, si shprehje respekti, Ai lau këmbët e apostujve dhe tha: “Unë erdha për të shërbyer, jo që të më shërbejnë”.

Në tryezë, Jezusi mori bukën, tha lutjen e bekimit dhe, ndërsa ua shpërndau dishepujve, tha: "Merrni, hani - ky është trupi im, që është thyer për ju".  Pastaj mori kupën e verës dhe tha: “Pini të gjithë prej kësaj. Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve”, dhe i urdhëroi të gjithë ta bënin këtë në kujtim të tij.

Kështu, Shpëtimtari themeloi Sakramentin e Shenjtë të Eukaristisë dhe që atëherë ai kryhet gjatë Liturgjisë së Shenjtë nga kleri, i cili me lutje thërret Hirin e Shpirtit të Shenjtë për të shenjtëruar bukën dhe verën. Të krishterët i pranojnë Dhuratat e Shenjta me nderim, me besim për ta pranuar Krishtin në shpirtrat e tyre dhe përpiqen ta ruajnë Atë nëpërmjet pastërtisë së zemrave të tyre.

Pasi la trashëgim urdhërimin e ri të dashurisë për të gjithë, Krishti u zbuloi dishepujve të Tij se do të tradhtohej nga njëri prej tyre. Të hutuar, ata pyetën se kush do ta bënte këtë. Edhe Juda e pyeti Atë, dhe Krishti iu përgjigj aq butë sa të tjerët nuk e kuptuan, vetëm ai. Kur u ngrit dhe doli, ata menduan se po shkonte për pazar, sepse ishte arkëtar.

Pas darkës, Krishti shkoi me apostujt në Kopshtin e Getsemanisë, pranë Jerusalemit, ku ai ra me fytyrë përdhe, edhe i lutej Atit të Tij që, në qoftë se është e mundur, të largohet prej tij kryqëzimi. Edhe thoshte:  “O Atë, të gjitha janë të mundura për ty; largoje prej meje këtë potir; por le të bëhet jo ç’dua unë, por ç’do ti”, në mënyrë që misioni i Tij shpëtimtar për njerëzimin të mund të përmbushej.

Në këtë ditë, bëhet edhe Vajosja e Madhe dhe priftërinjtë i vajonin laikët me vajin e shenjtëruar për shëndet dhe shpëtim.

Të enjten në mbrëmje, lexohen të ashtuquajturit Dymbëdhjetë Ungjij. Këto janë dymbëdhjetë fragmente nga Ungjilli që tregojnë për vuajtjet e Krishtit. Përmes tyre, të krishterët përjetojnë dhe dëshmojnë talljen, vuajtjen dhe vdekjen në kryq të Krishtit, nëpërmjet të cilave Ai shlyen mëkatet e njerëzve. “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” – mesazhi është që besimtarët të marrin në konsideratë nëse edhe ata po e kryqëzojnë Krishtin nëpërmjet pasioneve dhe mëkateve të tyre.

Gjatë shërbesës, priftërinjtë mbajnë Kryqin nga altari, gjë që simbolizon bartjen e tij nga Krishti deri në Golgota.

Tekst: Aleksandra Karamihaleva

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BTA, arkiv




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Të zgjosh një komb – një mision i ndritshëm gjatë shekujve

Bullgarët jemi ndër pak kombet që kanë një festë të vetën të spiritualitetit — Dita e Iluministëve të Popullit . E shënojmë çdo vit më 1 nëntor, për të nderuar, jo sundimtarë apo heronj ushtarakë, por njerëzit e shpirtit — ata bullgarë që kanë..

botuar më 25-11-01 5.50.PD

E Shtuna e të Vdekurve është një shprehje e dashurisë sonë për shpirtrat e të ndjerëve

Në botën bashkëkohore, kur vlerat materiale zëvendësojnë ato shpirtërore, mendimet për shpëtimin e shpirtit mbeten disi në plan të dytë. Gara e pandërprerë me kohën dhe detyrimet e përditshme e mpakin zërin e shpirtit, që mbytet nga ritmi i vrullshëm..

botuar më 25-11-01 4.55.PD

Përralla nga Korten në Bullgari dhe Moldavi “ringjallen” në Sofje

Përmbledhja “Përralla folklorike kortenase nga Bullgaria dhe Moldavia” do të prezantohet më 30 tetor 2025, në Qendrën Kulturore Bullgare, në Sofje. Libri është botuar nga Universiteti Shtetëror i Taraklisë “Grigorij Camblak”. Në kuadër të ngjarjes, e..

botuar më 25-10-30 5.10.PD