Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Radio Bullgaria te bullgarët në Shqipëri


Antoni Kurti dhe traditat e ruajtura të bullgarëve në Ostren të Madh

Fshati Ostren i Madh
Foto: Kostandina Bello

Në Ostren të Madh, një nga fshatrat në rajonin e zonës historiko-gjeografike të Gollobordës në Shqipëri, u njohëm me Antoni Kurtin. Ai na shëtiti nëpër rrugicat e vjetra dhe vendet e bukura natyrore, na prezantoi me disa prej banorëve interesantë që ende ruajnë traditat e vjetra bullgare dhe na tregoi më shumë për fshatin dhe zakonet e tij.


Antoni Kurti ka lindur dhe është rritur në Ostren të Madh dhe prej gati 6 vitesh punon si mësues gjeografie në shkollën e fshatit. Ai ndan me ne se gjuha e tij amtare është bullgarishtja, ndërsa gjuhën shqipe e ka mësuar vetëm kur ka filluar shkollën. E njëjta gjë ndodh edhe sot – në shtëpi, fëmijët flasin në bullgarisht dhe për mësuesit e klasës së parë është shumë e vështirë t’u mësojnë gjuhën shqipe. Prandaj, sipas bashkëbiseduesit tonë, mësuesit duhet të jenë nga zona dhe të flasin gjuhën bullgare.
Antoni Kurti
Ai thotë se fshati i tij i lindjes ndodhet në një zonë shumë të mirë me natyrë të bukur, por të varfër nga pikëpamja ekonomike. Njerëzit shpesh emigrojnë drejt vendeve fqinje dhe jo vetëm – Maqedoni e Veriut, Greqi, Itali, Gjermani, Angli, si edhe Bullgari. Megjithëse shumë veta largohen nga vendlindja, ata vazhdojnë të flasin gjuhën e tyre amtare – një formë e vjetër e të folurit bullgar. Në këtë kohë dinamike nuk është e lehtë të ruhen traditat e vjetra, por banorët vendas kanë arritur t’i ruajnë dhe t’i transmetojnë brez pas brezi – na thotë Antoni, dhe bashkë me të kthehemi pas në kohë për të mësuar më shumë rreth disa traditave interesante vendase.

Rrëfimi i tij nis me dasmat. Kur shkonin për të marrë nusen, gratë këndonin së bashku në kor një këngë: "Shi bie në tokën Arbërore."

"Kur nusja vjen në shtëpinë e re tek burri i saj, në mëngjesin e ditës që vjen duhet të shkojë tek çezma për të mbushur ujë për shtëpinë – për gatim, për të pirë, për larjen e rrobave," – shpjegon Antoni dhe ndan me ne se kështu e kërkon tradita, e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon të respektohet.

Patëm fatin të shohim edhe veshjet tradicionale të fshatit. Tipike për zonën është që gratë mbajnë një shami të bardhë në kokë, ndërsa brezi është një tjetër element karakteristik. Banorët më të vjetër edhe sot vishen në këtë mënyrë në jetën e përditshme, ndërsa të rinjtë i veshin kostumet popullore vetëm gjatë festave.
Shumica e banorëve të fshatit janë myslimanë, por dikur nuk ka qenë kështu, na thotë Antoni Kurti:

"Që në kohët e vjetra, këtu në Ostren të Madh, të moshuarit thoshin se në qendër ka pasur një kishë. Dhe atëherë nuk thoshin 'po shkojmë në qendër', por 'po shkojmë në kishë'. Këtu kanë jetuar shumë të krishterë ortodoksë. Por më pas erdhën myslimanët dhe asimiluan popullsinë. Sot 90-95 për qind janë myslimanë, vetëm pak njerëz janë ortodoksë."
Sheshi i fshatit Ostren i Madh
Meqë shumica e popullsisë është myslimane, festa më e madhe është Bajrami. Por është interesante që në zonë festohet edhe Shën Gjergji, më 6 maj. Shumë njerëz kthehen në vendlindje, mblidhet familja, shkojnë për piknik në mal dhe hanë mish – shpjegon Antoni.

Që në kohët e lashta ekziston edhe një tjetër traditë interesante me të cilën pritret Shën Gjergji:

"Më 5 maj shumë njerëz shkojnë te çezma, e cila është si nëpër legjenda – magjike, bën mrekulli. Legjenda tregon për një nuse të re që nuk mund të lindte fëmijë. Ajo shkoi për të mbushur ujë dhe fjeti atje një natë, dhe më pas mbeti shtatzënë. Që atëherë, të gjithë shkojnë te çezma më 5 maj në mbrëmje, presin të bëhet ora 12, për të pritur Shën Gjergjin dhe pastaj kthehen në shtëpi. Më pas të gjithë duhet të pijnë nga ai ujë, që t’u ecë mbarë."

Përveç Shën Gjergjit, një tjetër festë e rëndësishme është edhe ajo që quhet Letnik, e cila festohet edhe në ditët e sotme.

"Më 13 mars në mbrëmje, fëmija më i vogël i shtëpisë shkon dhe mbledh thana, lajthi dhe më 14 në mëngjes, kur zgjohen, i thyejnë dhe i lënë në ujë. Më pas këndojnë: "Të jesh i fortë si thana, të jesh i lehtë si lajthia!". Fëmijët shkojnë shtëpi më shtëpi, trokasin nëpër dyert dhe ne u japim dhurata që viti të jetë i mbarë për familjen. U japim vezë, gështenja, arra dhe gjëra të tjera nga dyqani, si çokollata, që të gëzohen fëmijët."

Ngjarja më karakteristike dhe unike për rajonin e Gollobordës janë ndeshjet e mundjes. Ato organizohen tradicionalisht në muajin maj, çdo të diel të tretë të muajit, nga Federata e Sportit.

"Në ndeshjet e mundjes marrin pjesë shumë të rinj, por edhe burra më të mëdhenj në moshë nga rajone të ndryshme, jo vetëm nga fshati, por edhe nga jashtë vendit – nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe vende të tjera. Të gjithë mblidhen në një livadh të gjelbër dhe fillon mundja."

Antoni thotë se në Gollobordë ka shumë fëmijë të talentuar – disa prej tyre janë bërë kampionë evropianë. Prandaj, për të nxitur shpirtin sportiv dhe për të mbështetur talentet, ata planifikojnë të krijojnë një ekip mundjeje. Përveç në sport, njerëzit nga rajoni kanë arritur të spikasin edhe në shumë fusha të tjera, dhe nuk janë të paktë emrat e njohur në Shqipëri që vijnë pikërisht nga fshatrat e Gollobordës.
"Kjo është kështu sepse njerëzit këtu janë punëtorë," – thotë Antoni dhe shton se janë të njohur gjithashtu si disa nga ndërtuesit më të mirë në vend – dhe jo vetëm. Një pjesë e këtyre njerëzve kanë përfunduar studimet në Bullgari dhe janë kthyer për të punuar në Shqipëri.

Antoni Kurti ndan me ne se ka pasur fatin dy herë të prekë tokën bullgare.

"Në vitin 2021 isha në Blagoevgrad në një seminar veror, morëm pjesë në leksione për gjuhën bullgare, kulturën, traditat. Më vonë isha edhe në Koprivshtica për 7 ditë. Kishim shumë aktivitete, mësuam shumë gjëra," – na rrëfen bullgari nga Shqipëria. Ai ka ruajtur përshtypje shumë të mira nga vendi ynë, është marrë vesh lehtësisht me njerëzit këtu, sidomos me të moshuarit. Sipas tij, bullgarët nga Golloborda dhe ata nga Bullgaria kanë shumë gjëra të përbashkëta, dhe në Bullgari ai është ndjerë si në shtëpinë e tij.

Foto: Facebook /Antoni Kurti, Kostandina Bello, Krasimir Martinov, Facebook/ Ostreni I Madh Dibra, facebook.com/mundje.golloborda


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Mbreti Boris III (1894-1943)

Mbreti bashkues Boris III në kujtimet e djalit të tij Simeon Sakskoburggotski

Mbushen 131 vjet nga lindja e Mbretit Boris III, i cili mbeti në kujtesën bullgare me përkufizimin që i dha populli dhe historia - Bashkues. Boris Sakskoburggotski qëndroi në krye të vendit pas abdikimit të Mbretit Ferdinand pas disfatës së..

botuar më 25-01-30 6.55.PD
Elena Doskova-Ricardi

Elena Doskova – Ricardi shkruan emrin e saj në histori si bullgarja e parë që këndoi në La Scala

Elena Doskova – Ricardi magjepsi kryedirigjentin e La Scala, Arturo Toscanini me zërin e saj prej sopranoje aq sa magjik, po aq edhe dramatik, temperamentin e zjarrtë dhe tonin e pastër, që e kthyen atë në një këngëtare operistike të klasit të parë. Nën..

botuar më 25-01-28 7.25.PD
Mbi pesë kuaj në Berlin, 1912

Llazar Dobriç mbetet i vetmi artist i cirkut që realizoi "Trapezin e vdekjes"

"Para se të shpikja "Trapezin e vdekjes", quhesha Llazar Dobriç dhe kështu më shkruanin nëpër postera dhe nëpër programe”. Mjeshtri i artit botëror të cirkut do të mbahet mend gjithmonë për trukun më të rrezikshëm në ring – me dorën e shtrirë drejt një..

botuar më 25-01-19 9.30.PD